Projekti TID/ Ministri Gonxhja: Kemi ngritur grup pune për pretendimet e banorëve! Zhupa: Prishet identiteti i qytetit

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja foli në Parlament për projektin TID në Durrës. Projekti TID ka të bëjë me rijetëzimin e Qendrës Historike të Durrësit dhe është një ndërmarrje e shumëdebatuar që synon shembjen e 74 objekteve dhe restaurimin e disa të tjera me vlera historike e kulturore. Gonxhja teksa hodhi poshtë akuzat e opozitës, tha se procesi për këtë projekt ka qenë i kujdesshëm, pa pasur asnjë nxitim në procedurat ligjore dhe për dëgjesat publike.

“Projekti TID në Durrës, akuzat për të na treguar dhe anatemuar deri në shkallën e një pandjeshmërie ndaj njerëzve, nuk qëndrojnë, janë bërë të gjitha hapat sa i takon dëgjesave. Procesi ka qenë i kujdesshëm, nuk ka pasur asnjë nxitim për procedurat ligjore, për dëgjesa dhe projektimin. Ka pasur një vlerësim të aspektit historik. Është vlerësuar interesi i vendit, pasi nuk lidhet vetëm me Durrësin, por me gjithë Shqipërinë dhe lidhet me një prej atyre qendrave që ne shumë shpejt mendojmë ta kemi edhe në listën UNESCO, pas një dosje të plotë që ne do të duam ta kemi për një aplikim të ri dhe shumë domethënës për këtë amfiteatër, por edhe për zonën përreth tij. Është krijuar një grup i ri pune për të bërë një vlerësim të ri të të gjitha kërkesave të banorëve, në mënyrë që të përditësohen vendimet e marra që mund të jenë për shpronësimet, siç mund të jenë referencat që automatikisht ndikojnë në shpronësime. Një grup ndërinstitucional po punon për këtë çështje”, tha mes të tjerash Gonxhja.

Kurse deputetja e PD-së, Ina Zhupa tha në Kuvend se ky projekt do të prishë identitetin e Durrësit. Kjo pasi sipas Zhupës, banesat që do të prishen, janë banesa të vjetra, mbi të cilat nuk është vënë dorë pa lejen e qeverisë. Zhupa shtoi gjithashtu se qeveria nuk është konsultuar me banorët për këtë projekt, por i ka detyruar ata që të pranojnë kushtet e shpronësimit.

Swiss Digital Desktop Reklama

”Ju keni konsultuar veten, keni shkuar tek banorët për t’ju thënë pranoni kushtet e shpronësimit, ndërkohë që aty bëhet fjalë për identitetin e banorëve, për shtëpi të cilave nuk u është vënë një gozhdë, pa lejen e qeverisë, sot do të shemben. Më shpjegoni si nuk paskan vlera, është identiteti i Durrësit. Kur prishen banesa konsultohen direkt ata që preken nga procesi, dhe nuk ka ndodhur që të mos e bëjë bashkia planin vendor, por të jetë një organizatë apo OJF. Do ju lutesha në emër të banorëve, ta rishikoni projektin, që të shërbejë për turizmin, banorëve dhe interesit publik”, tha Zhupa.

Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Ftesa e Trump e shpëton Ramën nga sulmet e brendshme politike?