Presidenti Nishani vlerëson Imzot Prend Doçin, Abatin e Mirditës (Pas vdekjes) me Dekoratën “Nderi i Kombit”

 

Presidenti i Republikës Bujar Nishani vlerësoi gjatë një ceremonie të zhvilluar sot në shkollën e mesme profesionale “Shën Jozefi Punëtor” të qytetit të Rrëshenit, Imzot Prend Doçin, Abatin e Mirditës (Pas vdekjes)  me Dekoratën “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi dhe nderimi shtetëror për veprimtarinë e tij të shquar e të patjetërsueshme patriotike, fetare dhe politike në shërbim të misionit kombëtar dhe përhapjes së dijes e kulturës.”.

Dekorata iu dorëzua Ipeshkvit Kristoforo Palmieri të Dioqezës së Rrëshenit në prani të Imzot Rrok Mirditës, Imzot Masafrës, Vikarit të përgjithshëm të Dioqezës, Don Xhanfranko Kadeneli, kryetarit të Bashkisë së qytetit, Ndue Gega, përfaqësuesve të pushtetit qendror dhe vendor, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, autoriteteve të besimit fetar si dhe mësuesve dhe studentëve të Shkollës “Shën Jozefi Punëtor”.

Vizita e Presidentit Nishani në Rrëshen nisi me një takim të shkurtër  me mësues dhe nxënës në laboratorin e elektroteknikës të Shkollës së mesme profesionale “Shën Jozefi Punëtor” të qytetit.

Një mikpritje siç e do zakoni me bukë, kripë e zemër ishte rezervuar për Kreun e Shtetit në hollin e shkollës ku ishte hapur edhe një ekspozitë, për të vijuar më pas me ceremoninë e dekorimit dhe në fund të saj, një koncert muzikor nga grupi i fëmijëve valltarë të zonës. Presidenti Nishani zhvilloi edhe një vizitë në Katedralen e qytetit, gjatë së cilës iu dhurua nga Ipeshkvi Palmieri një ikonë dhe një libër rreth historisë së  saj.

Fjala e Presidentit të Republikës  Bujar Nishani në ceremoninë e dekorimit të Abatit Prend Doçi në Shkollën Profesionale “Shën Jozefi Punëtor”:

I dashur Vikar i Përgjithshëm i Dioqezës Rrëshen, Don Xhanfranko Kadeneli,

I dashur Ipeshkv, mik jo vetëm i kësaj treve, por i gjithë shqiptarëve, Monsinjor Kristoforo Palmieri,

Të nderuar Imzot Rrok Mirdita dhe Imzot Masafra,

I nderuar Kryetar i Bashkisë, Ndue Gega,

Të nderuar drejtues, përfaqësues të pushtetit vendor,

Të nderuar deputetë,

Të nderuara autoritete të besimit fetar,

Të dashur nxënës dhe mësues të Shkollës “Shën Jozefi Punëtor”!

Fjalën time sot dëshiroj ta filloj me një falënderim të veçantë për Vikarin e Përgjithshëm të Dioqezës Rrëshen, Don Xhanfranko Kadeneli për ftesën e dërguar në adresë të Presidentit të Republikës për të vizituar Shkollën Profesionale “Shën Jozefi Punëtor”. Ju faleminderit Don Kadeneli për ftesën vëllazërore, respektin e veçantë të treguar përmes kësaj ftese ndaj Institucionit të Presidentit të Republikës dhe ndaj meje personalisht!

Ndihem njëkohësisht shumë i nderuar që vizitoj Mirditën, e cila ruan dhe përcjell në mbarë vendin shumë histori, ngjarje dhe fakte mbi identitetin tonë kombëtar, mbi njerëzit e shquar të kësaj zone, mbi vuajtjet dhe sakrificat ndër shekuj si dhe mbi potencialet e mëdha dhe zhvillimore që ka kjo trevë. Mendoj se nuk e teproj kur them se me Mirditën është i lidhur çdo shqiptar, sepse kjo është një trevë pa të cilën historia e Shqipërisë do të ishte e mangët, një zonë në të cilën vlerat e lirisë e të qëndresës janë shpalosur fuqimisht ndër shekuj.

