Protestat që tronditën shqiptarët dhe “rrëzuan” Qeverinë brenda një viti – Kalendari politik 2018

Nga Herion Mesi

Viti që po lëmë pas do të mbahet mend për protestat e panumërta që nisën nga Kalimashi dhe përfunduan në derën e Kryeministrisë. Akuzat e opozitës dhe qytetarëve protestues për një qeveri të korruptuar, inkriminuar, apo edhe të paaftë, morën përgjigje direkte nga vetë kreu i Qeverisë, Edi Rama, i cili vendosi të reflektojë vetëm dy ditë më parë, ditë kur lajmëroi shkarkimin e zëvendëskryeministres dhe 7 ministrave, të cilët i lavdëroi për punët që ata kanë zhvilluar, edhe pse ata ikën pikërisht për shkak të këtyre punëve që kanë sajuar në institucionet që ata drejtonin deri dy ditë më parë.

Por ky vit që po mbyllet, mban mbi supe dhe një tjetër bilanc negativ për Qeverinë: refuzimin e Brukselit për çeljen e negociatave, ku tashmë fqinjët tanë duken shumë larg sa i përket perspektivës tonë në familjen evropiane. Dhe gjithçka nisi nga qëndrimi i ashpër i Qeverisë Holandeze e cila ishte e para që bëri me dije “veton” e saj ndaj një përgjigje pozitive për Shqipërinë. Një qëndrim ky që do të pasohej edhe nga Franca, e më pas rezultati i negociatave u bë i njohur në fund të muajit qershor.

Përplasja me holandezët

Në muajin maj kryeministri Edi Rama do të shënonte një përplasje të paprecedentë me një grup deputetësh holandezë që në vizitën e tyre në Tiranë shprehën vlerësime negative për ecurinë e reformave të qeverisë që do i bënin të mundur vendit tonë marrjen e një përgjigjeje pozitive për negociatat me BE-në. U desh që në Shqipëri të vijë një grup deputetësh nga Holanda, që kryeministri shqiptar të dalë hapur dhe të sulmojë delegacionet e BE, që janë skeptike për hapjen e negociatave. Rasti shkon paralel me atë të gjermanit Krichbaum, i cili u sulmua nga portalet pranë qeverisë si njeri i paguar nga Rusia apo Lulzim Basha, me anë të disa shkrimeve nga të cilat Rama u distancua në Gjermani. Njësoj si Krichbaum, holandezët nuk e fshehën mendimin kundër hapjes së negociatave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Çështjet e korrupsionit, të krimit të organizuar, mosndëshkimi i zyrtarëve të korruptuar, dyfishimi i të arrestuarve shqiptarë për krime serioze në vendin e tyre, i bënë holandezët të mendojnë se Shqipëria nuk është gati për hapjen e negociatave, një qëndrim që e shprehën hapur në media. Një ditë pasi holandezët u larguan nga Tirana, Edi Rama reagoi me tallje dhe ironi. Jo më i fshehur pas shkrimeve denigruese, por me zë dhe figurë, ai sulmoi holandezët, kur tha se vizita të tilla e bëjnë për të qeshur. “Më vjen për të qeshur kur vijnë delegacione me “fact-finding” (faktmbledhëse). Vijnë në mëngjes dhe ikin pasdite për të mbledhur fakte. Më takojnë mua, takojnë ca deputetë. Takojnë edhe mikun tim të shtrenjtë, me të cilin na bashkon, sigurisht në mënyra të ndryshme dashuria për Holandën, Lulzim Bashën dhe largohen. Dhe mbledhin fakte. Çfarë lloj faktesh mund të mblidhen brenda gjysëm dite? Ndërkohë që Komisioni Europian është një ushtri ekspertësh të panumërt që hane fakte, pinë fakte, flasin fakte dhe dëgjojnë vetëm fakte. Si mund të kontestohet apo të thellohet raporti i kësaj ushtrie që është në terren çdo ditë me fluturime gjysëm-ditore, me takimet e 5 politikanëve?” u shpreh kryeministri Edi Rama, që për ironi sulmin e bëri në një aktivitet në Ditën e Europës. Dhe një muaj pas këtij qëndrimi aspak të filtruar nga kreu Qeverisë, do të vinte dhe refuzimi zyrtar i Brukselit për të çelur negociatat me Shqipërinë.

Protestat

E njëjta gjë ndodh dhe me “Astirin” dhe të gjithë zonat që preken nga projekti i zgjerimit të Unazës së Madhe në Tiranë. Qeveria negocion me banorët ku primare është grabitja e pronave të atyre banorëve, s’ka rëndësi forma, me apo pa vula të falsifikuara, rëndësi ka t’u merret prona atyre. Vendi qeveriset keq sepse, siç tha dhe shefi i “Konrad Adenauer”, shqiptarët kanë synim të ikin nga ky vend i njerëzve të mallkuar. Vendi qeveriset keq, sepse qeverisjet ndër vite kanë bërë padrejtësi jo vetëm me studentët, por me të gjithë sistemin e dijes në këtë vend. Vendi qeveriset keq për një mijë e një arsye, dhe kjo e “trimëron” këtë qeveri që ka në misionin e saj, grabitjen e shqiptarëve. Vendi qeveriset keq se opozita lejon grabitjen e pronave që po i bën kjo qeveri qytetarëve të saj. Vendi qeveriset keq, sepse edhe opozita është po aq fajtore sa dhe qeveria për këtë çmim idiot që paguajnë sot shqiptarët për karburantet. Ka shumë arsye se pse ky vend qeveriset keq, jo vetëm nga qeveria, por edhe nga opozita. Studentët me revoltën e tyre demaskuan të gjitha fijet e kapjes dhe lidhjes nyjë të kësaj mazhorance. Kërkesa themelore për të shembur këtë sistem injorance që na shitet si arsimor, e ka trembur estabilishmentin politik shqiptar. Pasi të gjithë janë të kapur nga ky degradim që është prodhuar në këto 15 vitet e fundit.  Kjo është arsyeja që me mënyrat e tyre të gjithë nxënësit e kësaj klase politike “po i vrasin studentët”.

