Presidenti Begaj pret senatorët amerikanë, Chris Murphy dhe Gary Peters

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot senatorët amerikanë, Chris Murphy dhe Gary Peters, të cilët po vizitojnë Shqipërinë në kuadër të një turi rajonal. Ata shoqëroheshin në këtë takim nga Ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim.

Presidenti Begaj përshëndeti vizitën e dy senatorëve amerikanë dhe vlerësoi vëmendjen dhe interesin në rritje të Kongresit amerikan për zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Vizitat e shumta kohët e fundit, jo vetëm nga zyrtarë të administratës amerikane të ngarkuar me Ballkanin Perëndimor, por edhe të përfaqësuesve të dy dhomave të Kongresit, janë shprehja më e mirë e kësaj vëmendje në rritje.

Presidenti Begaj, vlerësoi gjithashtu, marrëdhëniet e shkëlqyera me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe nënvizoi, se për Shqipërinë e shqiptarët, Shtetet e Bashkuara mbeten partneri kryesor strategjik dhe miku e aleati më i madh i tyre.

Kreu i Shtetit, përshëndeti bashkëpunimin shumë të mirë që dy vendet kanë pasur, veçanërisht gjatë dy viteve të fundit në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku kanë ndërmarrë iniciativa të përbashkëta për të dënuar agresionin e paprovokuar e të pajustifikuar ushtarak rus në Ukraninë, përmes rezolutave të ndryshme.

Në këtë kuadër, Presidenti Begaj, u ndal edhe tek sfidat e reja me të cilat po ballafaqohet rajoni i Ballkanit Perëndimor, si dhe rritjen e aktivitetit kërcënues nga aktorë të tretë dashakeqës ndaj zhvillimeve euroatlantike në rajon.

Presidenti Begaj shprehu mirënjohjen gjithashtu edhe për bashkëpunimin dhe mbështetjen që agjencitë e specializuara amerikane po japin për përballimin e sulmeve kibernetike, që kanë si synim kryesor dëmtimin e infrastrukturës dixhitale të shtetit shqiptar.

Ndërsa, duke iu referuar dialogut Kosovë-Serbi, Presidenti Begaj, nënvizoi nevojën e përkthimit të dakordësimit publik të Ohrit mes palëve në një marrëveshje të detyrueshme ligjore e të njohur ndërkombëtarisht. Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, me në qendër njohjen reciproke do të kishte një ndikim shumë pozitiv për sigurinë dhe progresin e rajonit të Ballkanie Perëndimor, nënvizoi Presidenti Begaj.

SHKARKO APP