Projektligji i ri për punësimin, diaspora mund të rikthehet në tregun shqiptar të punës

Shqiptarët që jetojnë jashtë vendit mund të kenë më shumë mundësi për t’u rikthyer dhe për të gjetur punë në Shqipëri. Projektligji i ri për nxitjen e punësimit zgjeron kategorinë e punëkërkuesve, duke përfshirë edhe shtetasit shqiptarë që kanë vendbanim jashtë territorit të Shqipërisë.

Kjo do t’u mundësojë pjesëtarëve të diasporës të kenë akses në shërbimet dhe programet publike të punësimit në vend. Në të njëjtën kohë, projektligji parashikon që edhe shtetasit e huaj që jetojnë ligjërisht në Shqipëri për arsye punësimi të përfitojnë nga shërbimet publike, përfshirë orientimin profesional, këshillimin dhe ndërmjetësimin për punësim.

Një tjetër risi është krijimi i Observatorit të Tregut të Punës dhe Aftësive, i cili do të mbledhë dhe analizojë të dhëna mbi kërkesën dhe ofertën për punë, profesionet në rritje dhe mungesat në aftësi.

Swiss Digital Desktop Reklama

Qëllimi është që politikat e punësimit të bazohen më shumë te parashikimi i nevojave të ekonomisë, duke identifikuar paraprakisht profesionet dhe aftësitë që do të kërkohen në vitet e ardhshme.

Swiss Digital Mobile Reklama

Projektligji parashikon gjithashtu mbështetje për punonjësit që janë ende në marrëdhënie pune, por që rrezikojnë ta humbasin vendin e punës për shkak të ndryshimeve teknologjike, ekonomike apo ristrukturimit të kompanive. Për ta parashikohen programe orientimi, këshillimi dhe riaftësimi profesional.

Në tremujorin e parë të këtij viti, papunësia në Shqipëri ishte 8.4%, ndërsa shkalla e punësimit për popullsinë mbi 15 vjeç arriti në 58%.

Me ndryshimet e propozuara synohet një treg pune më parashikues, ku nevojat e ekonomisë dhe aftësitë e punonjësve të përputhen më herët, duke krijuar njëkohësisht më shumë mundësi për diasporën dhe fuqinë e huaj të integruar në Shqipëri.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se në shtator kryeministri do bëjë ndryshime në Qeveri?