
Mjeku dhe pedagogu Besnik Jakaj, ka kritikuar qëndrimin e kryeministrit Edi Rama ndaj protestave studentore, duke e akuzuar qeverinë për përpjekje për të kontrolluar institucionet dhe për të zvogëluar rëndësinë e reagimit qytetar. Jakaj u shpreh se Shqipëria po përjeton një valë protestash që lidhen me kërkesat për respektimin e të drejtave, dinjitetin dhe lirinë. Sipas tij, lëvizja po merr përmasa më të gjera, ndërsa mbështetja e pedagogëve për studentët përbën një element të rëndësishëm në këtë përballje.
Jakaj vlerësoi angazhimin e të rinjve në protesta, duke i cilësuar ata si një shpresë për ndryshimin e situatës në vend. Ai gjithashtu bëri thirrje për më shumë reagim qytetar përballë rasteve të dhunës policore, duke theksuar se heshtja ndaj tyre nuk duhet të konsiderohet si qëndrim neutral.
Duke komentuar deklaratat e kryeministrit ndaj studentëve, pedagogu nënvizoi se të drejtat e tyre garantohen me ligj dhe nuk varen nga vullneti apo vendimet personale të kreut të qeverisë. Jakaj akuzoi Ramën dhe strukturat pranë tij se po përpiqen të minimizojnë numrin e protestuesve dhe përmasat e lëvizjes. Sipas pedagogut, rëndësia e protestës nuk matet vetëm me numrin e pjesëmarrësve, por mbi të gjitha me kërkesat që ajo ngre kundër korrupsionit dhe keqqeverisjes.
