Prapë fakte të reja për drogën e biznesmenëve në Durrës
Katër nga 7 personat e arrestuar një ditë më parë në Durrës, në operacionin antidrogë të koduar me emrin “Kordinata” rezultojnë të jenë biznesmenë, pronarë kompanish nafte dhe lokalesh, në Shqipëri e Itali.
Pajtim Braçaj, 52 –vjeç, që sipas policisë merrej me transportin e kanabisit nga Kruja në Durrës rezulton të ketë një kompani nafte që e ushtron aktivitetin e saj në Tiranë, Fier e Vlorë. Një fakt i tillë vihet re edhe në ekstraktin e QKR, ku rezulton se ky person është 100% pronar i kompanisë “TRADING PETROL & DRILLING”, shkruan gazeta Shqiptarja.
Po sipas ekstraktit të QKR –së, biznesi i tij, i themeluar në vitin 2012, ka qenë nën sekuestro për shkak të borxheve që ka patur Braçaj.
Bejto Kotaj, 53 vjeç, nga Shkodra, i cili sipas policisë ishte financuesi i kultivimit të kanabisit, rezulton pronar i një bar –kafeje të njohur në zonën e ish –Bllokut, Tiranë. Lokalin Cheer’s ai e ka në bashkëpronësi me Ajet Sulajn, 40 -vjeçarin që rezulton bashkëfinancues i kultivimit të kanabisit. Pjesë në këtë lokal ka edhe Pajtim Braçaj.
Ndërsa 39 –vjeçari Festim Xhelilaj rezulton të jetë pronar i një kompanie në Itali.
Policia tha se një vilë në pronësi të Valter Pashollarit, i shpallur në kërkim, shërbente si laborator ku përpunohej dhe paketohej droga.
Policia sekuestroi 700 kg kanabis, një peshore elektronike; një makineri vakumi që shërbente për presimin e lëndës narkotike; 7 automjete dhe 15 aparate celularë të markave të ndryshme. Në pranga u vunë 7 persona, ndërsa u la për t’u ndjekur në gjendje të lirë një 17-vjecar me inicialet K.X nga Kruja.
Të arrestuarit janë:
Iqmet Pashollari 61 vjeç, banues në Durrës;
Bejto Kotaj 53 vjeç, banues në Shkodër;
Ajet Sulaj 40 vjeç, banues në Tiranë;
Festim Xhelilaj 39 vjeç, banues në Tiranë;
Pajtim Braçaj 52 vjeç, banues në Tiranë;
Qerim Xeka 47 vjeç, banues në Krujë
Lutfi Xeka 25 vjeç, banues në Krujë.
Hetimet për aktivitetin e këtij grupi kishin nisur që më 25 shtator të këtij viti nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.
KOHA JONË SONDAZH