Por, çfarë ndodhi në më shumë se dy javë protestë e cila u mbyll ndonëse tetë kërkesat nuk u plotësuan?

Studentët dolën fillimisht me 4 kushte, që lidheshin me heqjen e tarifave për provimet e prapambetura, pjesëmarrja në borde, vota e studentit si edhe përmirësimi i kushteve në konvikte. Pika e parë e kërkesës së tyre u plotësua nga Ministria e Arsimit. “Kam marrë një kërkesë nga këshillat studentorë që e miratoj me të dyja duart”- deklaroi Lindita Nikolla, tashmë ish-ministre e Arsimit. Pas kësaj “fitoreje” të tyre studentët shtuan kërkesat dhe çuan në 8 numrin e pikave të tyre, duke vijuar çdo ditë protestën, e cila fillimisht u përqendrua te Ministria e Arsimit. Por, kjo protestë mori edhe një mbështetje të madhe nga qytetarët. Kulmi i protestës ishte më 11 dhjetor, kohë kur pjesëmarrja arriti limitet e rrugës së Durrësit, e cila u tejmbush me studentë, gjimnazistë dhe qytetarë. Afati i vendosur nga studentët për Kryeministrin ishte ora 16.00 për të marrë përgjigjen me plotësimin e pikave. Pas kësaj mungese, ata e zhvendosën protestën sa te Kryeministria, Ministria e Arsimit dhe Zogu i Zi, ku bllokuan rrugën. Përgjigja e vetme që morën studentët nga Kryeministri ishte ftesa për dialog në rrjetet sociale. Por, studentët e refuzuan. Megjithatë, Kryeministri zgjodhi të shkojë vetë nëpër Fakultete dhe të flasë me studentët, por nuk u mirëprit nga ta. “O zotëri, ti i ke qejf monologjet”. “Nuk na blini dot siç ke blerë 100 apo 1000 freshista. Ky nuk është dialog”. Përgjysmimi i tarifave të studimit për nivelin bachelor ishte një pikë që kryeministri Rama vendosi ta plotësojë. Ndonëse Rama ka bërë me dije se është dakord me pikat e tyre në parim, vetë studentët nuk mjaftohen me këtë deklaratë, por kanë kërkuar vendim me shkrim për to. Këto 8 kërkesa, nëse nuk do të jenë plotësuar deri në janar, do të rikthejnë studentët në protestë.

Kreu i Qeverisë, i painteresuar për të bërë dialog me ta, por nxiton tua plotësojë 8 kërkesat e tyre minimaliste, të karakterit ekonomik në thelb, me shpresën për ta mbyllur sa më shpejt këtë histori, në mënyrë që opinioni publik të mos ketë kohë të reflektojë mbi sistemin e e degraduar arsimor që është ngritur. Ata që ngritën këtë sistem arsimor, janë dhe mentorët e ligjit të shumë diskutuar për Arsimin e Lartë. Janë ata përfituesit kryesorë nga degradimi i universiteteve shtetërore, në mënyrë që të ngrihen në piedestal “piramidat” e tyre universitare. Studentët i trembën ndaj u duhet mbyllur goja. Studentët që nuk pranojnë të ulen në tryezë për të diskutuar me këtë kastë të neveritshme, pasi siç e thonë vetë, “Nuk kanë ç’të diskutojnë as me Ramën, e as me Kuvendin”, ata janë “armiqtë e vërtetë”, të cilët tronditën rëndë sistemin korruptiv arsimor. Këtë sistem që prodhon analfabetizëm funksional, ku në krye të zyrave të shtetit janë ca debilë që nuk dinë as të të shpjegojnë asnjë procedurë institucionale, jo se nuk duan, por ata/o nuk dinë ç’është institucioni, e jo më të të shpjegojnë ndonjë gjë për të. Studentët me protestën e tyre shkaktuan tërmet social në këtë shoqëri të lodhur nga shpresa e ditëve më të mira, ku gjithsecili prej nesh e ka të qartë që nuk ka liri pa luftë. Liria tek ne vidhet, grabitet, liria është fjalë e huaj, pasi ne jemi mësuar t’i bindemi liderit. Por studentët e prishën traditën, thyen tabutë dhe po na mësojnë se liria nuk kërkon liderë për t’i kthyer më pas në heronj. Studentët na mësuan se liria funksionon kur ajo është e shpërndarë horizontalisht, pasi një liri vertikale është e destinuar të kontrollohet nga liderët. Kjo është arsyeja se pse kryeministri sot ka dështuar në misionin e tij, në komunikimin, apo siç preferon ai ta quajë, në “Bashkëqeverisjen me qytetarët”. Ai nuk flet dot as me studentët, as me banorët që kërkon t’ua shembë shtëpitë, sepse ata nuk kanë një kokë, por janë trup, ndaj dhe kryeministri ka nisur të flasë me veten duke kaluar deri në budallallëpsje virtuale. Vullkani i revoltës që zien sot tek studentët dhe tek rinia e pa korruptuar shqiptare, edhe nëse shuhet, do jetë një fikje e përkohshme, pasi llava ka nisur të mblidhet dhe është çështje kohe të shpërthejë. Dhe kur të shpërthejë, do bëhet e pakontrollueshme.

