Policia shoqëron Petrit Cinarin për kallëzim të rremë

Policia ka shoqëruar sot Petrit Çinarin, personi për të cilin deputeti i Shkodrës tha disa ditë më parë se ishte porositur nga babai i Ilir Metës për ta vrarë atë. Mësohet se Çinari është shoqëruar në polici dhe aktualisht ai po hetohet për “kallëzim të rremë”.

Çinari ishte thirrur sot në Prokurorinë e Krimeve të Renda dhe dëshmia e tij ka zgjatur tre orë. Pas dëshmisë, Çinari është shoqëruar ne komisariat.

Tre ditë me pare, kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili deklaroi se deputeti Tom Doshi i ka inskenuar akuzat për një atentat ndaj tij me porosi të kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta. Në një deklaratë për mediat, Petrit Vasili tha se Tom Doshi i ka dhuruar një apartament gruas së Petrit Çinarit, personit për të cilin deputeti i Shkodrës tha se ishte porositur nga babai i Ilir Metës për ta vrarë atë.

Por pas akuzave të bëra nga Vasili, ka reaguar edhe deputeti i Shkodrës Tom Doshi i cili në një koment të publikuar në rrjetin social “Facebook”, shkruante se nuk e ka nxitur dhe as e ka inkurajuar Petrit Çinarin të dëshmojë në prokurori dhe se ai ka shkuar dhe ka dhënë dëshminë me vullnetin e tij.  “Per sa i perket akuzave te sotme per Petrit Cinarin, une po iu them se ky person nuk ka pasur asnje lloj nxitjeje dhe inkurajimi prej meje. Ai ka vepruar me vullnetin e tij te lire dhe une jam informuar mbasi ai e kishte bere kallzimin ne prokurori.”,-ka shkruar Doshi.

SHKARKO APP