Programi Kombëtar i Strehimit, Demo: Bashkitë me rol më aktiv në identifikimin e nevojave

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, thotë se Programi Kombëtar i Strehimit për Shqipërinë, në kuadër të “Rilindja 2.0”, synon të adresojë nevojat për strehim në territor dhe të krijojë mundësi më të mëdha për familjet në nevojë. Demo tha se faza e re e zhvillimit të qyteteve nuk lidhet vetëm me transformimin e hapësirave publike dhe infrastrukturës, por edhe me cilësinë e jetës dhe krijimin e kushteve për një zhvillim të qëndrueshëm demografik dhe ekonomik.

“Reforma për sa i përket strehimit është një nga shtyllat kryesore që e bën qytetin më të jetueshëm, më të aksesueshëm dhe krijon një ekosistem të qëndrueshëm nga pikëpamja demografike për të ndërtuar ekonominë lokale”, tha Demo. Sipas tij, programi sjell një qasje të re institucionale, ku bashkitë kanë në fokus identifikimin e nevojave dhe pajisen me instrumente financiare për të ndërhyrë më shpejt në territor. Demo theksoi se nga thirrja e vitit 2026 pritet të përfitojnë rreth 700 familje, ndërsa programi do të vijojë edhe në vitin 2027, me synimin për të rritur numrin e familjeve përfituese.

Ai nënvizoi njëherësh edhe rolin aktiv që duhet të kenë bashkitë në identifikimin e familjeve në nevojë, përgatitjen e aplikimeve dhe përshpejtimin e zbatimit të projekteve. Sipas Demos, bashkitë do të kenë edhe rol në financimin e programit, pasi 35% e tij bashkëfinancohet nga njësitë e qeverisjes vendore.

Swiss Digital Desktop Reklama

Duke iu referuar taksës 3% për strehimin, Demo tha se ky instrument nuk duhet parë si qëllim në vetvete, por si pjesë e një politike kombëtare për adresimin e nevojave të territorit. “3% është pjesë e një politike kombëtare ku ne duhet të adresojmë nevojat që territori ka”, u shpreh ai, duke theksuar se bashkitë janë në pozicionin më të mirë për të identifikuar nevojat konkrete për strehim dhe zhvillim në komunitetet e tyre. Në këtë kuadër, Demo kërkoi një angazhim më proaktiv të bashkive për të përgatitur projektet dhe për të përdorur instrumentet e reja të financimit në funksion të nevojave për strehim social.

Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A duhet liruar Erion Veliaj të drejtojë bashkinë nga zyra?