Kalendari politik i vitit 2018

8 janar – Xhafaj liron bashkëpunëtorin e ngushtë të Saimir Tahirit, Haki Çakon

Pas një propozimi të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, Këshilli i Ministrave vendosi ta lirojë nga detyra kreun e Policisë së Shtetit Haki Çakon. Duke qenë i propozuar në detyrë nga ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, me të cilin bashkëpunoi ngushtësisht përgjatë 3 vjetëve, ky shkarkim i kryepolicit Çako u interpretua në publik si shkarkimi i dytë i Saimir Tahirit. Kjo pasi, Haki Çako ishte i fundit drejtor i lartë i policisë i epokës “Tahiri” te uniformat blu, që lirohej nga ish-ministri Fatmir  Xhafaj, pas lëvizjeve në disa drejtori qarqesh. Pikërisht për këtë, kreu i PD-së, Lulzim Basha e cilësoi si vendim të vonuar nga Xhafaj lirimin e Çakos.

8 janar – Opozita lajmëron nisjen e protestave për në 27 janar

Aleatët e koalicionit opozitar vendosin piketat për aksionin intensiv opozitar dhe nisjen e protestave që në 27 janar. Qëllimi i aksionit opozitar, pjesë e të cilit janë edhe protestat, ishte sipas opozitës, bashkimi i shqiptarëve në një aleancë vlerash për të bërë të mundur largimin e Edi Ramës, si shkaktari kryesor i zhytjes së Shqipërisë në një krizë politike, ekonomike dhe morale. Po ashtu, opozita lajmëroi se me nisjen e sesionit të ri parlamentar, marrëdhënia e saj me Kuvendin do të jetë e kushtëzuar me interesin publik. Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Edmond Spaho në një intervistë për “Koha Jonë” deklaronte se me protestat masive, opozita synon mobilizimin e qytetarëve për t’ju kundërvënë Edi Ramës dhe qeverisë së tij, të cilët sipas Spahos, nuk përfaqësojnë qytetarët shqiptarë, por trafiqet e drogës dhe krimin e organizuar në tërësi. Nga ana tjetër, ai tha Edi Rama po zapton institucionet njëri pas tjetrit, në tentativë, sipas tij, për t’i shpëtuar llogaridhënies dhe daljes para drejtësisë.

15 janar – Seanca e parë e 2018-s nis me bllokim të foltores të Kuvendit

Seanca e parë plenare e këtij viti do të ishte vazhdim i asaj të 18 dhjetorit 2017, ku në Kuvend u miratua me 69 vota emri i Arta Markut si Kryeprokuore. Tensionet e seancës së fundit të 2017 u përcollën edhe në këtë seancë të parë plenare të këtij viti. Debatet për përgjegjësinë e panoramës së asaj seance dominuan në seancën prej 90 minutash të  pasdites së të hënës. Palët u përplasën edhe lidhur me kërkesën e fundit të opozitës për ndryshimet kushtetuese dhe ligjin e prokurorisë, çfarë çoi edhe në ndërprerjen e seancës për 5 minuta. Një refuzim i Ruçit për ti dhënë fjalën kreut të grupit Edmond Spaho, i cili po prezantonte pikërisht nismën, çoi në bllokimin e foltores nga opozita dhe më pas edhe në ndërprerje të seancës. Opozita theksoi se sa kohë Kushtetuta do të jetë e shkelur, institucionet do të jenë ilegjitime, marrëdhënia e saj me parlamentin do të jetë e kushtëzuar. Opozita vijon të mbrojë qëndrimin se zgjedhja e kryeprokurorit të përgjithshëm të përkohshëm është në shkelje të Kushtetutës dhe reformës në drejtësi. Për këtë shkak ata kanë kërkuar edhe dorëheqjen e kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi.

19 janar – Bushati dhe Kotzias takim hermetik ballë për ballë në Korçë

Zgjidhja e çështjeve të së shkuarës në funksion të së ardhmes së përbashkët të projektuar nën ombrellën e Bashkimit Evropian do të ulte ballë për ballë shefat e diplomacisë së Shqipërisë e Greqisë. Nikos Kotzias i ktheu vizitën e Kretës Ditmir Bushatit, në këtë proces të rëndësishëm dialogu dy ditor mes dy shteteve. Por ndryshe siç bëri Nikos Kotzias që e çoi delegacionin shqiptar në një Ishull, Ditmir Bushati vendosi ta presë atë në Korçë, pak kilometra nga toka greke, në një hotel privat të vogël. Ligji i luftës, për të cilën janë dhënë sinjale progresi, çështja çame, që në fakt ndan palët, por dhe tema të tjera të marrëdhënien mes dy fqinjëve, ishin në fokus të takimit.  Kryeministri grek kishte kërkuar që deri në muajin Prill të mund realizohet firmosja e marrëveshjes për shelfin kontinental që njihet si kufiri detar mes dy shteteve. Sinjalin e parë për ndryshim kursi nga pala greke ishin një sërë deklaratash nga ministri i jashtëm grek Kotzias, i cili u pozicionua kundra ligjit të luftës me dy vendeve. Nuk ka mbetur pas në dërgimin e sinjaleve paqëtuese edhe Shqipëria. Hapi i parë të treguarit konstruktiv ishte miratimi nga qeveria shqiptare i një vendimi që i hap dritën jeshile ndërtimit të dy varrezave për ushtarët e rënë grek në Këlcyrë të Përmetit dhe Dropullin e sipërm në Gjirokastër.

