Presidenti Begaj e nis nga Kukësi turin e takimeve, takime të shumta në vizitën 2-ditore

Presidenti Bajram Begaj do të zhvillojë një vizitë pune në qarkun e Kukësit, ku do të takohet me përfaqësues të autoriteteve lokale, komunitetit dhe biznesit në qytetin e Kukësit, në Has si dhe Bajram Curri.

Gjatë ditës së martë, Kreu i Shtetit do të mirëpritet nga Kryetari i Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici si dhe prefekti i Qarkut Kukës, Ali Hallaci. Presidenti Begaj do të zhvillojë një vizitë te Kulla e Qëndresës, simbol i solidaritetit dhe mikpritjes për qindra mijëra shqiptarë të Kosovës që u larguan nga toka e tyre gjatë luftës së vitit 1999.

Ai do të zhvillojë një vizitë edhe në RTV Kukësi. Më tej gjatë pasdites, Begaj do të takohet edhe me kryetarin e Bashkisë së Hasit, Liman Morina.

Gjatë datës 9 nëntor, Presidenti Begaj do të zhvillojë një takim me Kryetarin e Bashkisë së Tropojës, Rexhë Byberi si dhe do të vizitojë gjimnazin, i shoqëruar nga Zonja e Parë Armanda Begaj.

Presidenti do të takohet edhe me përfaqësues të biznesit në Kukës dhe Tropojë, si dhe do të vizitojë luginën e Valbonës, një nga perlat e natyrës shqiptare që po tërheq gjithnjë e më shumë turistë shqiptarë dhe të huaj.

SHKARKO APP