Kjo është një krahinë e njohur në mendimin shqiptar për mençurinë dhe diturinë e saj, për burrat trima dhe patriotë që ajo i ka dhënë në histori kombit shqiptar! Burrat e mëdhenj të Mirditës në prag të shpalljes së pavarësisë e orientuan revoltën dhe kryengritjen popullore drejt Mëvetësisë së Kombit përmes grykës së pushkës, duke shkruar faqe të lavdishme në historinë tonë kombëtare. Ndaj, i gjithë kombi krenohet me patriotët e kësaj krahine duke filluar që nga bajraktarët e Mirditës, derën kapidanore dhe prijësit e tyre shpirtërorë! Nuk është e rastit që Ismail Qemali i quante malësorët: katolikë trima që nuk luftojnë për gja tjetër, veç për pavarësinë kombëtare!

Modeli vetëqeverisës i Mirditës përmes kuvendeve dhe derës princërore që e udhëhoqën këtë krahinë me urti dhe me sjellje burrërore e guxim të madh, duke punuar me përkushtim për bashkimin, vëllazërimin dhe bashkëpunimin mes familjeve, për nxitjen dhe përkrahjen e idealeve kombëtare, duke luftuar kundër pushtuesve të huaj, mbetet aktual edhe për ditët e sotme. Sot këtu, është momenti të kujtojmë Princ Lek Zaharian, Princin e Danjës, Pjetër Budin, Imzot Frang Bardhin, Imzot Lazër Mjedën, At Gjergj Fishtën, At Shtjefën Gjeçovin dhe shumë figura të tjera që papushim punuan, sakrifikuan edhe jetën e tyre e u vunë në shërbim të interesave madhore të vendit, të besimit fetar dhe identitetit tonë kombëtar.

Të dashur motra dhe vëllezër,

Nё Mirditё besimi katolik ka qenë një faktor i rёndёsishёm nё unifikimin e malësorёve pёr ruajtjen e lirisё dhe identitetit kombёtar. Feja dhe Atdheu ka qenë gjithnjë njё binom i pandarё! Priftёrinjtё katolikё tё Mirditёs, nuk kanё qenё vetëm shёrbyes tё Zotit nё kishё, por, mbi tё gjitha, u pёrpoqёn pёr dije, shkollim, ngritёn kushtrime pёr lirinё e atdheut dhe organizuan popullin nё përpjekjet pёr liri. Jo më kot Faik Konica i çmonte priftёrinjtё katolikё shqiptarë tё Veriut qё predikonin shqip dhe fenё njerёzve ua mёsonin nё shqip. Shumё mёsues tё shkollave shqipe tё krahinёs ishin priftёrinj. Ata çonin pёrpara traditёn e shquar  qё e kishte zanafillёn me Gjon Gazulin, Pal Engjёllin, Gjon Buzukun, Pjetёr Bogdanin e shumë klerikë dhe atdhetarë të tjerë.

Në këto ngjarje historike bën pjesë edhe figura e prelatit të lartë të kishës katolike, Abatit të Mirditës, Imzot Prend Doçit, i cili gjatë drejtimit apostolik shpirtëror në famullitë e tij në Mirditë dhe me gjerë tregoi pjekuri dhe aftësi për të ruajtur e bashkuar të gjithë besimtarët shqiptarë. Është i njohur përkushtimi i tij ndaj idealeve “Fe e Atdhe”, “me ndjekë virtyt e dituni”, me vu në jetë ligjin e dashunisë: “Duenje njeni-tjetrin”!

Duke perifrazuar citime nga botime të dala vitet e fundit për Abat Doçin si një predikues në tre kontinente: Evropë, Azi dhe Amerikë, për Prend Doçin nuk kishte asnjë mision të pamundur, sado i vështirë të ishte, mision apostolik apo kulturologjik, në Kanada apo në Indi, në Shkodër apo në Mirditë, në luftë apo në paqe, prift i thjeshtë apo ordinar kishe.

