Policia Rrugore e Tiranës intensifikon kontrollet ndaj drejtuesve të motomjeteve

Procedohen penalisht 19 shtetas, sekuestrohen 19 motomjete elektrike dhe vendosen 530 masa administrative, gjatë kontrolleve në dy ditët e fundit.
Në vijim të kontrolleve të intensifikuara me qëllim parandalimin e ngjarjeve rrugore, veçanërisht atyre ku përfshihen motomjetet, dhe nga shqetësimet e shumta lidhur me manovrat e rrezikshme të kryera me to, shërbimet e Policisë Rrugore Tiranë kanë vijuar kontrollet ndaj drejtuesve të këtyre mjeteve, me fokus evidentimin dhe ndëshkimin e shkeljeve që cenojnë sigurinë rrugore.
Gjatë kontrolleve të kryera në dy ditët e fundit janë konstatuar 19 shtetas që drejtonin motomjete elektrike pa leje drejtimi përkatëse. Për këta shtetas ka nisur procedimi penal për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, ndërsa motomjetet janë sekuestruar.
Gjithashtu, gjatë kontrolleve janë konstatuar dhe ndëshkuar me masa administrative shkelje të ndryshme të rregullave të qarkullimit rrugor, konkretisht:
-371 masa për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse;
-76 masa për qarkullim në korsitë e dedikuara për biçikleta dhe në hapësirat e dedikuara për këmbësorët;
-28 masa për kryerje manovrash dhe mosrregullim të shpejtësisë në qendrat e banuara;
-21 masa për shkaktim zhurmash nëpërmjet sistemit të shkarkimit të gazrave (marmitave);
-18 masa për motomjete pa shenja dalluese/targa;
-10 masa për qarkullim me shpejtësi tej normave të lejuara;
-6 masa për drejtim pa leje drejtimi përkatëse.
Kontrollet do të vijojnë në mënyrë të pandërprerë, me qëllim parandalimin e ngjarjeve rrugore dhe rritjen e sigurisë në rrugë.
Policia Rrugore Tiranë apelon për drejtuesit e motomjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të pajisen me leje drejtimi, të përdorin kaskën mbrojtëse dhe të shmangin çdo manovër të rrezikshme që mund të cenojë sigurinë e tyre dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se në shtator kryeministri do bëjë ndryshime në Qeveri?