Libri i Ungjijve i vendosur në arkivolin e Papa Françeskut, si një simbol i besimit dhe përkushtimit të tij të jetës

10:30-Një Libër i hapur i Ungjijve është vendosur mbi arkivolin e mbyllur të Papa Françeskut.
Mesha e varrimit të Papa Françeskut ka nisur me antifonin e hyrjes. Kjo është një përzgjedhje e vargjeve të psalmeve ose pjesëve të shkrimeve të shenjta që këndohen ose recitohen tradicionalisht.
Shërbimi i varrimit të Papës Françesku këtë mëngjes po udhëhiqet nga dekani i Kolegjit të Kardinalëve, Giovanni Battista Re.
91-vjeçari italian u shugurua në Dioqezën e Breshias në vitin 1957. Në vitin 2001, Papa Gjon Pali II e shpalli atë kardinal.
Ai u zgjodh si dekan i Kolegjit të Kardinalëve në vitin 2020 dhe Papa Françesku e zgjati mandatin e tij në shkurt të këtij viti.
Mori pjesë në konklava e prillit 2005, e cila zgjodhi Papa Benediktin XVI dhe në konklava e marsit 2013, e cila zgjodhi Papa Françeskun.
10:00-Presidenti amerikan Donald Trump, i shoqëruar nga Zonja e Parë Melania Trump, ka mbërritur sot në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan.
Kjo vizitë shënon udhëtimin e parë jashtë vendit të Trump që nga rikthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë.
Fillimisht, vizita e parë ndërkombëtare e Trump pas rizgjedhjes ishte planifikuar për në Arabinë Saudite në muajin maj. Megjithatë, pas lajmit për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut, Trump ndryshoi axhendën, duke vendosur që të udhëtojë drejt Romës për të marrë pjesë në ceremoninë mortore.
Në nderim të Papës, Trump urdhëroi që flamujt në të gjithë Shtetet e Bashkuara të valojnë në gjysmë shtizë, duke e cilësuar këtë akt si një “shenjë respekti për kujtimin e Shenjtërisë së Tij Papa Françeskut”.
Përmes një postimi në Truth Social, Trump shkroi: “Melania dhe unë do të marrim pjesë në funeralin e Papa Françeskut në Romë. Mezi presim të jemi atje!”
Në muajin dhjetor, në rolin e presidentit të zgjedhur, Trump kishte marrë pjesë edhe në rihapjen e Katedrales Notre Dame në Paris, duke u rikthyer kështu në skenën ndërkombëtare para inaugurimit të tij zyrtar.
Prania e Trump në Romë pritet të jetë një mundësi e rrallë që liderët botërorë të zhvillojnë takime direkte me të, në një kohë kur shumë vende po përballen me pasojat e tarifave të vendosura nga administrata e tij.
Para nisjes për në Romë, Trump u shpreh për gazetarët jashtë Shtëpisë së Bardhë: “Do të jetë shumë interesante. Do të takojmë shumë liderë të huaj — ata duan të takohen.”