27 janar – Protesta e opozitës, mijëra në Shqipëri kërkojnë dorëheqjen e Ramës

Protesta e opozitës në 27 janar

Mijëra qytetarë u mbledhën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku sipas ish- kryeministrit Sali Berisha ishin më shumë se 500 mijë. Partia Demokratike dhe aleatët e saj zhvilluan një protestë duke kërkuar rrëzimin e qeverisë, ndërkohë me mijëra mbështetës të opozitës akuzojnë qeverinë për krim të organizuar dhe korrupsion. Opozita e Shqipërisë zhvilloi një protestë paqësore kundër qeverisë ku krerët e opozitës bënë thirrje për dorëheqjen e saj. Mijëra mbështetës të Partisë Demokratike dhe të aleatëve të saj si Lëvizja Socialiste për Integrim dhe partitë e tjera më të vogla u mblodhën të shtunën në kryeqytetin e Tiranës, për të protestuar kundër qeverisë, ku siguria e policisë ishte tejet e lartë pranë zyrave kryesore të qeverisë ku u mbajt tubimi, i cili u konsiderua si një provë ndaj mbështetjes për opozitën në vend.

3 shkurt – Falja e detit, Qytetarët thirrje për protestë masive para zyrës së Ramës

Deklaratat e zyrtarëve grekë se Greqia përfiton nga marrëveshja e ndarjes së detit me Shqipërinë kanë shkaktuar reagime të forta në Tiranë. Më shumë sesa klasa politike janë qytetarët ata që shprehen të revoltuar nga një pakt i tillë. Shoqatat dhe aktivistë të shoqërisë civile lajmëruan se do të nisnin aksionin kombëtar dhe protestat kundër marrëveshjes me Greqinë. “Protestë Masive për të ndaluar faljen e detit Greqisë. Të shtunën në 3 shkurt, ora 11:00 para Kryeministrisë!!”,– theksuan aktivistët e shoqërisë civile. Qytetarët u shprehën mjaft të indinjuar ndaj mënyrës sesi ka negociuar qeveria “Rama”. Pas dhënies së detit nga Sali Berisha para disa vitesh, kjo u cilësua nga qytetarët, si tradhtia më madhe kombëtare brenda pak kohësh.

15 shkurt – AKIP dhe banorët e Vërrisë protestë kundër inceneratorëve

Teksa në seancë plenare po mbahej interpelanca me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri në lidhje me projektin e qeverisë për tre incineratorë, Aleanca Kundër Importit të Plehrave, AKIP zhvilloi para parlamentit një protestë kundër ndërtimit të inceneratorëve. Ishin banorët e fshatit Vërri në Fier të cilët qëndresën e tyre dhe protestën kundër impiantit të mbetjeve e zhvendosën në Tiranë, ndërkohë që në parlament, deputetët e PD-së akuzuan ministrat e qeverisë për një aferë korruptive në instalimin e incerenatorëve në Elbasan, Tiranë dhe Fier. Pas 11 muajsh protestë në fshatin e tyre kundër ndërtimit të  inceneratorit për djegien e mbetjeve, ata dolën përpara parlamentit për të protestuar. Qytetarët e Fierit këtë të enjte protestat e tyre i kanë përshkallëzuar në Tiranë. Banorët e fshatit Verri vijojnë qëndresën kundër ndërtimit të inceneratorit  për djegien e mbetjeve. Inceneratorët, sipas ambientalistëve emetojnë gazra të helmëta që kontaminojnë ujërat nëntokësore, ato sipërfaqësore dhe shkaktojnë sëmundje të rënda. “Kush ka firmosur në këtë projekt të japë llogari”, thanë protestuesit

12 mars – Rama nis luftën me aktorët: Do ta shembim Teatrin Kombëtar

Në prani të disa aktorëve, artistëve të tjerë dhe grupeve të interesit, Kryeministri Edi Rama do të prezantonte projektin e ri për Teatrin e ri Kombëtar. I bindur se godina ekzistuese nuk mund të quhet as teatër komune, kreu i qeverisë tha se ajo do të shembet, për t’i hapur rrugë teatrit të ri modern. Rama u kujdes që t’u kthente përgjigje edhe atyre që, prej kohësh kanë thënë se do të ketë edhe një kullë, kur tha se nuk është teatër me kullë, por shtoi se nuk do ishte mëkat nëse do të ishte edhe me kullë. “Megjithatë, është një debat që ju mund ta vazhdoni me njëri-tjetrin”- tha ai. Kreu i qeverisë tha se Turbina nuk është zëvendësuese e përhershme e Teatrit Kombëtar, por do të shërbejë deri kur të ndërtohet teatri i ri. Dhe “lufta” e tij do të ndizej nga aktori Robert Ndrenika i cili shprehu shqetësimin e tij lidhur me këtë projekt të qeverisë me privatin.

