Progres dhe probleme. Raporti i ODHIR për zgjedhjet parlamentare 2017
Nga Lutfi Dervishi/Zgjedhjet janë të paktën 8 muaj larg, por raporti i ardhshëm i ODHIR pak a shumë mund të jetë në linjat e më poshtme. Misioni vëzhgues i ODHIR, konstaton se klima në të cilën u zhvillua fushata zgjedhore përgjithësisht ishte e qetë në gjithë vendin.
Incidente u raportuan vetëm në qarqet: Tiranë, Elbasan, Shkodër, Kukës, Durrës, Vlorë, Gjirokastër, Berat, Fier, Lezhë, Korçë dhe Elbasan. Është pozitiv fakti që tensionet dhe incidentet e rënda u raportuan gjerësisht nga media. ODHIR bën thirrje që të mos politizohen incidentet dhe t’i lihet kohë, prokurorëve dhe gjyqtarëve të rinj (pas procesit të vettingut) që të hetojnë pa presion dhe në atmosferë të qetë.
Në dy raste të rënda raportohet se viktimave nuk u është gjetur asgjë në trup dhe nuk kanë humbur asgjë tjetër përveç jetës. Shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta.
Partitë politike paraqitën në minutat e fundit të afatit kohor listat e deputetëve, gjë që nuk i dha mundësi medias, shoqërisë civile dhe ambasadës amerikane të shqyrtonin në kohë nëse deputetët e ardhshëm të Kuvendit të Shqipërisë, ishin subjekt i ligjit të dekriminalizimit.
Përfaqësues të rëndësishëm të qeverisë shprehën shqetësimin se ligji në fjalë kufizon liritë kushtetuese të individit dhe është në kundërshtim me kartën universale të të drejtave të njeriut.
Boshllëqet dhe paqartësitë e legjislacionit në disa aspekte të rëndësishme të procesit zgjedhor duhet të ishin rregulluar paraprakisht. Mungesa e qartësisë ligjore kontribuoi në zbatimin e paqëndrueshëm të legjislacionit, i cili shpesh u perceptua të ishte sipas linjave partiake. Duhet theksuar se komisioni bipartizan për reformën zgjedhore I ngritur në maj të 2016, gjatë mandatit të tij 9 mujor u mblodh vetëm dy herë. Në takimin e parë nuk pati konsensus për rendin e ditës dhe në takimin e dytë nuk pati dakordësi për të vendosur se kur komisioni do të mblidhej për herë të tretë.
Dita e zgjedhjeve ishte e qetë, por në shumë raste u konstatuan votimi në grup dhe parregullsi të rëndësishme dhe shumë të rëndësishme procedurale.
Financimi dhe media
Partitë politike mund të financojnë fushatat e tyre duke përdorur fonde publike, dhurime private dhe hua. Shumë bashkëbisedues shprehën shqetësim mbi mungesën e transparencës dhe të efektivitetit të rregullave për financimin e fushatës. Është për t’u theksuar se akuzat për burimin e financimit të fushatës dhe shitblerjes së votës në këto zgjedhje ishin më konkrete. Opozita tha se janë paratë e hashashit. Vëzhguesit ndërkombëtarë ndeshën në disa parcela me hashash, por autoritetet thanë se tokat ku ka mbirë bima cannabis sativa janë pa pronarë dhe pronarët e bimës janë anonimë.
Pavarësisht numrit të madh të mjeteve të informacionit, lidhjet e tyre me partitë politike kryesore, si rezultat i interesave për biznes të pronarëve të medias, shkaktuan ndërhyrje të drejtpërdrejtë në autonominë editoriale, vetë-censurim dhe pluralizëm të kufizuar të pikëpamjeve. Filmimet e fushatave në lajme u prodhuan pothuaj 100% nga vetë partitë politike, duke zbehur ndarjen strikte midis përmbajtjes editoriale dhe reklamës politike. Editorët dhe gazetarët, shfrytëzuan fushatën zgjedhore për të bërë lejet e zakonshme të vitit 2016. Pronarët qëndruan në punë duke pritur dhe përcjellë në studio televizive, drejtuesit politik dhe zyrtarët e qeverisë. Rezultatet e monitorimit të medias nga MVZ-ja e OSBE/ODIHR-it treguan se të gjitha stacionet televizive të monitoruara, duke përfshirë edhe transmetuesin publik, favorizuan një nga partitë e mëdha në mbulimin prej tyre të fushatës. Edhe pse kërkohet nga ligji, KQZ-ja nuk vendosi gjoba ndaj stacioneve televizive për shkelje të dispozitave për mbulim në raporte të drejta për garuesit.
Aspekte të zbatimit të ligjit
Disa afate zgjedhore nuk u respektuan, duke përfshirë ngritjen e komisioneve të niveleve më të ulëta dhe regjistrimin e kandidatëve. KQZ-ja duhet të kishte siguruar më shumë orientim dhe mbikëqyrje më nga afër të elementeve kyçe të procesit zgjedhor.
