Pronat e Kishës Ortodokse, Mitropoliti i Elbasanit: Do takojmë Ramën
Kishat dhe manastiret duhet t’i kalojnë në pronësi Kishës Ortodokse. Kjo është kërkesa e krerëve të dy Mitropolive të reja, Elbasanit dhe Fierit.
Në “Tonight Ilva Tare”, hirësi Andon Merdani, Mitropolit i Elbasanit deklaroi se shteti nuk ka bërë asgjë për kthimin e pronave, ndërsa për lirimin e Kishës së Elbasanit do të kërkojë takim me kryeministrin Edi Rama.
“Problematikat që hasim në çështjen e pronave, si në Elbasan ku kemi një kishë që është kisha historike, është zaptuar nga një person që pretendon se ai do ta administrojë atë. Një person që nuk njihet nga Kisha Ortodokse. Ajo Kishë është si gjithë kishat e tjera që janë Monument Kulture, janë pronë shtet ende.Për shkak se nuk figurojmë ende si pronarë me dokumenta dhe as ai. Kjo është përgjegjësi e shtetit. Shteti të gjithë ato Monumente, Kisha dhe Manastire që janë ende në pronësi të shtetit, shteti duhet t’i mirëadministrojë.
Që do të thotë në ato Kisha nuk mund të kryehen aktivitete, nuk mund të zhvillohen forma të ndryshme biznesi, ushtrim personal dhe abuzime si kemi parë kohët e fundit. Shteti duhet të garantojë mbrojtjen e këtyre Monumenteve. Fakti që edhe sot e kësaj dite persona të caktuar jashtë strukturave të komuniteteve fetare paraqiten, zhvillojnë aktivitete personale aty, askush nuk e di çfarë predikojnë, askush nuk e di çfarë bëjnë aty brenda, ata nuk i japin llogari askujt dhe askush nuk u kërkon llogari atyre. Vazhdimisht kemi kërkuar lirimin e kishës, shteti duhet të funksionojë dhe përsëri do ta kërkojmë. Ne do kërkojmë një takim me Kryeministrin për të kërkuar mbështetjen e tij si dy Metropoli të reja që hapen, kemi nevojë për rezidenca, kemi nevojë kishat të na kthehen, edhe në pronësi të mund ti ndjekim çështjet edhe ligjërisht nga ana e Kishës”, tha ai.
Edhe Hirësi Nikolla Hyka, Mitropoliti i Apoloniosë dhe Fierit apeloi për kthimin e pronave të Kishës Ortodokse.
“Manastirin në Apolloni vazhdon ta ketë nën varësi shteti, është Monument Kulture dhe nuk është kthyer akoma.Turistët vinë vazhdimisht, gjëja e parë që do të shikojnë bashkë me Muzeun që është në ambjentet e Manastirit të Kishës”, theksoi ai.
Kurse Dritan Shano, anëtar i Lidhjes së Intelektualëve Ortodoksë u shpreh pro kulturës fetare ne shkolla, ndërsa të dhënat e Censusit për përkatësinë fetare I konsideroi të pasakta.
Edhe juristja Valbona Duri përshëndeti nismën për mësimin e kulturës fetare në shkolla.
KOHA JONË SONDAZH

