Presidenti i BE: Fituesi nuk i merr te gjitha !

Fjala e Presidentit të KE, Donald Tusk, në konferencën e përbashkët me Kryeministrin Rama:

Ishte kënaqësi të prisja sot në takim Kryeministrin e Shqipërisë, z. Edi Rama.

Më lejoni ta filloj duke thënë se zgjerimi mbetet një prioritet i madh për Bashkimin Europian dhe për mua personalisht.

Gjithsesi, ashtu sikurse sapo i thashë edhe Kryeministrit Rama, çdo hap i ri përgjatë kësaj rruge do të sjellë përgjegjësi të reja e një punë gjithnjë e më të madhe. Megjithatë, ju, ashtu si edhe unë, e dimë se është shumë më mirë kështu.

Shqipëria është tashmë kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian, ndaj dhe shpresojmë e presim që ajo të intensifikojë përpjekjet e saj për reforma. Fokusi duhet të jetë mbi përparësitë e identifikuara dhjetorin e kaluar. Kjo do të vendosë baza të forta dhe do të bëjë të mundur që të ndërmerren hapa të tjera drejt pranimit. Shumë është arritur deri tani, përfshi luftën kundër krimeve të drogës.

Gjithsesi, ajo çka pritet dhe është e nevojshme të bëhet është zbatimi në të gjitha fushat. Në takimin tonë, unë i shpreha Kryeministrit Rama vlerësimin për rolin pozitiv që vendi po luan në Ballkanin Perëndimor. Angazhimi i tij për një politikë me zero probleme me fqinjët është konstruktiv dhe shembullor.

Më tej, kryesimit i Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore është një tjetër mundësi që Shqipëria të tregojë veten si një shembull tipik të fqinjit të mirë. Po kështu, përfitoj nga ky rast për të lavdëruar Shqipërinë për rreshtimin e saj 100% përkrah politikës së jashtme të BE-së. Kjo ka një rëndësi domethënëse për procesin e zgjerimit, që është edhe më e madhe tani, sidomos duke pasur parasysh situatën në Ukrainë dhe sfida të tjera të përbashkëta.

Në fund, folëm për nevojën që dialogu i brendshëm në Shqipëri të rritet dhe përmirësohet. Politika e kundërvënies, bojkotet dhe qëndrimi që “fituesi i merr te gjitha” nuk do t’i ndihmojnë qytetarët shqiptarë. Për t’u bërë një vend modern europian, Shqipërisë i duhet të ndërtojë një dialog politik bazuar mbi kulturën e kompromisit. Një gjë e tillë krijon hapësirën optimale për të realizuar reforma politike të vështira, por shumë të nevojshme. Kjo ka rëndësi të posaçme edhe në kuadrin e zgjedhjeve të ardhshme vendore. Shqipëria duhet të jetë po aq konstruktive dhe e arsyeshme në politiken e brendshme sa është në rajon.

Ju faleminderit shumë!

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në konferencën për shtyp pas takimit me Presidentin e KE, Donald Tusk:

Faleminderit Z. President për pritjen tuaj mjaft të ngrohtë!

Më lejoni t‘ju them që, sot, për ne, ishte një ditë shumë e mirë dhe do të kthehemi në Shqipëri me shumë energji, falë inkurajimit që morëm nga takimi i mëngjesit me Presidentin e Komisionit dhe nga ky takim me ju. Jemi veçanërisht mirënjohës për mbështetjen konstante që Presidenti Tusk tregon ndaj procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Sigurisht, ne patëm mundësi të diskutonim rreth programit të zgjerimit të BE-së, si një projekt qoftë gjeostrategjik, ashtu edhe politik, një projekt që qëndron në thelb të politikës së brendshme e të jashtme shqiptare.

Gjithashtu, ne shkëmbyem pikëpamjet tona lidhur me zhvillimet e fundit në rajonet fqinje të BE-së, në lindje, Ukrainë dhe në jug, në Lindjen e Mesme dhe në Mesdheun Jugor.

