Prokuroria zbërthen skemën e kokainës

Prokuroria e Krimeve të Rënda, mendon se grupi i kokainës, i arrestuar në laboratorin e Xibrakës është aktivizuar në verën e vitit 2014 dhe veprimet konkrete i kanë nisur gjashtë muaj përpara se të merrnin goditjen e policisë.

Sipas një burimi të besueshëm të Top Channel, pasi është përzgjedhur vendi i përshtatshëm, Xibraka, për të instaluar laboratorin e nxjerrjes së lëndës narkotike, në një datë të pacaktuar gjatë muajve te verës 2014, që dyshohet se është muaji korrik, organizatorët e këtij trafikimi kanë kontaktuar me Kelmend Dalipin, i cili kishte nën pronësi pesë magazina.

Njëri nga organizatorët është personi i njohur me nofkën ‘Geci’, dhe që dyshohet se është Genci Xhixha, aktualisht në kërkim policor. Me qëllim që të mbuloheshin veprimet kriminale, Prokuroria beson se është nënshkruar një kontratë qiraje fiktive me dy persona të ndryshëm nga Tirana, me vlerën e 30 mijë lekëve në muaj.

Më pas, në muajin nëntor 2014, dyshon organi i akuzës, ka nisur aktiviteti, ku edhe janë blerë lëndë të ndryshme kimike të llojit ‘Solvend’ të marra në një shoqëri në kryeqytet që quhej, ‘Bujari Sh.p.k’. Pasi kanë nisur aktivitetin, thotë Prokuroria, organizatorët kanë parë si mënyrë të përshtatshme transportin e kokainës për në Gjermani me një makinë të përshtatur për fshehjen e drogës.

Por, ndërsa në laborator kishte nisur puna, të dyshuarit janë vonuar nga kushtet atmosferike për procesin teknik dhe kimik të prodhimit të drogës, e për këtë arsye, e dyshuara tjetër, Pranvera Ebeling, që kishte ardhur nga Gjermania, është larguar nga Shqipëria pa e marrë automjetin me të cilin kishte ardhur në vend.

Prokuroria shprehet se sasia e kokainës që u kap në Tiranë e paketuar, mund të jetë realizuar mes datave 13 dhe 14 janar. Për Prokurorinë, rolet e secilit prej të dyshuarve janë të ndara në mënyrë të tillë, ku Kastriot Ymeri kishte rolin të përshtate mjetin me të cilën do fshihej kokaina, Kelmend Dalipi kishte vënë në dispozicion pronën, Arjan Dalipi kishte detyrë të ruante ambientet, Sajmir Batku kishte detyrë të transportonte drogën nga Elbasani në Tiranë, ndërkohë që Ermal Hoxha dhe Gentjan Gjonaj, por edhe një person i thirrur me nofkën ‘Elefanti’, merreshin me koordinimin e procesit.

Nga ana tjetër, njeriut kyç në këtë proces, Ilir Hysenit i janë instaluar nga Gjermania pajisje GPS sipas një vendimi të Gjykatës së Hanoverit, që mban datën 7 tetor 2014, ndërkohë që edhe në 10 dhjetor, me vendim të kësaj gjykate, atij i janë instaluar nga Gjermania pajisje të posaçme që përgjonin dhe incizonin çdo bisedë që bëhej në këtë automjet.

SHKARKO APP