VOA: Presidenti rus shpall gjendje lufte në Rajonet e aneksuara

Nga “Zëri i Amerikës”-

Presidenti rus Vladimir Putin tha sot se po shpallte gjendjen e jashtëzakonshme në katër rajonet ukrainase që muajin e kaluar Moska i shpalli si territore të saj.

Duke iu drejtuar anëtarëve të Këshillit të tij të Sigurisë, presidenti rus udhëzoi gjithashtu qeverinë të ngrejë një këshill të posaçëm koordinues nën kryeministrin Mikhail Mishustin për të punuar me rajonet e Rusisë për të forcuar përpjekjet e Moskës në luftën që po zhvillon në Ukrainë.

Këto vendime janë përshkallëzimi i fundit i luftës që nisi para tetë muajsh nga presidenti Putin për t’iu kundërvënë humbjeve të mëdha në betejë nga kundërofensiva e forcave ukrainase.

Vendimi për gjendjen e jashtëzakonshme u bë të njëjtën ditë kur zyrtarët e vendosur nga Rusia në rajonin e Khersonit, një nga katër rajonet e aneksuara, u thanë civilëve që të largoheshin nga disa zona sa më shpejt të ishte e mundur në pritje të një sulmi të afërt ukrainas.

Presidenti rus tha se masat që ai po urdhëronte do të rrisnin stabilitetin ekonomik, atë të industrisë dhe prodhimit në mbështetje të asaj që Rusia e quan “operacion special ushtarak” në Ukrainë.

“Ne po punojmë në zgjidhjen e detyrave shumë komplekse, në shkallë të gjerë për të siguruar një të ardhme të mirë për Rusinë dhe të ardhmen e popullit tonë”, tha ai.

Ndërkohë sulmet ruse ndaj infrastrukturës energjetike ukrainase kanë lënë pa energji shumë fshatra, qytete dhe disa pjesë të dy qyteteve të Ukrainës.

Bombardimet gjatë natës kanë shkaktuar probleme shtesë duke rritur rrezikun për miliona njerëz për dimrin që po afrohet.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy u bëri thirrje përsëri ukrainasve të kursejnë energjinë. Ai foli pak para se Rusia të sulmonte sërish nënstacionet elektrike dhe infrastrukturat e tjera. Po bëhen gati dy javë që Rusia po kryen sulme ajrore ndaj infrastrukturës kritike të Ukrainës ndërsa forcat ukrainase po përparojnë në fushëbetejë.

Komandanti i ri i forcave ruse që po kryejnë sulmin në Ukrainë, gjenerali Sergei Surovikin, e përshkroi të martën situatën për forcat ruse në rajonin e Khersonit si “shumë të vështirë”. Kjo është një nga rastet e rralla që zyrtarë rus e pranojnë publikisht presionin që trupat ukrainase po ushtrojnë në terren.

SHKARKO APP