Propozim i ri për Asociacionin, Vjosa Osmani: Ta bëjmë draftin me SHBA-në

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se Kosova duhet që së bashku me Shtetet e Bashkuara të përgatisë draftin për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës, Osmani tha se marrëveshja drejt normalizimit të raporteve që Kosova dhe Serbia arritën më herët gjatë vitit nuk “është perfekte” për Kosovën, por është obligim ndërkombëtar.

”Ne duhet të ulemi me SHBA-në, të përgatisim draftin tonë, draftin e Republikës së Kosovës. Fillimisht [vetëm me SHBA-në], unë mendoj se kështu është zgjidhja, të ulemi me partnerët tanë në SHBA, të prezantojmë para sekretarit amerikan të Shtetit [Antony Blinken] draftin tonë, i cili është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, në përputhje me letrën [e ish-shefes së diplomacisë së BE-së, Federica] Mogherinit që garanton se nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe në përputhje me qëndrimin e shkruar amerikan në opinionin [e shkruar] nga [këshilltari i lartë i DASH-it, Derek] Chollet dhe [i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel] Escobar që sqarojnë që një trup e tillë do të jetë një trup koordinues, pa kompetenca ekzekutive”, tha Osmani.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 marrëveshjen për parimet për themelimin e tij. Por, më 2015 Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se marrëveshja nuk ishte në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik dhe kërkoi që ajo të harmonizohej përmes akteve nënligjore.

SHKARKO APP