Preç Zogaj “masakron” Ardit Gjebrean për intervistën me vrasësin

Shkrimtari dhe publicisti i njohur, Preç Zogaj drejton gishtin tek Ardit Gjebrea për transmetimin e intervistës së Marjan Rrokut në emisionin “E Diela shqiptare”.

Në një analizë në “Panorama”, Zogaj është i ashpër me Gjebrean kur shprehet “Etja për shikueshmëri tregoi edhe një herë se nuk sheh kallot ku shkel dhe plagët që hap”.

“Sindroma e audiencës me çdo çmim dha një shfaqje tronditëse këto ditë. Etja për shikueshmëri tregoi edhe një herë se nuk sheh kallot ku shkel dhe plagët që hap. Lakmia ka sy flakërues, por nuk ka fe, nuk ka mëshirë. Si mund të ndalet, si mund të korrigjohet kjo mynxyrë? Duhet të besojmë kurdoherë në zgjimin dhe rizgjimin e ndërgjegjes profesionale të gazetarëve”- shkruan Zogaj.

Publicisti thekson se jemi në shpërfytyrimin e gazetarisë profesionale dhe ky është problemi i madh për t’u debatuar e për t’u zgjidhur.

“Parimi i ri” është njëra palë të nxjerrë në skenë tjetrën, siç ndodhi me intervistën e Rrokut, s’ka rëndësi me çfarë çmimi, s’ka rëndësi se të afërmit e viktimave që detyrohen të reagojnë do të ndiejnë sërish shqyerjen e plagës që ka vënë kore, por nuk shërohet kurrë”- shkruan ai.

Sipas Zogajt, media ka funksione publike edhe kur është private. “Aq sa varet nga publiku, edhe e formon atë”.

SHKARKO APP