19 mars – Presidenti Meta i jep plotfuqi Bushatit për negociatat me Greqinë

Një ditë pasi dha autorizimin për plotfuqi për nisjen e negociatave për kufirin detar me Greqinë, Presidenti Ilir Meta e cilësoi të gjithë procesin e deritanishëm si shumë të dobishëm. Kreu i shteti iu përgjigj edhe pyetjes nëse Ministria e Jashtme i kishte plotësuar të gjitha kërkesat e tij. Megjithatë, Meta nënvizoi se pret që rezultati nga negociatat të jetë solid. Në grupin negociator të qeverisë së Edi Ramës, bën pjesë edhe Artur Meçollari, i përjashtuar nga ushtria në vitin 2012 për dyshime spiunazhi. Opozita e ka akuzuar ashpër Ramën dhe Meçollarin, në lidhje me praninë e këtij të fundit në këtë grup negociator që do të përcaktojë pasuritë e Shqipërisë në lidhje me Greqinë. Nga ana tjetër dhënia e autorizimit nga Presidenti i Republikës Ilir Meta është pasqyruar gjerësisht edhe në mediat greke, të cilat e kanë konsideruar si dritë jeshile në vijimin e negociatave mes dy vendeve dhe që i hap rrugën arritjes së marrëveshjes dy palëshe.

26 mars – Pagesë për kalimin në Rrugën e Kombit

Koncensionari nisi testimin e pagesës për taksën e rrugës në “Rrugën e Kombit”, e cila do të variojë nga 2.5 euro për motorrat, 5 për autoveturat, 11.2 euro për autobusët, e deri në 22.5 euro për kamionët e rëndë. Pagesës do t’i nënshtrohen të gjithë shtetasit shqiptarë që udhëtojnë drejt Kukësit dhe anasjelltas. Por tarifa e kalimit që qeveria ka vendosur mbi rrugën Durrës-Kukës është deri në 4 herë më e lartë se sa çmimi i rekomanduar nga kompania konsulente. Qeveria shqiptare i ka garantuar koncesionarit privat të paktën 7.9 milionë euro të ardhura në vit. Nëse koncesionari mbledh më pak nga pagesat, atëherë qeveria do i paguajë diferencën nga buxheti i shtetit. Vendosja e tarifës së kalimit në rrugën Milot-Morinë përbën një situatë paradoksale. Kompania konsulente, edhe pse nuk e ka për detyrë, është kujdesur të mbajë parasysh edhe interesin publik, ndërsa qeveria, ajo që duhet të mbronte interesin publik, në këtë rast duket se ka mbrojtur të tjera interesa duke u vënë qytetarëve një taksë 4 herë më të rëndë nga niveli i rekomanduar.

31 mars – Kuksianët i heqin traun Ramës, protesta e ashpër në Rrugën e Kombit

Protesta kundër tarifës së qarkullimit në Rrugën e Kombit

Banorët e Qarkut të Kukësit do ta shprehnin me protestë kundërshtimin për tarifën për të qarkulluar në Rrugën e Kombit, edhe pas deklaratës së Kryeministrit Edi Rama se ata do të lehtësohen, por nuk do të përjashtohen nga pagesa. Nga pasditja e 31 marsit Rruga e Kombit do kalohej edhe për disa muaj më pas pa asnjë pagesë. Kjo falë protestës që degjeneroi në dhunë dhe përplasjes fizike mes banorëve të zonës së Kukësit me policinë, që shkaktoi nervozizëm në radhët e banorëve të indinjuar. Protestuesit i vunë flakën sporteleve ku paguhej tarifa e kalimit të Rrugës së Kombit. Ata hoqën trarët, shkatërruan dhe goditën me mjete të forta strukturën metalike, si dhe i vunë zjarrin disa kabinave aty afër, si infrastrukturë ndihmëse. Protesta kundër pagesës së lëvizjes në Rrugën e Kombit, që ishte paralajmëruar se do të ishte paqësore përfundoi në një shfaqje dhune, ku asnjëra nga palët, si ajo e protestuesve, edhe ajo e policisë nuk i kursyen pamjet e dhunës që vinin nga sheshi para hyrjes në tunelin e Kalimashit. Për afro katër orë protestuesit nuk pranonin të largoheshin, duke kërkuar që të vinte një përfaqësues i Qeverisë për t’i premtuar që do të hiqet tarifa, duke refuzuar në këtë mënyrë dhe premtimin nga Tirana për vendosjen e një aboneje për banorët e zonës dhe për shoferët që udhëtojnë shpesh në atë rrugë.

2 prill – Arrestimet e kuksianeve – Nis mosbindja civile, protestë maratonë para Policisë

Qytetarët vijojnë protestën maratonë para Drejtorisë së Policisë së Tiranës për lirimin e banorëve të arrestuar të Kukësit që prej mëngjesit të 31 marsit. Protestuesit bënë thirrje për lirimin e atyre që mbaheshin brenda duke pretenduar se edhe arrestimi edhe sjellja në Tiranë, janë kryer në mënyrë të paligjshme. Aktivistëve të shoqërisë civile, familjarëve të të arrestuarve, qytetarëve të ndryshëm që i janë bashkuar kauzës së protestës së dhunshme por të drejtë, u janë bashkuar që prej mbrëmjes së djeshme edhe deputetët e opozitës, në mbështetje si të të arrestuarve, sipas tij në mënyrë banditeske, por edhe të familjarëve të tyre, të protestuesve, dhe të të gjithë shqiptarëve që vuajnë nga banda e Ramës. Numri i protestuesve ka ardhur në rritje, ku jo vetëm aktivistë të shoqërisë civile, por edhe qytetarë të ndryshëm i janë bashkuar  hyrjes së Drejtorisë së Policisë në sensibilizim kundër arrestimeve të qytetarëve të Kukësit. Ndërkaq, kreu i PD-së Lulzim Basha dhe kryetarja e LSI-së në një mbledhje urgjente bënë thirrje për mosbindje civile ndaj qeverisë “Rama”.

