Programi i Bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Këshillit të Evropës

 

Sot, gjatë një aktiviteti të organizuar në ambientet e Ministrisë së Punëve të Jashtme, u prezantua Programi i Bashkëpunimit mes Republikës së Shqipërisë dhe  Këshillit të Evropës për vitet 2015-2017. Në aktivitet merrnin pjesë Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme Odeta Barbullushi dhe Drejtoresha e Përgjithshme e Zyrës së Programeve të Këshillit të Evropës,  znj. Verena Taylor.

Dokumenti i Bashkëpunimit është një instrument strategjik dhe sektorial që lejon qasje gjithëpërfshirëse dhe bashkëkohore bashkëpunimi dhe synon të mbështesë vendin tonë në përmbushjen e detyrimeve në përputhje me standardet evropiane në fushën e të drejtave të njeriut, shtetit të së drejtës dhe demokracisë. Fushat parësore të dokumentit përfshijnë përparësitë politike të vendit (përfshirë kriteret për anëtarësim në BE), standardet dhe rekomandimet e trupave monitoruese të KiE-së si dhe përvojën e mëparshme të zbatimit të programeve të bashkëpunimit mes KiE-së dhe Shqipërisë. 

Gjatë aktivitetit, znj. Barbullushi theksoi se: “Kuadri i bashkëpunimit që parashikon ky dokument reflektohet qartë në arritjet e Shqipërisë për përmbushjen e angazhimeve si një vend anëtar i Këshillit të Evropës dhe në procesin e integrimit evropian të vendit”. Zonja Taylor, ndërsa shprehu kënaqësinë e saj për bashkëpunimin shumë të mirë me autoritetet shqiptare gjatë dokumentit të parë, u shpreh se dokumenti i ri mbështet reformat e vendit, përmbushjen e angazhimeve statutore të KiE-së dhe organeve monitoruese të saj si dhe angazhimet në kuadrin e procesit të integrimit evropian të vendit. Në mbyllje të fjalës së saj, ajo evidentoi se: “Shqipëria nuk është vetëm marrëse e ndihmës, por është edhe kontribuuese në arritjen e standardeve”, që u vlerësua si shumë e rëndësishme nga ana e saj.

 

SHKARKO APP