Policia Rrugore me dorë të ”hekurt”, 8 shoferë në pranga dhe mbi 4 mijë gjoba në 24 orë
Policia Rrugore ka intensifikuar kontrollet në të gjithë vendin gjatë 24 orëve të fundit, duke arrestuar tetë drejtues automjetesh dhe vendosur 4255 masa administrative për shkelje të rregullave të qarkullimit. Sipas të dhënave zyrtare, gjashtë nga të arrestuarit u kapën duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, ndërsa dy të tjerë rezultuan pa leje drejtimi.
Shkeljet më të shumta lidhen me parkimet e gabuara, për të cilat janë vendosur 1 530 gjoba në zonat urbane. Automjetet e parkuara në korsitë e dedikuara dhe mbi trotuare janë larguar me karrotrec. Po ashtu, 1 331 drejtues janë ndëshkuar për tejkalim të shpejtësisë së lejuar.
Gjatë kontrolleve janë konstatuar edhe shkelje të tjera, ku 332 drejtues janë gjobitur për mosvendosje të kaskës mbrojtëse, 126 për mosvendosje të rripit të sigurimit, 66 për përdorimin e celularit gjatë drejtimit, 166 për parakalime të gabuara, 27 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, 11 për zhurma dhe manovra të rrezikshme në qendrat urbane, si dhe 494 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.
Policia Rrugore njofton se kontrollet dhe patrullimet do të vijojnë me intensitet të lartë edhe gjatë fundjavës, për shkak të shtimit të lëvizjes së automjeteve drejt zonave bregdetare dhe destinacioneve turistike.
KOHA JONË SONDAZH

