”Politika nuk e dominon dot më drejtësinë”, Çipa: Fenomeni i pandëshkueshmërisë ka përfunduar
Analisti Aleksandër Çipa komenton veprimtarinë e sistemit të drejtësisë në raport me politikën. Për të politika së fundmi është bërë më e rafinuar për t’u mbrojtur nga goditjet e drejtësisë dhe konkretisht SPAK-ut.
“Mendoj që sistemi i drejtësisë duhet që të vepronte pa krijuar evazivitete juridike dhe interpretime palësh. Në rastin konkret nëse një prokuror apo një gjykatë e dinte se do të ngrihej pretendimi nga pala e shumicës në vend për të padrejtën që ka gjykata për të pezulluar zëvendëskryeministren në detyrë, nuk duhet ta bënte këtë dhe ndoshta duhej të ndiqte një rrugë tjetër, e cila nuk do të haste këtë rezistencë dhe këtë interpretim politik jo vetëm nga shumica por edhe nga zëra të tjerë të shoqërisë civile.
Në rastin e përvojës dhe kulturës politike në vendin tonë, ne e dimë fort mirë që politikanët dhe hierarkia e lartë politike e përdor politikën si një koracë mbrojtëse, ndoshta në rastet e fundit në mënyrën më të rafinuar sepse më herët kemi pasur edhe precedentë shumë herë më evidentë dhe flagrantë”, tha Çipa.
KOHA JONË SONDAZH

