Projektligji i Majlinda Bregut: Si të kontrollohen komentuesit e faqeve on line

 

Një nismë ligjore, e dorëzuar në Kuvend nga deputetja demokrate, Majlinda Bregu pritet të hapë një debat mbi lirinë e shprehjes në Shqipëri. Projektligji synon të bllokojë komentet fyese dhe denigruese në median online, ndërsa ngarkon me përgjegjësi administratorët e këtyre faqeve për publikimin e tyre.

Nisma ligjore, e ndërmarrë nga Aleanca e Grave Deputete parashikon të shtojë një nen dhe një dispozitë tranzitore në Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë. Përmes tyre, administratorët e mediave online detyrohen të pengojnë publikimin e çdo komenti “që cenon nderin, personalitetin apo reputacionin e një personi”.

Swiss Digital Desktop Reklama

Sipas projektligjit publikimi i këtyre komenteve ngarkon me përgjegjësi administratorin e portalit elektronik për dëmin e shkaktuar. Projektligji parashikon gjithashtu që administratorët e portaleve janë të detyruar të heqin komentet me natyrë fyese nga faqet online, menjëherë sapo marrin një ankesë.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Ky projektligj propozohet në një moment ku media sociale po merr gjithnjë e më shumë terren dhe hapësirat e lëna pas çdo artikulli shoqërohen nga komente, të cilat në pjesën më të madhe janë denigruese dhe fyese, duke tejkaluar normat e etikës,” thuhet në relacionin e deputetes Bregu, që shoqëron projektligjin.

“Liria e shprehjes së mendimit nuk mund të shkelë mbi dinjitetin dhe personalitetin e një individi,” thuhet më tej në relacion.

Në propozimin e saj, deputetja Bregu i është referuar një vendimi të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, e njohur si çështja 64569/09 Kompania Delfi AS kundër Republikës së Estonisë.

Gjykata e Strasburgut e ka konsideruar përgjegjës portalin estonez për komentet e përdoruesve, të cilat shkojnë përtej kufijve të kriticizmit. Vendimi nuk ka marrë ende formë të prerë.

Megjithatë, vendimi i dhënë në Strasburg është kundërshtuar nga një numër i madh juristësh ndërkombëtarë dhe çështja pritet të marrë një tjetër kthesë në Dhomën e Lartë të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

“Ky projektligj bazohet tek një vendim i Gjykatës së Strasburgut, i cili nuk ka marrë ende formën e prerë. Ndaj do të ishte e udhës të pritej vendimi përfundimtar i kësaj gjykate,” i tha BIRN Theodoros Alexandidis, ekspert i të drejtave të njeriut në qendrën Res Publica.

Projektligji “Bregu” ka hyrë tashmë në procedurat parlamentare, ndërsa të premten ai pritet të debatohet me përfaqësues të medias në Komisionin e Ligjeve. Megjithatë, pika më e debatueshme pritet të jetë neni që detyron Autoritetin e Komunikimeve Elektronike të ndalojë aksesin publik të një portali, në rast se në të nuk publikohen të dhënat e administratorit.

“Projektligji parashikon që AKEP mund të mbyllë një portal, nëse në të nuk publikohen të dhënat e administratorit. Kjo masë është ekstreme dhe joporpocionale,” thotë eksperti i të drejtave të njeriut.

Media online në Shqipëri u pa si një mënyrë alternative për të konkurruar median tradicionale, e cila vuante shpesh nga mungesa e lirisë dhe e paanshmërisë. Por projektligji i propozuar nga deputetja Bregu rrezikon të shtojë autocensurën edhe në median online.

“Autocensura e mediave dhe e gazetarëve në Shqipëri është një problem i madh. Ky projektligj mund ta thellojë atë,” përfundon eksperti Alexandidis.
BIRN

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka forcë Berisha të rrëzojë kryeministrin Rama, edhe pas skandalëve të fundit?