Në kuadrin e kryesisë shqiptare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, e informova Presidentin Tusk lidhur me prirjet e fundit të sigurisë, energjisë dhe bashkëpunimit në rajonin tonë. Ekziston rreziku që Ballkani Perëndimor të mbetet në vend, kur bëhet fjalë për standardet demokratike dhe sigurinë në një mjedis te ri plot sfida, në të cilin vendet e rajonit duhet të bëjnë përpjekje të konsiderueshme për t’u përballur me kërcënimet ndërkombëtare dhe ky rrezik është terrorizmi. Me fjalë të tjera, ka një rrezik gjithnjë e në rritje që Ballkani Perëndimor të mbetet në periferinë e periferisë së Evropës, sidomos sa u përket hendeqeve ekonomike dhe kjo është diçka që ne duam ta evitojmë me çdo kusht. Ballkani Perëndimor ka potencialin për të qenë një histori suksesi e BE-së. Suksesi i programit të Evropës për demokratizim dhe stabilizim varet nga besueshmëria dhe suksesi i politikës së zgjerimit në Ballkan.

Në situatën e re të sigurisë, stabiliteti në Ballkan merr gjithnjë e më shumë rëndësi. Perspektiva evropiane është vendimtare për ta mbajtur rajonin tonë në rrugën e paqes dhe bashkëpunimit. Shqipëria ka qenë dhe do të jetë e palëkundur në ruajtjen e pozicioneve të saj në një linjë me BE-në. Kjo dëshmon se bashkëndajmë vlerat mbi të cilat është ndërtuar siguria e Evropës dhe se duam t’i përfaqësojmë ato në çdo situatë, qoftë kjo normale apo veçanërisht e vështirë. Pjesë e diskutimit tonë të sotëm u përqendrua në mënyrën sesi BE-ja mund të rrisë më tej përpjekjet për të ndihmuar Ballkanin Perëndimor, që ai të bëhet një rajon i mirëfilltë në kuptimin ekonomik.

Në këtë kontekst, ne besojmë se procesi i Berlinit është një shans për t’i dhënë energji të reja procesit të anëtarësimit dhe për ta ndihmuar të mbetet një instrument për shndërrimin e rajonit në një hapësire demokratike, të begatë dhe plot gjallëri. Për të ruajtur momentin e krijuar nga Konferenca e Berlinit, jemi përqendruar në ndjekjen dhe zbatimin konkret të vendimeve të marra në Konferencën e Berlinit, nëpërmjet projekteve rajonale bashkërisht të identifikuara, që nxisin zhvillimin, konkurrueshmërinë dhe punësimin në rajonin tonë. Ne duam të sigurohemi që konferenca e ardhshme për Ballkanin Perëndimor, që do të mbahet në gusht në Vjenë, do të jetë një gur themeli për përcaktimin e projekteve rajonale.

Duke përfunduar, dua të falënderoj sërish Presidentin për kohën e vyer që na kushtoi dhe të theksoj se, sot, Evropa ka nevojë për Ballkanin, po aq sa Ballkani ka nevojë për Evropën.

 

Ju faleminderit, Z. President!

Kryeministri Rama zhvilloi një takim me Presidentin e Këshillit Europian, Donald Tusk.

Marrëdhënia e Shqipërisë me BE dhe procesi i zgjerimit ishin në qendër të takimit. Presidenti Tusk u shpreh se BE mbetet e angazhuar në politikën e saj të zgjerimit.

Ai vlerësoi arritjet e Shqipërisë, si dhe inkurajoi përpjekjet për përmbushjen e prioriteteve të integrimit dhe të reformave në Shqipëri.Presidenti Tusk lavdëroi qëndrimin e Shqipërisë krah politikës së jashtme të BE dhe rolin e Shqipërisë në rajon.

Kryeministri Rama theksoi se integrimi europian qëndron krye të axhendës së qeverisë shqiptare.Kryeministri siguroi për qëndrimin e palëkundur të Shqipërisë në një linjë me BE-në.

SHKARKO APP