Prokuroria Korçë ngre 4 akuza për autorin e vrasjes së punonjësit të policisë dhe plagosjes së një tjetri
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë ka ngritur katër akuza ndaj shtetasit V.B., i dyshuar për vrasjen e një punonjësi të Policisë së Shtetit dhe plagosjen e një efektivi tjetër gjatë një operacioni policor në Malin e Bodesë.
Sipas njoftimit zyrtar, ndaj të dyshuarit rëndojnë veprat penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit, e mbetur në tentativë”, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, në formën e mbajtjes së armëve të zjarrit në mjedise publike dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.
Prokuroria bën të ditur se, hetimet mbi procedimin penal, nisën pas ngjarjes së ndodhur më 3 qershor në Malin e Bodesë gjatë operacionit për kapjen e personit në kërkim V.B., i dënuar me 10 vjet burgim për veprën penale të “Prodhim dhe shitje të narkotikëve”.
Plani operacional bazohej edhe në bazë të kallëzimit të bërë nga ana e shtetasit A. K., 32 vjeç, i cili kishte disa ditë që punonte si çoban në bagëtitë e shtetasit V.B. në malin e Bodesë dhe që sipas kallëzimit të bërë prej tij, ai ishte dhunuar dhe kanosur me qytë të një arme automatike nga ana e V.B.
Për këtë arsye në datën 04 qershor, në mëngjes reth orës 07.00 forcat e DVP Korçë të organizuara sipas planit të operacionit të hartuar janë afruar në Malin e Bodesë afër vendit ku ka stallat ky shtetas. Gjatë rrethimit të ndërtesave që ishin në zonë, forcat e policisë u përballën me të shtënat me armë nga shtetasi V.B., nga të cilat humbi jetën punonjësi i policisë E.M. dhe u plagos një tjetër punonjës i policisë, shtetasi E.A. Shtetasi V. B. tentoi të largohet me vrap në drejtimin e poshtëm të stallave, por si pasojë e shkëmbimit të zjarrit ishte plagosur dhe u kap disa metra poshtë stallave.
Ky shtetas qëlloi në drejtim të policisë, edhe pse punonjësit ishin të me uniformë policie dhe jelek antiplumb. Nga hetimet u konstatua se punonjësi i policisë i cili humbi jetën paraqiste një dëmtim në pjesën e gjoksit, si dhe në pjesën e shiritit varës tek supat.
Ndërsa po i jepnin ndihmën e parë, breshëria e armës vazhdonte edhe pse shtetasi V.B., dëgjonte që punonjësit e policisë bënin thirrje për dorëzim dhe se ishin forcat e policisë. Por ai vazhdonte të qëllonte me armë në drejtim të policisë dhe për pasojë gjatë shkëmbimit të zjarrit, u konstatua edhe punonjësi i policisë E.A., i cili u plagos në kokë.
Në lidhje me personin nën hetim shtetasin V.B., Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Korçë, vlerëson se nisur nga rrethanat e faktit, të rrezikshmërisë maksimalisht të lartë shoqërore të veprave penale, për të cilat ka dyshime të bazuara në prova se janë kryer nga personi nën hetim, si dhe për shkak të rrezikshmërisë maksimalisht të lartë shoqërore të këtij shtetasi, i cili rezulton të jetë i dënuar më parë për disa vepra të tjera me rrezikshmëri shoqërore, si dhe bazuar në faktin se ky shtetas prej afro 10 vitesh i shmangej drejtësisë, duke iu fshehur zbatimit të masave të sigurimit të dhënë më parë ndaj tij, si dhe vuajtjes së dënimeve penale, shtetasi V.B., duhet të qendrojë në masën e sigurisë ‘Arrest në burg’.
Gjithashtu, ka dyshimetë bazuara se në rastin konkret mund të jenë konsumuar edhe elementë të veprës penale të ‘Shpërdorimi i detyrës’ parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal për mënyrën e organizimit dhe drejtimit të operacionit dhe masat e marra paraprakisht për zinxhirin drejtues, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
ATSH
KOHA JONË SONDAZH