5 prill – Rama pranon gabimin me Rrugën e Kombit: Pezullohet pagesa!

Teksa opozita kishte zbritur në rrugë ku po protestonte duke bllokuar katër prej akseve më kryesore në vend, Kryeministri Edi Rama, nga foltorja e Kuvendit pranoi nxitimin dhe konsultimin me shqiptarët dhe sqaroi atë që do të ndodhë me tarifën e Rrugës së Kombit. Rama tha se do të bëjë shpjegimin me durim të çështjes që ka krijuar pakënaqësinë legjitime të banorëve të zonës së Kukësit. “Ne nuk do të fillojmë sistemin e pagesës pa dhënë zgjidhjen më të mirë të mundshme për banorët e zonës. Duke bërë më të mirën e mundshme, do të arrijmë që të lehtësojmë barrën e tyre në mënyrë të ndjeshme dhe ta bëjmë të funksionojë sistemi”, tha Rama.

5 prill – Djegie gomash e “përplasje” me policinë, opozita del në protestë

Ashtu siç kishte paralajmëruar, opozita protestoi për më shumë se dy orë ku u vu në zbatim aksioni për mosbindje civile, i shoqëruar me bllokimin e katër akseve kryesore rrugore. Ndonëse pati konfrontime me policinë e u dogjën goma në Bradashesh e Milot, protestuesit lejuan kalimin e urgjencave mjekësore. Si kryedemokrati Basha ashtu edhe kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi u zotuan se ky ishte vetëm fillimi dhe se do vazhdonin të protestonin kundër rritjes së vazhdueshme të taksave. Qytetarët dhe përfaqësuesit e partive politike kërkuan lirimin e 11 kuksianëve, heqjen e traut në Rrugën e Kombit, si dhe heqjen e TVSH-se për biznesin. Akset e bllokuara nga protestuesit ishin: rrethrrotullimi i Bradasheshit për Lindjen, rrethrrotullimi në Çerme për Jugun, rrethrrotullimi Milot për Veriun, në Vorë për Shqipërinë e Mesme. Protestuesit bllokuan rrugën dytësore në Vorë, aty ku mori pjesë edhe kreu i PD-së, Lulzim Basha, si dhe deputetë te tjerë të Tiranës. Ndonëse ishte paralajmëruar si një protestë paqësore, situata është tensionuar. Në Elbasan protestuesit kanë djegur goma, ndërsa në Milot ka pasur “përplasje” të protestuesve me policinë. Ndërkohë, Policia e Shtetit tha se nuk ka marrë asnjë njoftim ligjor për tubime dhe përgjegjësit do përballen me ligjin.

7 prill – Shoqëria civile vendos traun e Rrugës së Kombit para Kryeministrisë

Vendoset trau te Kryeministria

Radhën për të protestuar e kishte Shoqëria Civile. Si simbol për të kundërshtuar vendosjen e tarifës së kalimit në Rrugën e Kombit është zgjedhur një tra i vendosur në hyrje të Kryeministrisë. Aktivistë të shoqërisë civile, artistë, qytetarë të papunë, studentë dhe pedagogë u shprehën kundër taksave të larta. Por kishte edhe nga ata që e paralajmëruan qeverinë se protesta në Rrugën e Kombit mund të përsëritet para Kryeministrisë.

9 prill – Artistët prezantojnë projektin për Teatrin. Kryemadhi në krah të tyre

Ashtu siç dhe kishin lajmëruar prej ditësh, artistët që kundërshtojnë projektin e qeverisë, kanë prezantuar pasditen e djeshme projektin e tyre për Teatrin Kombëtar. Projekti i ri, parashikon ruajtjen e godinës së teatrit ekzistues, duke kundërshtuar në këtë mënyrë projektin e qeverisë, që parashikon shembjen e godinës ekzistuese dhe ndërtimin e një godine të re. Sipas projektit të prezantuar nga artistët, godina e rikostruktuar e Teatrit Kombetar do jetë me 4 kate dhe do ketë të gjitha parametrat e duhura. Po ashtu lidhur me diskutimet për Teatrin Kombëtar, artistët patën një takim në selinë e Lëvisjes Socialiste për Integrim. Pas mbështetjes së kryedemokratit Lulzim Basha artistët e Teatrit Kombëtar morën edhe përkrahjen e kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi. “Veprimet e tyre përkojnë me strategjinë tonë për të mos shkatërruar teatrin, por edhe artin në përgjithësi”, tha kryetarja e LSI-së, duke shtuar se gjëja më e keqe që mund t’i bëhet një kombi është t’i shkatërrosh artin dhe kulturën.

