Presidenti dekreton rektorët e universiteteve publike: Arsimi i lartë të jetë sa më larg ndikimeve të politikës

Presidenti i Republikës, Ilir Meta u dorëzoi sot dekretet e emërimit  rektorëve të universiteteve publike, të shpallur fitues nga zgjedhjet e 30 korrikut.

Sot në Presidencë u organizua ceremonia e posaçme, ku 12 rektorë, morën zyrtarisht detyrën. Rektorët e rinj, do të drejtojnë për katër vitet e ardhshme institucionet publike të arsimit të lartë në vend.

Rektorët fitues në zgjedhjet e fundit universitare të cilët kanë marrë sot zyrtarisht detyrën pas dekreteve të emërimit të Presidentit janë:

Universiteti i Tiranës                                       – Artan Hoxha

Universiteti i Mjekësisë, Tiranë                      – Arben Gjata

Universiteti Politeknik i Tiranës                     – Andrea Maliqari

Universiteti Bujqësor i Tiranës                       – Fatbardh Sallaku

Universiteti i Sporteve të Tiranës                   – Agron Kasa

Universiteti i Arteve                                       – Kastriot Çaushi

Universiteti “Aleksandër Moisiu”, Durrës     – Kseanela Sotirofski

Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan – Skënder Topi

Universiteti Fan.S. Noli, Korçë                      – Dhimitri Bello

Universiteti “Luigj Gurakuqi”, Shkodër        – Suzana Golemi        

Universiteti Ismail Qemali, Vlorë                  – Roland Zisi

Universiteti “Eqrem Çabej”, Gjirokastër        – Bektash Mema

Presidenti Meta gjatë fjalës së tij u shpreh se përzgjedhja e rektorëve erdhi nëpërmjet një procesi jo të lehtë, veçanërisht prej situatës së pazakonshme të pandemisë, të papriturave dhe përpjekjeve për t’u përshtatur me masa të cilat shpesh edhe u kontestuan.

Kreu i shtetit, bëri të ditur se, “Shqipëria ka sot më shumë se kurrë nevojë për shpresë! Edukimi i mirë i rinisë është shpresa e madhe e vendit tonë.  Duhet ndalur largimi i trurit dhe i forcave të reja dhe më krijuese të shoqërisë. Largimi i rinisë dhe mbyllja e shumë degëve të studimit në universitetet në mbarë vendin është një plagë shumë e madhe! U duhet ofruar të rinjve tanë më shumë shpresë e alternativa edukimi dhe pune. Shqipëria ka nevojë për “brain gain” dhe jo “brain drain”

Presidenti Meta theksoi se: “Njëkohësisht tërheq vëmendjen tuaj dhe kërkoj angazhimin dhe vendosmërinë tuaj të plotë për forcimin e autoritetit të Institucioneve të Arsimit të Lartë dhe veçanërisht autonominë e universiteteve, duke i mbajtur ato sa më larg politikës dhe ndikimeve dhe qëllimeve të saj.

Liria akademike, autonomia financiare dhe organizative në përputhje me legjislacionin në fuqi janë të rëndësishme për Institucionet e arsimit të lartë në vendin tonë dhe vendosmëria e përkushtimi juaj për t’i mbrojtur ato duhet të jetë parimor dhe i pa kompromis”.

SHKARKO APP