Programi i rindërtimit pas tërmetit. Sa përfitojnë familjet, kategoritë që marrin grante ose shtëpi
Ka hyrë në fuqi Vendimi i Këshillit të Ministrave që përcakton se kush dhe sa përfitojnë nga programet e rindërtimit të miratuara për kapërcimin e pasojave të tërmetit të 26 nëntorit.
Përfitues të këtij programi janë individët apo familjet që kanë humbur pjesëtarë të familjeve, kanë pësuar dëme në banesa, ose kanë mbetur të pastrehë në ato bashki ku është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore.
Radha për trajtimin e tyre është:
• familjet që kanë humbur familjarët nga fatkeqësia natyrore
• familjet njëprindërore që kanë në ngarkim fëmijë, ku përfshihen edhe vajzat nëna
• familjet që kanë në përbërje personat me aftësi të kufizuara
• të moshuarit, që kanë mbushur moshën e pensionit
• familjet në skemën e ndihmës ekonomike
• të rënët në krye të detyrës
Subjektet përfituese që do të trajtohen dhe do të përfitojnë, janë si më poshtë vijon:
• Familjet, që kanë humbur banesat si pasojë e shembjeve të ndërtesave (pallateve), përfitojnë nga programi i zhvillimit të zonave të reja ose programi i rindërtimit të godinave në të njëjtin truall ose programi i fondit të banesave. Struktura e apartamentit u kalohet në pronësi përfituesve në ndërtesat e reja
• Familjet në qytet, që kanë humbur shtëpitë individuale si pasojë e shembjes, përfitojnë nga programi i zhvillimit të zonave të reja ose programi i granteve të rindërtimit ose programi i fondit të banesave. Përfituesit ruajnë të drejtën e pronësisë për truallin e shtëpisë individuale, përveç rastit kur për nevoja të zhvillimit të programeve të rindërtimit prona truall shpronësohet ose kompensohet. Kur zona e re për zhvillim do të realizohet me shtëpi banimi individuale, familjet përfitojnë në pronësi shtëpi individuale banimi me sipërfaqe ndërtimi.
• Familjet në fshat, që kanë humbur shtëpitë individuale jashtë ose brenda zonës së urbanizuar të territorit rural, si pasojë e shembjes, përfitojnë nga programi i zhvillimit të zonave të reja ose programi i granteve të rindërtimit
• Familjet që kanë dëmtime në banesa ose shtëpi individuale nga fatkeqësia natyrore, të cilat nuk kanë nevojë të rindërtohen nga e para, trajtohen me grante rikonstruksioni
• Bizneset e vogla e të mesme, vendet e kryerjes së aktivitetit të të cilave janë dëmtuar ose zhvendosur për shkak të fatkeqësisë natyrore, përfitojnë mbështetje ekonomike.