Pritet të merren në pyetje Doshi e Frroku, reagojnë avokatët: Arrestimi i turpshëm!

Dy prokurorët e Krimeve të Rënda, kanë mbërritur në Policinë e Tiranës dhe janë në pritje të marrin në pyetje dy deputetët e arrestuar prej ditës së djeshme, Tom Doshi dhe Mark Frroku. Prokurorët Adnan Xholi dhe Altin Binaj pritet të marrin në pyetje dy deputetët, në prezencë edhe të avokatëve të tyre. Paraditen e sotme, në Policinë Tiranë mbërritën edhe dy oficerët gjyqësorë Joni Keta dhe Ervin Braha, me të njëjtin qëllim, për të marrë në pyetje dy deputetët. Pas vendimit të Kuvendit të Shqipërisë, Tom Doshi e Mark Frroku e kaluan natën mes 26 dhe 27 marsit, në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, pasi nga uniformat blu u zbatuar urdhri i Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla, i cili firmosi ndalimet e tyre,  vetëm 3 orë pasi Kuvendi i dha autorizimin prokurorisë.

Reagimi i avokatëve Visha e Gjokutaj: E turpshme, do t’i drejtohemi gjykatës Kushtetuese

Avokatët e deputetit Mark Frroku deklaruan paraditen e sotme se ndalimi i klientit të tyre është i paligjshëm dhe se është e turpshme që Prokuroria e urdhëroi këtë ndalim.  Deklarata e tyre u lëshua në momentin kur  dolën nga Drejtoria e Policisë së Tiranës. Avokatët Sajmir Visha dhe Genc Gjokutaj thanë se “prokurori ka urdhëruar ndalimin, por nuk ka akuzë, pasi çështja është ende nën hetim. Është nga ato akuza që arresti as aplikohet dhe as parashikohet nga ligji”, theksoi avokati Gjokutaj. Më tej avokatët shpjeguan se në lidhje me vendimin e Parlamentit për të lejuar arrestimin e deputetëve Doshi dhe Frroku ata do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese. – “Është një betejë mes Prokurorisë dhe gjykatës, jo mes nesh dhe Prokurorisë”, – theksuan ata. Pas arrestimit, ata kanë ankimuar në Gjykatën e Lartë, por siç pretendojnë do të kërkojnë edhe në instanca të tjera më të larta lirimin e tyre të menjëhershëm.

SHKARKO APP