20 prill – Gjykata e Shkodrës liron 7 nga 11 kuksianët

Gjykata e Apelit në Shkodër liroi shtatë nga protestuesit e Rrugës se Kombit dhe la në burg katër nga 11 që ishin me masën e sigurisë arrest me burg. Përgjatë gjithë orëve që u zhvillua seanca pranë godinës së gjykatës kanë qëndruar mbështetës të shumtë që kërkonin lirimin e kuksianëve. Vendimi për lirimin e tyre është pritur me ovacione dhe thirrje kundër kryeministrit Edi Rama. Pas katër orësh, shtatë nga 11 protestuesit u liruan, kurse katër prej tyre u lanë në burg. Gjykata e Apelit në Shkodër nuk ndryshoi masën e sigurisë për Elton Cengun, Florin Onuzi, Vasil Laçin. Xhevahir Gashi. Ata janë akoma në masën e sigurisë arrest me burg. Kurse të tjerët: Shpëtim Todën, Xhevahir Herenin, Shkëlqim Vatën, Ervis Ruçin, Rasim Onuzin, Abdi Haziri, Edmond Matmuja masa ndryshoi nga “arrest në burg” në “detyrim paraqitje”. Heqja e prangave u shoqërua me brohoritje brenda në sallë dhe jashtë godinës. Por pati kundërshtim për tre që u lanë brenda. Megjithatë familjarë dhe mbështetës të tjerë të 11 protestuesve nisën të festonin. Trupës gjykuese e përbërë nga relatore Hajrie Muçmataja dhe anëtarë, Asrit Kalaja e Vojsava Osmani iu desh një orë për të marrë këtë vendim. Kurse akuza e përfaqësuar nga prokurorët Brahim Ndragjoshi dhe Elvin Kutaj nuk u tërhoqën deri në fund. “Drejtësi gjysmake”, kështu e ka quajtur vendimin e Gjykatës së Apelit Shkodër Lulzim Basha.

30 prill – “Deti”, mbahet raundi i parë i bisedimeve mes Shqipërisë dhe Greqisë

Shqipëria dhe Greqia zhvilluan raundin e parë të bisedimeve mbi delimitimin e zonave detare me Shqiperinë. Lajmi është bërë publik nga Ministria e Jashtme e Greqisë në faqen e saj zyrtare. “Raundi i parë i bisedimeve midis Greqisë dhe Shqipërisë mbi përcaktimin e zonave detare u zhvillua sot, më 30 prill 2018, në Tiranë. Takimi u zhvillua në një klimë konstruktive bashkëpunimi”, thuhet në njoftimi e ministrisë së Jashtme helene. Pak minuta më vonë, të njëjtin njoftim zyrtar e publikoi edhe Ministria jonë për Europën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë. Burime nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë bëjnë të ditur se takimi është zhvilluar mes grupeve negociatore dhe jo në nivel ministror, por në nivel teknicienësh.

3 maj – Saimir Tahiri lë mandatin e deputetit

Saimir Tahiri deklaron dorëzimin e mandatit të deputetit

Në daljen e tij të fundit publike si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, Saimir Tahiri u shfaq i përpiktë në orarin e njoftuar më herët nga vetë. Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri doli para medieve ku mbajti një konferencë për shtyp nga Kryesia e Kuvendit dhe jo nga foltorja e Parlamentit, dhe pasi ka dëgjuar, siç tha ai, një lumë akuzash ndaj personit të tij përgjatë këtyre gjashtë muajve heshtjeje, që me nisjen e hetimeve ndaj tij lidhur me akuzat për implikimin e tij në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike si bashkëpunëtor i grupit “Habilaj”, Saimir Tahiri shfryu ashpër, dhe nuk kurseu askënd, pasi të gjithë, deputetë të opozitës, të mazhorancës, ministra, kryeministri, por dhe ambasadorët, tha ai, tashmë gjenden përballë tij, dhe “pushka top t’u bëhet” deklaroi ai. “Se kjo nuk është ndeshja ime e fundit, por veç e para”, tha Tahiri. Djallin, Saimir Tahiri e sheh në gjithë krahët tek citon Lulzim Bashën dhe brenda një fjalie dhe Edi Ramën. “Një herë shtyllë e krimit, një herë dru i shtrembër, vrasin natën e të qajnë ditën”, tha ai. Ish-ministri bëri thirrje të gjithëve t’i nënshtrohen vettingut, duke  akuzuar se janë këta politikanë që kanë lënë vendin në varfëri.

14 maj – PD publikon audio-përgjimin “Babalja”: Vëllai i Xhafajt, trafik droge

Partia Demokratike publikoi një përgjim telefonik që ajo pretendonte se implikon direkt përfshirjen e vëllait të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, Agron Xhafaj, në trafikun e lëndëve narkotike. Në bisedë dëgjohen vetëm dy persona që flasin për të lënë një takim. Sipas PD-së në të kaluarën, bashkëpunëtori “X” dhe Agron Xhafaj kanë punuar së bashku në trafikun e drogës, por kur bashkëpunëtori “X” u dënua me burg në Itali, Agron Xhafaj, nuk u interesua kurrë për të. PD pretendon se biseda është përgjim ambiental dhe dëgjohet vetëm bashkëpunëtori “X” që po flet në telefon me Agronin. Lidhur me këtë audio-përgjim, PD akuzoi direkt ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafajn se ka marrë në mbrojtje vëllain e tij.

