Programi i gazetës lokale “Koha Jonë”,11 maj 1991. Numri i parë si gazetë e pavarur
Programi i gazetës lokale “Koha Jonë”
-11 maj 1991-
Në foto: Faksimile e numrit të parë të gazetës “KOHA JONE” botuar me 11 maj 1991 në qytetin e Lezhës
Gazeta lokale “Koha Jonë” do të ketë si qëllim të saj kryesor përpunimin e një opinioni të shëndoshë te njerëzit për çdo gjë që lidhet me qytetin dhe rrethin e Lezhës, duke qëndruar sa është e mundur jashtë vlerësimeve të njëanshme partiake apo të interesave të ngushta vetjake të grupeve dhe individëve. Përmes kronikave të saj dhe shkrimeve të llojeve të ndryshme gazetareske do të fiksohen ngjarjet e ndodhitë më të rëndësishme të
një jave, çdo gjë që do të mendohet se ka interes për jetën e qytetit e të fshatit, ose që përbën sensacion në kuptimin e mirë të fjalës. Në të do të trajtohen probleme të diskutueshme ekonomike, shoqërore, politike, kulturore e sportive duke pranuar diversitet mendimi dhe alternativa të pakushtëzuara. Gazeta do të luajë rolin e një guide kulturore për njohjen e rrethit që është i pasur me ngjarje historike, figura të shquara të penës e të
pushkës, me folklor e vlera të shumta etno-kulturore që përvijohen që nga kohët ilire e në vazhdim.
“Koha Jonë” do të mbështetet në parimet e gazetarisë realiste duke mbajtur qëndrim kritik ndaj çdo dukurie e fakti spekulativ që cenon liritë e të drejtat e individit, proceset demokratizuese dhe zhvillimin e përparimin e rrethit. Të drejtat dhe përgjegjësitë e redaksisë dhe të bashkëpunëtorëve burojnë nga statusi i gazetarit, të njohura me ligj.
Për qëllime afariste, gazeta do të botojë herë pas here edhe reklama e lajmërime të subjekteve të ndryshme që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në rrethin tonë ose të familjarëve. Gazeta nuk do të botojë shkrime me karakter fashist, racist, luftënxitës, antikombëtar e që nxitin urrejtjen kombëtare ose shkrime që bëjnë thirrje për përmbysje me dhunë të rendit kushtetues në Republikën e Shqipërisë. Nuk do të botojë gjithashtu shkrime që bëjnë thirrje për akte terroriste e destabilizuese, që nxitin ndasitë fetare e krahinore, prekin dinjitetin kombëtar të
popullit, bëjnë thirrje për ndërhyrjen e të huajve në punët e brendshme të vendit tonë, dalin jashtë të drejtave të njohura me ligj të pakicave kombëtare, si dhe shkrime që përhapin sekretin shtetëror, përcaktuar në dispozitat në fuqi.
Përveç bashkëpunëtorëve të saj kryesorë, që janë anëtarë të shoqatës së gazetarëve të rrethit, të degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe të shoqatave shkencore, në gazetën “Koha Jonë”do të botohen shkrime nga cilido, brenda ose jashtë rrethit, që dëshiron të bashkëpunojë me të duke iu përmbajtur këtij programi.
11 maj 1991
Këshilli botues i gazetës “Koha Jonë”
1- Pjetër Kola
2- Tonin Çobani
3- Zef Shtjefni
4- Gjovalin Gjeloshi
5- Martin Leka
6- Fran Lleshi
7- Irfan Rama
8- Zef Pergega
9- Pjetër Jaku
Gazeta drejtohet nga: Nikoll Lesi dhe Zef Shtjefni
Faqosës: Luan Pengili
Korrektor: Pal Dragusha
Gazeta shtypet në shtypshkronjën “Mihal Duri”, Tiranë.