Prokuroria e Vlorës nis hetimin për takimin Flamurtari-Teuta

Minutat e fundit të takimit mes Flamurtarit dhe Teutës rezervuan skena të denja për një produksion tragji-komik. Pamjet e dhuruara ishin për të thënë më të paktën “të çuditshme”. Ku në fund gjithçka u konkretizua me golin i cili zhveshi dinjitetin e skuadrës durrsake, duke i dhuruar pikët e padëshiruara nga askush, vlonjatëve. Pas jehonës në media dhe reagimit zyrtar të klubit të Flamurtarit, i cili kërkoi jo vetëm të distancohej por edhe kërcënoi me bojkot nëse ky fenomen nuk merr vëmendjen e merituar, sot Prokuroria e qytetit të Vlorës bëri hapin e parë në drejtimin e duhur

Duke u bazuar tek neni 197/A/2 i kodit penal ku flitet për paracaktimin e ndeshjeve, prokuroria e këtij qytetit ka nisur zyrtarisht hetimin për ngjarjet e ndodhura gjatë ndeshjes së vlefshme për javën e 19-të të Kategorisë Superiore mes Flamurtarit dhe Teutës. Organi hetues i qytetit bregdetar i ka kërkuar tashmë drejtuesve të stadiumit të Flamurtarit të gjitha pamjet filmike të regjistruara nga kamerat e sigurisë, dhe nuk përjashtohen edhe seancat dëgjimore ku mund të përfshihen lojtarë e drejtues të lartë të të dyja skuadrave.

Nëse mblidhen provat e nevojshme që inkriminojnë një skuadër apo të dyja atëherë, kjo prokurori do t’ia kalojë çështjen gjykatës së qytetit të Vlorës. Kjo nuk është hera e parë që një takim futbolli në Shqipëri përfundon nën hetim, por në të gjitha rastet hetimi është mbyllur pa dhënë asnjë pretencë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ndërsa nesër pritet që të mblidhet komisioni i etikës pranë federatës shqiptare të futbollit për të shqyrtuar të gjitha episodet e kësaj përballjeje, por edhe për ngjarjet e ndodhura në fundin e ndeshjes mes Laçit dhe Partizanit, ku edhe aty hijet e trukimit janë të shumta.

Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?