Propozimi/Hysi: Viktimat të njoftohen kur agresori i tyre lirohet nga burgu

Viktimat e dhunës në familje do të njoftohen në momentin që personi të cilin ata e kanë denoncuar, ka dalë nga burgu, pasi ka përfunduar dënimin. Ky ka qenë propozimi i deputetes së PS-së, Vasilika Hysi, gjatë mbledhjes së Nënkomisionit për të drejtat e njeriut dhe Nënkomisioni për barazi gjinore dhe parandalimin e dhunës ndaj gruas.

Në lidhje me këtë, Hysi propozoi që detyrimi për të njoftuar viktimat t’u caktohej burgjeve dhe në këtë mënyrë shoqëria civile të merrte mesazhin dhe viktimat të mos binin sërish pre e dhunës.

”Për të shtuar në këtë nen, detyrimin që ka institucioni ku ndodhet i dënuari, që të njoftojë viktimën, ose familjarët e saj për lirimin e të dënuarit. Na ka lindur një problem kur dhunuesi ka mbaruar vuajtjen e dënimit, është liruar para kohe me kusht, ose ka përfituar nga uljet e dënimit. Besoj se institucioni duhet të informojë viktimën, ose familjarët”.

Ky propozim nuk u prit mirë nga Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e cila u shpreh se njoftimi i viktimave të bëhej përmes një marrëveshjeje bashkëpunimi mes institucionit të Ministrisë së Drejtësisë, Prokurorisë dhe Policisë së Shtetit.

SHKARKO APP