Prifti i dhunuar: Rashë pa ndjenja, jam i indinjuar me policinë
Përfaqësuesi i Kishës Ortodokse në Lezhë, Koço Kapedani, i cili u dhunua disa ditë më parë, ka folur për mediat, ndërsa ka treguar gjithë ngjarjen.
Kapedani tregon se ishte një punonjës i një firme që po ndërton një rrugë në lagjen ‘Gurra’ të qytetit të Lezhës, ai i cili e ka goditur duke i lënë shenja të dukshme në syrin e djathte.
Kapedani ngre akuza edhe ndaj policisë, pasi sipas tij ka qene kjo e fundit që e ka shtyre që ta fali dhunuesin e tije.
“Isha në shtëpi. Kishte ardhur fadroma dhe unë zbrita poshtë. I thashë mos i bini fort se më dëmtohen muret. Ky punëtori, kishte lopatën në dorë, kurse unë kisha shkopin që zbrisja nga shkallët. Ai ma mori nga dora dhe më goditi. Rashë pa ndjenja, të them të drejtën. M’u bë syri xixa-xixa. Erdhi pastaj policia dhe më pas na shoqëruan në polici. Policia nuk mbajti qëndrim korrekt. Jam i indinjuar. Mua më thanë; fale! Unë e fala. I thashë mos më gjykoni mua, se jam 80 vjeç. I gjithë opinioni në Lezhë është me mua”, tha Kapedani.
E gjithë ngjarja ndodhi për shkak se Kapedani i ka kërkuar punonjësve që të mos gërmojnë pranë banesës së tij pasi po i dëmtoheshin muret. Kaq ka mjaftuar që punëtori i firmës ndërtuese në Lezhë ta godasë me një shkop në kokë, duke i shkaktuar plagë. Nga ana e policisë ende nuk ka një njoftim për ngjarjen, edhe pse kjo ka 4 ditë që ka ndodhur.
Ngjarja u bë publike nga kreu i FRPD-së në Lezhë, Albert Loçi, i cili ngre akuza për heshtjen e institucioneve.