Policia në gjurmët e makinës që shkaktoi shpërthimin e makinës së Preng Gjinit
Policia ka identifikuar një automjet që dyshohet se është i autorëve që vendosën tritolin në automjetin që udhëtonte Preng Gjini, ngjarje e cila tronditi kryeqytetin pranë urës së Selitës. Hetuesit kanë identifikuar tre automjete ndërsa një prej tyre ka rezultuar pa pronar dhe ka dyshime të jetë i autorëve. Grupi hetimor është përqendruar tek pamjet filmike që kanë marrë nga kamerat e qytetit dhe bizneset private.
Policia dhe prokuroria kanë arritur të identifikojnë një automjet që dyshohet se është i autorëve që vendosën eksplozivin në automjetin që udhëtonte Preng Gjini, i cili mbeti i plagosur rëndë.
Fillimisht janë konstatuar 3 makina të dyshuara, por dy prej tyre janë identifikuar pronarët dhe nuk është gjetur lidhja me atentatin.
Hetuesit janë duke kryer kërkime për automjetin e tretë, pasi nga verifikimi paraprak ka rezultuar se automjeti është i paregjistruar.
Burime nga policia bëjnë me dije se ka dyshime që autorët të kenë udhëtuar me këtë automjet, për vendosjen e lëndës shpërthyese si dhe për tu larguar nga vendi i ngjarjes.
Grupi hetimor ka marrë në dispozicion gjithashtu kamerat e sigurisë së zonës, por ende nuk ka rezultate konkrete për identifikimin e autorëve.
Preng Gjini mbeti i plagosur mbrëmjen e 15 shtatorit, pranë urës së Selitës, ndërsa ndodhet ende i shtruar në Spital për shkak të dëmtimeve të shumta që ka marrë.
Gjendja shëndetësore sipas bluzave të bardha paraqitet e stabilizuar, teksa pak ditë më parë ka dhënë dhe deklarimet paraprake para oficerëve të policisë.
50-vjeçari aktualisht po merr kurim në një spital privat, pas mjekimeve dhe ndërhyrjes kirurgjikale të cilës iu nënshtrua tek spitali i traumës.
Është shprehur para hetuesve se nuk ka hasmëri dhe nuk ruhej gjatë lëvizjeve që kryente në kryeqytet.
Atentati ndaj Preng Gjinit të martën mbrëma është referuar në prokurori për veprat penale tentativë vrasje për motive gjakmarrje dhe shkatërrim prone me eksploziv. /Ora News