Pranverë në Credins!
Mars, muaji i pranverës, luleve dhe begatisë por jo vetëm…! Është muaji i riminishencës, i disa misioneve të mëdha që lidhen ngushtësisht me evoluimin njerëzor në tërësi, e të gruas në veçanti. Jemi në prag të disa datave të shënuara, e një ndër to edhe 8 Marsi. Një datë e cila i thërret memories kolektive, mbi emancipimin e gruas dhe evolucionit të saj në të gjitha sferat e jetës.
Si muaj i krijimtarisë apo eventeve, Banka Credins ndjek traditën mbi mbështetjen e plotë të artit, kulturës, edukimit apo promovimit në çdo fushë që kontribuon në zhvillimin e komunitetit. Me filozofinë që arti dhe kultura zgjojnë gene për të patur një botë sa më të zhvilluar dhe emancipuar, përgjatë këtij muaji Banka Credins është transformuar sërish në një ekspozitë arti, ku çdo klient do të këtë mundësinë të shohë krijimet pranverore të artistes Olsjana Ajdini. Një bashkëpunim që banka ka vendosur ta ketë si eventin e saj ekskluziv mbi promovimin e çdo artisti të talentuar e për më tepër për ti dhënë jehonë akoma dhe më shumë kur këto krijime vijnë në një muaj kur na kujtojnë se gruaja është promotori i vërtetë i mençurisë dhe bukurisë…
Lunariaa.eu, është themeluar në muajin Maj 2019 nga Olsjana Ajdini, një grua e talentuar dhe e apasionuar pas artit të natyrës. Lindja e idesë për të mbledhur lule natyrale, përpunuar dhe më pas për ti shëndruar ato në vepra arti, lindi jo thjesht për të patur një sipërmarrje, por mbi të gjitha për dashurinë që kishte mbi natyrën, të bukurën dhe brishtësinë që ka i gjithë procesi i punës në tërësi.
Olsjana është gruaja tipike, që përveç angazhimit në vetë-sipërmarrjen, është edhe një nënë e përkushtuar në rritjen e fëmijëve të saj, ku kohën e ndan mes pasionit për punën dhe prindërimit. Suksesin ja dedikon përkushtimit dhe ambicjeve për të qënë gjithmonë e angazhuar me gjërat që e lidhin figurën e saj ngushtësisht me talentin, pasionin dhe përkushtimin.
Lunariaa.eu është tashmë një biznes i ngritur dhe i zhvilluar nga gra dhe vajza të talentuara, ku punën e tyre e konsiderojnë si arti i natyrës…
Të organizuara në dy ekipe, gjejnë frymëzimin për ta promovuar biznesin në “Flower Café” një ambient i dekoruar plotësisht me lule natyrale të balsamosura. Çdo punim është i bazuar në realizimin me dorë, me lule natyrale të thara të cilat, janë mbledhur nga zona të ndryshme të vendit për të kaluar më pas në procese të ndryshme përpunimi deri në fazën finale ku ato kornizohen në formën e një pikture si vepër arti.
Ekipi i parë, përbëhet nga artizane të cilat, bëjnë punën e dorës dhe e kurojnë atë në çdo detaj për çdo vepër që prodhon punishtja. Ndërkohë ekipi i dytë janë vajzat e “Flower Café” të cilat, promovojnë punimet e artit. “Flower Café” është një showroom ku çdokush mund të shijojë një kapuçino me trëndafil, rrethuar nga oazi shumëngjyrësh i pikturave me lule të varura në mure.
Pra jemi në Mars, muajin që sjell ndryshimin “sanguin” dhe ripërtëritjen në çdo qelizë…!