Policia Rrugore: 5444 gjoba dhe 18 automjete të bllokuara në 48 orë
Policia Rrugore ka intensifikuar kontrollet në të gjitha akset e Tiranës, duke proceduar penalisht 10 persona për shkelje të rregullave të qarkullimit, kryesisht për drejtim të mjetit në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi.
Gjatë 48 orëve të fundit janë vendosur 5444 masa administrative, ndërsa 3 persona janë proceduar edhe për tentativë korruptimi të punonjësve të Policisë.
Njoftimi:
Shërbimet e Policisë Rrugore të Tiranës vijojnë kontrollet intensive në të gjitha akset e kryeqytetit, me fokus parandalimin e aksidenteve rrugore dhe rritjen e sigurisë për të gjithë përdoruesit e rrugës.
Si rezultat i monitorimit të vazhdueshëm, me pajisje teknologjike bashkëkohore dhe me shërbime të shtuara në terren, gjatë 48 orëve të fundit:
-janë proceduar penalisht 10 shtetas, për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, kryesisht për drejtim të automjetit në gjendje të dehur dhe/ose pa leje drejtimi;
-janë proceduar penalisht 3 shtetas që tentuan të korruptonin punonjësit e Policisë, me qëllim shmangien e masave administrative për drejtim të automjeteve në efektin e alkoolit ose duke përdorur celularin;
-janë bllokuar 18 automjete dhe janë tërhequr 13 leje qarkullimi;
-janë vendosur 5444 masa administrative, për shkelje të ndryshme.
Policia Rrugore thekson sërish se mosrespektimi i shpejtësisë së lejuar në qarkullim, drejtimi i automjetit në efektin e alkoolit dhe/ose pa leje drejtimi dhe përdorimi i celularit gjatë drejtimit të mjetit, përbëjnë rreziqe serioze për aksidente me pasoja për jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës.
Çdo rast i këtyre shkeljeve dhe i shkeljeve të normave të tjera të Kodit Rrugor, i konstatuar gjatë patrullimit dhe monitorimit me mjete inteligjente bashkëkohore, do të ndëshkohet administrativisht dhe penalisht, konform ligjeve në fuqi.
Gjithashtu, çdo tentativë për të korruptuar punonjësit e Policisë, me qëllim shmangien e përgjegjësive, do të pasohet me procedim penal, si dhe me ndëshkim për shkeljen rrugore të kryer.
Kontrollet vijojnë pa ndërprerje, në të gjitha akset rrugore të kryeqytetit.
Policia e Tiranës falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe denoncimet e tyre, të cilat ndihmojnë në evidentimin dhe parandalimin e shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor, dhe i fton të vijojnë të denoncojnë çdo rast që konstatojnë në këtë fushë, në numrin 112. Policia e Shtetit iu garanton anonimat dhe reagim të menjëhershëm, konform parashikimeve ligjore.
KOHA JONË SONDAZH