Abati i Mirditës meriton mirënjohjen dhe respektin e mbarë popullit shqiptar për kontributet e pamata të tij, për punën prej titani që ai bëri në rimëkëmbjen e Abacisë së Mirditës, duke e “dlirë dioqezën prej vesit“, një punë që rrallëkush në Evropën e asaj kohe do të mund ta bënte. Para veprës së tij misionare ishte gjithnjë e vëmendshme Selia e Shenjtë, para figurës së tij përkulej çdo personalitet i kohës!

Abat Doçit, me Shoqërinë “Bashkimi” që ai krijoi në Shkodër, i jemi mirënjohës jo vetëm për një larmi veprash në fushën e gjuhës, letërsisë, historisë e fusha të tjera, por edhe për faktin se arriti të bashkonte në një drejtim energjitë krijuese të intelektualëve të kohës, diti t’u jepte mësimin e madh bashkëkombasve se bashkimi ishte çelësi i suksesit të së ardhmes në politikë, qeverisje e kudo.

Ishte pikërisht ky botëkuptim, kjo përqasje dhe angazhim i Abat Doçit që e shndërroi Fishtën menjëherë në bashkëpunëtor të ngushtë të këtij personaliteti të shndritshëm të kohës. Janë të shumta dëshmitë dhe vlerësimet e mjaft personaliteteve të kohës, qofshin vendase apo të huaja në nderim dhe respekt të Abat Doçit, kur u largua nga jeta, por këtu dëshiroj të përmend shprehjen e Fishtës së madh: “I la nder vedit e nam kombit!”.

Të nderuar pjesëmarrës,

Ka ndodhur shpesh në historinë tonë të largët dhe të afërt që figurat kombëtare, me jetën e ndërthurur me politikën të mos vlerësohen, të harrohen dhe paragjykohen. Por, besoj se në këtë ditë të sotme, Abat Doçi, kjo figurë shumëdimensionale, burrë trim, ky kalorës i besimit fetar, Abati i ditun dhe i shëtitun, personifikim i gjuhës së mirëkuptimit dhe vllaznimit, merr në mënyrë të merituar vëmendjen shtetërore. Ndaj, sot dëshiroj të shpreh falënderimet e mia dhe të Institucionit që përfaqësoj ndaj Dioqezës Rrëshen, Monsinjor Palmierit, si dhe shumë miqve dhe dashamirësve që sollën në vëmendjen e Kreut të Shtetit një figurë kaq të ndritur që sot e kujtojmë dhe e nderojmë të gjithë së bashku!

Zonja dhe Zotërinj,

Kjo figurë unikale e shërbesës kishtare dhe atdhetare ka ndikuar dhe në kontributin e vyer të Kishës së Mirditës në ditët e sotme, pas viteve të errëta të komunizmit ateist, atij sistemi gjakatar që ndoqi, burgosi dhe vrau shumë klerikë, veçanërisht katolikë, por edhe të besimeve të tjera fetare. Tashmë, 25 vite pas rënies së atij sistemi gjakatar, jemi mirënjohës për faktin se vuajtjet e këtyre martirëve nuk shkuan kot, sepse gëzojmë të drejtën e besimit, dashurisë dhe përkuljes ndaj Zotit dhe njëri-tjetrit. Sepse sot me të drejtë, krenohemi se harmonia dhe toleranca fetare, është një vlerë e shtuar që populli shqiptar përcjell në familjen e madhe evropiane dhe më gjerë.

Këto arritje padyshim nuk do të ishin të mundura pa kontributin individual të gjithsecilit dhe tërësor, si bashkësi komunitare. Jam i sigurt se me këto fjalë të miat bashkoheni dhe ju të gjithë, dhe shumë të tjerë që sot nuk janë mes nesh. Kur themi faleminderit shprehim mirënjohjen tonë ndaj Dioqezës Rrëshen, Don Kadenelit, Imzot Masafras, Imzot Rrok Mirditës dhe shumë klerikëve të tjerë, këtyre shërbyesve të palodhur të Zotit, njerëz të thjeshtë dhe të dashur që prej vitesh kanë kontribuar dhe jetojnë me dhe për njerëzit e kësaj zone dhe mbarë Shqipërisë!

