“Pronat”, kërcënoi me çifte kryeplakun e fshatit, arrestohet 66-vjeçari
Policia e Dibrës ka parandaluar përshkallëzimin e një konflikti me armë gjahu për motive pronësie, mes kryeplakut të fshatit Hurdhë Muhurr dhe një personi tjetër.
Blutë arrestuan Hakik Prençi, 66 vjeç, lindur e banues në fshatin Hurdhë Muhurr të Njësisë Administrative-Muhurr-Dibër, për veprat penale të “Kanosjes” dhe “Mbajtjes pa leje të armëve të gjuetisë.
“Ky shtetas rreth orës 17.30 të datës 25.09.2016 në vendin e quajtur “Fusha e lopës”, rreth 1 km sipër fshatit Hurdhë Muhurr i ka dalë në rrugë shtetasit S. H. 29 vjeç, lindur e banues në Hurdh- Muhurr, i cili është edhe kryeplak i fshatit Hurdhë Muhurr dhe i ka drejtuar një armë gjahu Çifte “teke” të mbushur me një fishek në gojë duke e kërcënuar.
Shtetasi S. H, ka njoftuar menjëherë policinë dhe më pas ka tentuar për t’i marrë armën e gjahut ku nga përleshja mes tyre, nga shtetasi Hakik Prençi është shkrehur arma e gjahut e cila nuk ka dëmtuar asnjërin nga personat e përfshirë në konflikt”, informon policia.
Në vendngjarje shkoi menjëherë policia e cila ka bërë bllokimin e armës së gjahut, si dhe shoqërimin e palëve në konflikt për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Hakik Prençi u gjet edhe një armë tjetër gjahu Çifte dhe fishekë.
Në lidhje me këtë ngjarje është njoftuar Prokurori i gatshëm për të gjitha veprimet e kryera nga Policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Dibër për veprime të mëtejshme.
KOHA JONË SONDAZH

