Prokuroria: Deputeti i arrestuar Mark Frroku akuzohet për vrasje në Belgjikë

 

Deputeti shqiptar Mark Frroku, i cili mban dhe postin e kreut të Partisë Kristian- Demokrate rezulton të jetë dënuar me 10 vjet burg në mungesë nga një gjykatë belge për akuzën e vrasjes. Mediat belge kanë publikuar lajmin duke saktësuar se dënimi për Mark Frrokun është dhënë në vitin 2010. Deputeti shqiptar Frroku akuzohet për vrasjen e bashkëkombasit të tij, Aleksander Kurti, pasditen e 5 marsit 1999. "Në Bruksel i akuzuar, në Shqipëri deputet", e titullonte lajmin faqja online belge Nord Eclair.be.

Në shkrim thuhej se "i sapozgjedhur në Shqipëri në postin e ligjvënësit, Mark Frroku rezulton i dënuar në mungesë me 10 vite burg në Belgjikë për vrasje, mbi afera prostitucioni dhe trafiku ilegal emigrantësh. Ai dyshohet ta ketë qëlluar për vdekje me thikë Aleksander Kurtin në një stacion metroje, Gare du Midi, në rrugën ‘Fonsny", në jug të Brukselit".

Po sipas mediave belge thuhet se Frroku përdorte identitet të rremë të një kosovari nën emrin Besnik Morina. Ai u dënua për vrasje së bashku me Arjan Bytyçin me pretendimin se viktima i kish hyrë atyre në trafikun e prostitucionit që kontrollohet nga shqiptarët në Begjikë.

Ata u ndaluan nga policia pas shumë kohe, por dolën nga burgu përpara sesa të fiksohej data e gjyqit të Brukselit, në janar të 2010-s. Ata u shpallën fajtorë në përfundim të procesit dhe u dënuan me nga 10 vjet heqje lirie, në mungesë. Meqë qenë lënë të lirë para këtij çasti, ata nuk u paraqitën asnjëherë para togave të zeza.

Gjithmonë sipas Nord Eclair.be, pas rekursit të Prokurorit të Përgjithshëm, ka pasur një shfuqizim të masës së dënimit të 24 marsit 2010 dhe Frroku dhe Bytyçi duhet të rigjykohen.

Kjo është pra historia për të cilën organet e drejtësisë shqiptare dhe vetë qeveria shqiptare heshtën për shumë kohë. Mark Frroku e mohoi këtë fakt dhe me sa duket kaq mjaftoi që çështja të arkivohej. Vetëm tani pas 15 muajsh kryeprokurori Llalla po e hap atë (duke e marrë të mirëqenë) për të përligjur arrestimin. Por gjithsesi ai nuk jep përgjigje për një pyetje: kur e dinte që kërkohej nga prokuroria Belge, pse nuk e çoi më parë në Kuvend këtë fakt?

SHKARKO APP