Protesta e PD/ Gjoni: Policia të mos sillet me dhunë, por ne jemi të gatshëm për përballje
Deputeti i PD-së, Gjin Gjoni nga selia blu i bën thirrje Policisë së Shtetit që të mos sillet si në tubimin e shkuar, duke u shprehur se ata janë të gatshëm të përballen me uniformat blu. Nga ana tjetër, ai nënvizon se protestat e opozitës e kanë dhënë efektin e tyre dhe tashmë kemi një sensibilizim të opinionit ndërkombëtar lidhur me qeverinë Rama.
”Jashtë parashikimeve, sot është ditë shiu, dhe përpara PD-së ka njerëz të strukur në streha dhe lokale, por besoj që njerëzit sot prapë do dalin pavarësisht kushteve atmosferike. Pas rezolutës së Komisionit të Jashtëm të PE ku ka evidentuar të gjitha rastet e shkeljeve, ku është raporti më i mirë për PD-në, por i zi për shtetin shqiptar. Të gjitha protestat kanë dhënë efektet e veta. Kemi një sensibilizim të opinionit ndërkombëtar.
Edhe rezoluta e IDU-së ka evidentuar të gjitha ato që PD dhe opozita ka ngritur në raport me qeverisjen, lidhjet e krimit me politikën, nivele të larta të korrupsionit, përfshirjen e zyrtarëve më të lartë. Edhe raporti i fundit i Komisionit të Jashtëm përsëri ka vendosur pikat mbi i dhe mazhoranca ka dalë lakuriq jo vetëm në raport me shqiptarët, por edhe ndërkombëtarët.
PD ka vetëm të drejtën e njoftimit të vendit dhe orës së protestës. Nuk është detyrim i policisë të japë apo jo leje, këtë të drejtë e ka dhënë Kushtetuta. Policia të mos sillet si në protestën e fundit! Ne jemi të gatshëm të përballemi edhe me policinë. Protesta do jetë paqësore dhe detyrimi i policisë është të mos ketë konfrontime”, tha Gjoni.
KOHA JONË SONDAZH

