Pragu për të pavarurit, ekspertët: E zgjidh Kushtetuesja
Raporti i ODHIR dëshmoi se KQZ po përpiqet të injorojë pragun kombëtar 1% që kandidatët e pavarur duhet të kalojnë, nëse arrijnë të marrin mandatin në qarkun ku garojnë. Por një pengesë e tij është e sanksionuar në hierarkitë më të larta të normës juridike, ndaj dhe ish-kryetari i Komisionit të Zgjedhjeve, Kristaq Kume, thekson se institucioni i administrimit të garës është aty për të zbatuar ligjin dhe jo për ta interpretuar atë.
“Unë e shoh të vështirë dhe të pakuptueshëm angazhimin e KQZ për të qenë ai që ti japë zgjidhje këtij problemi”, shprehet ai. Të njëjtin mendim ndan edhe jurisi Marash Logu. ”Është përcaktuar qartazi se kush mund të bëjë përcaktimin e pragut kombëtar. Në asnjë rast kjo kompetencë nuk është e Komisionit Qëndror të zgjedhjeve”, shprehet ai.
Kume e sheh të panatyrshme që dikush që kandidon në një qark të caktuar duhet tregojë peshën e tij edhe në rangkombatar. Ky lloj sistemi, sipas tij diskriminon partitë e vogla dhe kandidatët e pavarur, mund të korrigjohet nga dy institucione të tjera. “’Rruga do të ishte, ose kërkesa ndaj kuvendit që ta rishqyrtonte, ose në Gjykatën Kushtetuese”.
Pikërisht Gjykatës Kushtetuese i është drejtuar kandidati i pavarur, Elton Debreshi, që garon në qarkun e Dibrës, ndonëse shanset për një vendim para zgjedhjeve janë gati zero. Në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese, kandidati Debreshi thekson se pragu kombëtar prej 1% shkel barazinë e kandidatëve në garë, ndaj dhe kërkon shfuqizimin e tij.