U ndërmorën një sërë programesh edukuese për zgjedhësit, duke përfshirë ato për gratë, minoritetet kombëtare dhe zgjedhësit që votojnë për herë të parë. Në përgjithësi, bashkëbiseduesit u shprehën të kënaqur me saktësinë e listave të zgjedhësve. Megjithatë, një numër i lartë zgjedhësish të regjistruar nuk kishin një kod të saktë identifikues të adresës dhe hetimet zyrtare të kryera në tre qarqe rreth rritjes së numrit të zgjedhësve në lista nuk përfunduan përpara ditës së zgjedhjeve. Kjo gjë ngriti disa shqetësime në lidhje me integritetin e sistemit të regjistrimit të zgjedhësve. Gjithsej, për zgjedhjet u regjistruan 69 parti politike.
Shumica e partive u bashkuan me një nga dy koalicionet e kryesuara nga Partia Socialiste (PS) ose Partia Demokratike (PD), 1 parti pati guximin e mjaftueshëm dhe garoi e vetme.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) funksionoi përgjithësisht në mënyrë të hapur; megjithatë, natyra e politizuar e aktiviteteve të tij çoi në marrje vendimesh të paqëndrueshme, gjë që dëmtoi besimin publik në pavarësinë e administratës zgjedhore.
Fushata dhe administrata
Fushata, e cila u dominua nga PS-ja, Lëvizja Socialiste për Integrim, PDIU dhe PD-ja, ishte aktive dhe e dukshme në zonat urbane dhe më modeste në zonat rurale. Toni i fushatës u përmirësua; megjithatë, partitë e mëdha vazhduan të bënin akuza personale dhe përpjekje për të diskredituar konkurrentët e tjerë. Pati akuza të shumta për presion mbi zgjedhësit, të cilat, së bashku me rastet e vërejtura ditën e zgjedhjeve, ngritën shqetësimin rreth mundësisë së zgjedhësve për të hedhur votën e tyre lirisht, gjë që bie në kundërshtim me angazhimet e OSBE-së.
Personalitete të larta nga partitë e mëdha qeverisëse përdorën aktivitete dhe burime shtetërore për qëllime fushate, duke përfshirë edhe shpërndarjen e certifikatave për legalizimin e pronës. Kjo gjë zbehu ndarjen midis shtetit dhe partisë dhe është në kundërshtim me angazhimet e OSBE-së.
Një numër mospërputhjesh dhe mungesa e qartësisë në kuadrin ligjor penguan një proces efektiv të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve zgjedhore. Mënyra se si komisionet zgjedhore dhe Kolegji Zgjedhor i Gjykatës së Apelit të Tiranës i trajtuan ankimet shpesh i la palët e interesuara pa një zgjidhje efektive, gjë që është në kundërshtim me angazhimet e OSBE-së dhe standardet e tjera ndërkombëtare.
Edhe pse partitë politike ngritën një sërë akuzash për shkelje gjatë fushatës, u depozituan pak ankime në lidhje me to. Bashkëbisedues të ndryshëm shprehën mungesën e besimit tek administrata zgjedhore dhe tek gjykatat për trajtimin e paanshëm të ankimeve.
U vërejtën shqetësime rreth frikësimit të mundshëm të zgjedhësve nga grupe aktivistësh partiakë, që vërtiteshin brenda dhe jashtë disa qendrave të votimit. Numërimi u vlerësua përgjithësisht pozitivisht, ndonëse nuk ishte plotësisht transparent dhe shpesh procesi u zgjat duke sjellë që shumica e numërimeve të përfundonte pas afatit ligjor. Dizajni i fletëve të votimit krijon mundësinë për të lidhur fletët ku është shënuar vota me votues specifikë, duke mos garantuar kështu sekretin e votës, gjë që është në kundërshtim me angazhimet e OSBE-së dhe detyrimet ndërkombëtare.
Një numër partish të vogla shprehën shqetësim për mungesën e aksesit të tyre në vëzhgimin e numërimit të votave dhe, si pasojë, mungesën e besimit në integritetin e rezultateve përfundimtare. Ndërkohë që vëzhguesit partiakë u vunë re gjerësisht në çdo fazë zgjedhore, vëzhguesit vendorë ishin të pranishëm në një numër më të vogël. Prania e vëzhguesve partiakë ndihmoi në transparencën e procesit, ndonëse në disa raste u vu re se ata ose ndërhynë ose drejtuan punën e komisioneve të qendrave të votimit.
OSBE/ODIHR-i është i gatshëm t’i ndihmojë autoritetet dhe shoqërinë civile për të përmirësuar procesin zgjedhor dhe për të trajtuar rekomandimet e përfshira në këtë raport dhe në raportet e mëparshme.
KOHA JONË SONDAZH

