Programi ”EU4Schools”, çel dyert çerdhja dhe kopshti “Bleta Punëtore” në Rubik
Edhe Bashkia Mirditë është një prej 11 bashkive të prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit, 2019-të, e cila është në fokus të Programit “EU4Schools”/”BE për Shkollat”. Përmes një publikimi në rrjetin e saj social, Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP Albania) njofton se Kopshti “Bleta Punëtore” në Rubik, Mirditë është rindërtuar së fundmi dhe ka çelur dyert e tij.
“Edhe Kopshti “Bleta Punëtore” Rubik, Mirditë, i cili përfshin gjithashtu të vetmen çerdhe në këtë komunitet, ka çelur kohët e fundit dyert pas rindërtimit nga e para falë Programit “EU4Schools” me mjedise dinjitoze dhe bashkëkohore të standardeve më të larta evropiane! 62 fëmijë, 6 edukatore dhe 4,800 banorë të komunitetit janë përfituesit e drejtpërdrejtë të këtij investimi madhor për të ardhmen!” – shprehet UNDP Albania.
I rindërtuar sipas parimeve bazë të “Rindërtojmë Më Mirë” dhe “Rindërtojmë së Bashku”, në këtë objekt arsimor janë realizuar: termoizolim i fasadës; strukturë betoni e armuar; vendosje e dyerve, dritareve, dyshemeve; instalime që përfshijnë sistemin HVAC, sistemin e mbrojtjes nga zjarri; instalime hidrosanitare për furnizimin me ujë dhe kanalizime; CCTV, IT, rrjetëzim, instalime elektrike; kënd lojërash etj.
“EU4Schools” financohet nga Bashkimi Evropian me 75 milion Euro dhe zbatohet nga UNDP Albania, duke synuar rindërtimin apo riparimin e 60+ objekteve arsimore me 25,000 nxënës, fëmijë e mësues përfitues në total. Deri tani në kontekstin e “EU4Schools” kanë përfunduar 40 objekte arsimore, ndërsa 15 të tjera janë aktualisht në proces rindërtimi/riparimi.