Protesta e PD-së, Albana Vokshi tregon shifrat: Kanë qenë 120 mijë qytetarë

Dje në Bulevard në protestën e thirrur nga Sali Berisha dhe partitë aleate, sipas deputetes së Rithemelimit, Albana Vokshi kanë qenë 120 mijë protestues.

“Nuk ka njeri që nuk e ka të qartë që opozita ka mbështetje, ishte përtej pritshmërive për mirë. Kisha besimin e plotë, nga struktura nga daljet në degë që do kishim numra të mëdhenj dhe tentonim të shkonim te një nga protestat më të mëdha, si protesta e 7 korrikut, kjo e djeshme, kishte 25% më shumë, ka pasur më shumë se 120 mijë në shesh”, tha Vokshi.

Duke e quajtur si protestë të qytetarëve, Vokshi tha se në Bulevard ka pasur ish-drejtor të Erion Veliaj, pasi thekson se ka pasur arsye të forta për të protestuar. Sipas saj, në protestë u vërtetua që qytetarët e mbështesin opozitën e bashkuar, por edhe aksionin e saj, me protesta brenda dhe jashtë Kuvendit.

“Protesta e djeshme ka vërtetuar që opozita është në këmbë, që është më e fortë, që opozita e bashkuar është e mirëpritur, sepse qytetarët dolën për mesazhin e bashkimit të opozitës, por edhe frontit të opozitës dhe kanë përshëndetur dhe mbështetur dhe aksionin opozitar si brenda dhe jashtë parlamentit, në rrugën e Shpresës”, përfundoi Vokshi në A2 CNN.

 

SHKARKO APP