Protesta nuk do bëhet parti, por si do ta ndryshojë sistemin politik aktual?!
Deklarata e Dritan Goxhajt se Protesta nuk do të krijojë një parti politike i jep fund një dileme që kishte nisur të diskutohej prej javësh, por hap menjëherë një pyetje shumë më të madhe: si do të realizohet ndryshimi i sistemit pa një instrument politik që ta çojë këtë ndryshim deri në fund?
Mesazhi i Protestës është i qartë. Ajo nuk kërkon thjesht një rotacion pushteti mes PS-së dhe PD-së, por pretendon se synon të ndryshojë vetë mënyrën se si funksionon sistemi politik. Kjo është një tezë më e madhe se rrëzimi i një qeverie dhe, pikërisht për këtë arsye, kërkon një përgjigje shumë më të strukturuar.
Një protestë mund të krijojë presion. Mund të mobilizojë qytetarët, të imponojë tema në debatin publik, të detyrojë qeverinë të tërhiqet nga vendime të caktuara dhe madje të ndryshojë ekuilibrat politikë. Por një protestë, sado e madhe të jetë, nuk ndryshon vetë ligjet, Kushtetutën apo sistemin zgjedhor.
Këto ndryshime bëhen përmes institucioneve. Prandaj, nëse Protesta nuk do të bëhet parti, duhet të përcaktojë qartë se çfarë do të jetë.
Mund të jetë një lëvizje qytetare kombëtare që harton një platformë të detajuar për ndryshimin e sistemit dhe ua vendos atë përpara partive, kandidatëve dhe qytetarëve. Mund të kërkojë reforma të qarta: kufizimin e mandateve, ndryshimin e Kodit Zgjedhor, financimin ndryshe të partive, hapjen e listave, forcimin e institucioneve dhe depolitizimin e administratës.
Por duhet të kalojë nga slogani te projekti. Nuk mjafton të thuash “nuk duam sistemin e vjetër”. Duhet treguar sistemi i ri.
Edhe ideja se Protesta nuk duhet të ketë një kryetar mund të ketë avantazhin e vet, sepse shmang personalizimin dhe luftën për protagonizëm. Por një lëvizje që kërkon të ndryshojë vendin duhet të ketë përfaqësim, strukturë, mekanizëm vendimmarrjeje dhe njerëz që mbajnë përgjegjësi. Pikërisht këtu nis faza më e vështirë. Pas rreth tre muajsh protestë, pyetja nuk është më vetëm sa njerëz dalin në shesh.
Pyetja është: ku kërkon të mbërrijë kjo lëvizje dhe me çfarë rruge?
Sepse një protestë mund ta tronditë sistemin. Por për ta zëvendësuar atë duhet një alternativë e qartë, demokratike dhe e votueshme. Në të kundërt, rreziku është që energjia e sheshit të mbetet vetëm protestë, pa u kthyer kurrë në ndryshim real. Edi Rama ka refuzuar prerë se mund të jap dorëheqje. Ai thotë kam votat e 800 mijë votuesve dhe nëse duan, ata, Protesta, ta provojnë me votë sa veta janë. Por që të votojnë, ata, duhet parti politike. Parti nuk duan, dhe ndaj lind pyetja se si do ta ndryshojnë sistemin politik aktual. Edhe Berisha ndonëse sulmon Ramën, dëshiron këtë sistem politik. Berisha nuk ka ndonjë ambicie pushteti, edhe për shkak të moshës 82 vjeçare. Ndaj Protesta mbetet në shesh, por edhe Rama, edhe Berisha do të vazhdojnë të jenë në zyrat që kanë sot.
Si do ta arrijë Protesta ndryshimin? Pyetje pa përgjigje!
KOHA JONË SONDAZH