Është po ashtu kënaqësi të shpreh respektin dhe mirënjohjen tonë ndaj Monsinjor Kristoforo Palmierit, për ta falënderuar për të gjithë kontributin, punën dhe shërbimin që ky personalitet kaq i veçantë i besimit fetar, por edhe shqiptar në shpirt e në zemër ka dhënë gjatë këtyre 22 viteve të shërbimit në këtë zonë të Shqipërisë. Kjo ndërtesë ku jemi sot, është pikërisht një dëshmi e gjallë e kontributit të paçmuar të besimit fetar i cili kultivon tek rinia e sotme vlerat dhe parimet e shëndosha të edukimit, shoqërisë, familjes dhe fesë. Familjet e Mirditës dhe më tej, në zonat përreth, nga Puka, Mati, fshatra të Lezhës e Kurbinit, me qindra studentë kanë zgjedhur dhe zgjedhin çdo vit e më të shumtë në numër këtë realitet shkollor. Ky projekt i kësaj shkolle paraqitet si një ofertë ndaj të rinjve dhe si një frenim i emigrimit të dhimbshëm të tyre, duke iu ofruar një formim profesional me elementët teorikë dhe praktikë për një hyrje të mundshme dhe të shpejtë në tregun e punës.

Shkolla profesionale “Shën Jozefi Punëtor” dhe misionarët që ndihmojnë atë, si Renovabis në Gjermani, meritojnë respektin tonë dhe për një aspekt krejt të veçantë human, pasi këtu nxënësit vijnë përgjithësisht nga familje me vështirësi ekonomike, në mes tyre edhe nxënës me aftësi të kufizuara si dhe me probleme sociale siç është gjakmarrja, duke iu siguruar zhvillimin e aktivitetit mësimor në formë të plotë.

Në këtë kontekst, në cilësinë e Presidentit të Republikës dëshiroj të bëj një thirrje për vëmendje dhe angazhim të veçantë të autoriteteve shtetërore, donatorëve të ndryshëm për të mbështetur me të gjitha mjetet logjistike dhe financiare këtë projekt si një mundësi e shkëlqyer zhvillimi dhe prosperiteti i kësaj zone. Njëkohësisht dua t’ju garantoj se zyra e Presidentit të Republikës është dhe do të vijojë të mbetet një derë e hapur komunikimi dhe bashkëpunimi për çdo shqetësim apo projekt në interes të zhvillimit dhe begatisë të kësaj zone.

Motra dhe vëllezër,

Duke përfunduar, duke qenë se tashmë jemi edhe në Javën e Pashkës, shfrytëzoj këtë rast për të përcjellë paraprakisht urimet më të mira për gjithë zonën e Mirditës, për të gjithë ju të pranishmit në këtë sallë dhe të dashurit tuaj me përcjelljen e lutjeve të përshpirta dhe mesazhit human për ta drejtuar vëmendjen dhe tek ata që nuk kanë, ashtu siç Jezu Krishti u kryqëzua dhe vuajti ekstremisht për të mirën e njerëzimit. Për këtë kauzë humane e flijuan jetën e tyre me shërbesa hyjnore dhe Prelatët e famshëm të Mirditës, të cilët meritojnë veneracion të lartë nga mirditorët e sotëm dhe gjithë shqiptarët.

Edhe njëherë, urimet më të mira për harmoninë, për respektin, për besimin që keni krijuar në të gjithë zonën tuaj duke i uruar secilit prej jush, çdo familjeje, në çdo vatër tuajën, mirësi, shëndet dhe mbarësi, ju uroj çdo ditë më të bukur dhe më të paqtë! Ju faleminderit!”

SHKARKO APP