Pranga Ben Çamit: Si po riaktivizohen linjat e drogës

Placeholder Image

Emri i Lutfi Shabanit, i njohur si “Ben Çami” është rikthyer në dosjet e drejtësisë, pas sekuestrimit të sasisë prej 500 kg kanabis, që kishte si destinacion Turqinë. Shabani është dënuar me 8 vjet burg nga Krimet e Rënda, për disa episode trafiku heroine në Itali.

Sekuestrimi i një sasie prej 500 kg kanabis në pikën Kufitare të Kapshticës po krijon dyshime të forta te hetuesit për rikthimin e linjave të vjetra të trafikut të drogës.

Emrat e personazheve që dyshohet se janë përfshirë në këtë trafik, i shtojnë edhe më tepër këto dyshime, pasi është zgjedhur linja me Turqinë për trafikimin e drogës.

Kjo linjë ka qenë e njohur vite më parë për trafikimin e heroinës që përfundonte në Itali, ku një prej të dyshuarve, i cili u dënua më pas, ishte dhe Lutfi Shabani, i njohur ndryshe si “Ben Çami”.

Shabani përfundoi sërish në prangat e policisë, pasi dyshohet se është pronari i sasisë prej 500 kg kanabis të sekuestruar tre ditë më parë në Kapshticë.

Lënda narkotike u sekuestrua nga Policia Kufitare e Kapshticës pas kontrollit të kryer në një kamion që kishte si destinacion përfundimtar Turqinë.

Kamioni drejtohej nga shtetasi Eldi Zahiri, 38 vjeç, banues në Durrës. Sipas policisë, kamioni po hynte në Greqi, e do të udhëtonte pastaj drejt Turqisë.

“Arrestimi i 38-vjeçarit u bë pasi, gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia Kufitare në vijën e dytë, (në dalje të Republikës së Shqipërisë), si edhe pas kontrollit në skaner, mjetit tip kamion të markës “MAN” me targa AA312MY dhe rimorkios me targë ADR495, me të cilin ky shtetas udhëtonte dhe kishte si destinacion Turqinë, iu gjetën të fshehura dhe u sekuestruan me cilësinë e provës materiale 474 pako të mbështjella me letër natriban ngjyrë kafe, me lëndë të dyshuar narkotike” – njofton policia.

Sipas saj, sasia e lëndës narkotike, ishte fshehur në pjesën e tavanit të mjetit dhe rimorkios së tij. Menjëherë pas sekuestrimit të lëndës narkotike, çështja u referua në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për akuzën e trafikut të narkotikëve mbetur në tentativë.

Hetimet e para treguan se një nga personat që dyshohet se kishte lidhje me drogën është dhe Lutfi Shabani, i cili ka kryer një dënim prej 8 vitesh burg për akuzën e trafikut të heroinës.

Sipas burimeve, mësohet se me iniciativë policia ka arrestuar dy persona të tjerë si të dyshuar për trafikimin e sasisë prej gjysmë toni kanabis.

Sipas policisë, në pranga kanë rënë Janaq Koçeli, 58 vjeç dhe Lutfi Shabani, 45 vjeç, pasi nga veprimet hetimore e procedurale të kryera, rezulton se ata e kryenin veprimtarinë e tyre kriminale në bashkëpunim me Eldi Zahiri, 38 vjeç, të cilit iu konstatua lënda narkotike, në mjetin që ky i fundit drejtonte dhe kishte si destinacion Turqinë.

Lutfi Shabani, i njohur edhe si Ben Çami është dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda në vitin 2009 si organizatori kryesor i rrjetit të trafikut të heroinës nga Turqia drejt Shqipërisë, me destinacion përfundimtar brigjet italiane.

Sipas vendimit të Gjykatës rezulton se “Ben Çami” u gjet fajtor për tri episode trafikimi, dy prej të cilave të ndodhura në Itali në vitin 2004.

“Në datën 11.5.2004 në shtetin italian, në autoveturën tip ‘Fiat Croma’, me targë sllovene KR-K7581, që drejtohej nga shtetasi Nevruz Shabanaj, janë gjetur dhe sekuestruar 15 kg lëndë narkotike e llojit heroinë. Kjo sasi lënde narkotike ishte dërguar nga Shqipëria nga ana e të pandehurit Lutfi Shabanaj, i identifikuar nga autoritetet italiane si Arben Shalaj”, thuhet në vendimin e Gjykatës. Episodi i dytë për të cilin është shpallur fajtor Shabani ka ndodhur sërish në muajin maj të vitit 2004, kur në Itali, në autoveturën tip “Opel Corsa”, me targë sllovene LJ J0-57U, janë gjetur dhe sekuestruar 19 kg lëndë narkotike e llojit heroinë. “Kjo sasi lënde narkotike ishte dërguar nga Shqipëria nga ana e të pandehurit Lutfi Shabanaj, nëpërmjet korrierëve Feti Ramadani dhe Bashkim Hiseni”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

Vetë Lutfi Shabani u arrestua në korrik të vitit 2008, pasi u kap në aksin rrugor Golem-Kavajë me 15 kilogramë e 528 gramë heroinë në automjetin tip “BMW”, me targa DR 3545 E. MAPO

SHKARKO APP