21 maj – Rama hetim paralel të audio-përgjimit “Xhafaj”

Kryeministri  Edi Rama në një intervistë për “ABC Neës” është shprehur se pavarësisht gjithë situatës aktuale të Fatmir Xhafës dhe akuzat për të vëllanë, ai ka një vlerësim shumë pozitiv për punën e tij si ministër dhe se beson dhe është i bindur që audio-përgjimi dhe akuzat për “çështjen Xhafaj” janë të sajuar nga opozita. Rama tha se historia e ministrit Xhafaj, është e vjetër dhe s’ka asnjë gjë të re në të, teks pohoi se ka kryer hetime paralele të audio-përgjimit. “Prokuroria mund t’i drejtohet çdo laboratori të specializuar dhe të marrë një përgjigje. Unë e kam bërë, e kam analizuar çështjen duke marrë të dhënat që ishin në dispozicion, ajo që u shfaq dhe mu desh vetëm gjysmë dite për të marrë përgjigjen brenda standardeve nga një institucion i certifikuar ndërkombëtarisht. Por askush s’duhet ta marrë këtë si përgjigjen përfundimtare, pasi atë duhet t’a japë Prokuroria. Por nëse Prokuroria thotë se përgjimi është i vërtetë, atëherë ne do të rikonsiderojmë përgjigjen tonë. Por nëse prokuroria thotë se kemi të bëjmë me një falsifikim, atëherë do të jemi në kushtet e një veprimtarie të strukturuar kriminale”, tha Rama. Në vijim ai shtoi se nëse kjo ndodh atëherë janë të implikuara struktura për të realizuar këtë që po ndodh sot.

26 maj – Opozita zbret në shesh, protestë kundër “Xhafajt”

Protesta e opozitës kundër ministrit Fatmir Xhafaj

Opozita zbriti në shesh dhe për më shumë se 3 orë u kërkua dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.  Kjo protestë, e cila do të kulmonte në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe e thirrur nga kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, vjen pas publikimit të audio-përgjimit, ku vëllai i ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, Agron Xhafaj shfaqet në një bisedë për trafik droge. I vetmi fjalim i mbajtur ishte ai i kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha i cili priu protestën e opozitës. Basha deklaroi se nuk po kërkohet thjesht ndryshimi i qeverisë, por ndarja e politikës nga krimi, korrupsioni dhe e keqja dhe se kërkohet një qeveri që punon për njerëzit.  Sipas tij e vetmja rrugë është largimi i kësaj qeverie të lidhur me krimin. Edhe pse jo problematike, protesta  e opozitës është shoqëruar me tensione, në momentin kur  pikërisht disa prej protestuesve tentuan të çajnë kordonin e policisë tek Ministria e Brendshme. Një protestues ka humbur ndjenjat dhe është shtrirë përtokë. Ndërkohë që protestues të tjerë i kanë kërkuar qytetarëve të krijojnë hapësirë. Ndërkaq, në këtë protestë do të lëndohej edhe gazetari Blendi Kasmi, ngjarje që do të shkaktonte reagime edhe pas protestës.

15 qershor – Artistët në protestë: Ky teatër është jeta jonë

Me një banderolë të madhe, dhjetëra artistë dolën pasdite në protestën e paralajmëruar pranë Teatrit Kombëtar. “Eja në Teatër” dhe “Mbro Teatrin”, ishin disa nga banderolat e mëdha në hyrje të dy godinave. Artistët u bëjnë thirrje qytetarëve që të mos kenë frikë dhe të vijnë të mbrojnë teatrin. Artistët thonë se nuk do të lejojnë ngritjen e kullave atje. Ndërkohë, protesta e aktorëve vjen vetëm një ditë pasi kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj dështoi në negociata me ta.

26 qershor – KE ngel në klasë Shqipërinë

Reforma në drejtësi, lufta kundër krimit të organizuar dhe lufta kundër korrupsionit janë tre arsyet më kryesore që kanë sjellë penalizimin e Shqipërisë duke mos i hapur negociatat në 28 qershor. Në takimin e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme, i mbledhur në Luksemburg, vendet e BE kanë sugjeruar që vendimi të shtyhet një vit më vonë. Këshilli inkurajoi Shqipërinë që të vazhdojë dhe thellojë përpjekjet për të reduktuar kultivimin e kanabisit, duke u mbështetur në rezultatet e rëndësishme të vërejtura gjatë muajve të fundit. “Shqipëria duhet të intensifikojë përpjekjet në të gjitha këto fusha dhe të sigurojë që rezultatet e mëtejshme të prekshme të arrihen edhe në luftën kundër korrupsionit në nivel të lartë”-thekson më tej në dokument.

5 korrik – Kuvendi legjitimon shembjen e Teatrit Kombëtar

Me 75 vota pro mazhoranca miratoi e vetme projektligjin e futur në Kuvend me procedurë të përshpejtuar, draft i cili i hap rrugë shembjes së godinës aktuale të Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin e kullave në truallin e tij. Pas më shumë se 12 orësh debate dhe protesta në Kuvend dhe jashtë tij, PS-ja kaloi draftin në një votim që u shoqërua me protestën e deputetëve në sallën e seancës plenare duke qëndruar në këmbë në tentativën e fundit për të penguar këtë votim. Opozita deklaron se ky ligj është një vjedhje e hapur e pronës publike dhe një aferë korruptive, duke paralajmëruar se draftin do të ankimohet edhe në Strasburg. Ndërkohë artistët të mbështetur nga qindra qytetarë u mblodhën që në orët e para të mëngjesit, duke protestuar jashtë seancës së Kuvendit kundër miratimit të këtij ligji. Gjatë protestës së djeshme u hodhën edhe tymuese, ndërsa vetë protesta tërhoqi dhe vëmendjen e medieve ndërkombëtare, ku ra në sy transmetimi direkt edhe nga  “Zëri i Amerikës”.

11 korrik – Audio-përgjimi i Xhafajt, PD e LSI kallëzim penal ndaj Ramës

Dy kryetarët e grupeve parlamentare të dy partive të mëdha të opozitës kanë depozituar një kallëzim penal në Prokurorinë e Krimeve të Rënda ndaj kryeministrit Edi Rama në lidhje me audio-përgjimin për vëllain e ministrit të Brendshëm. Opozita kërkoi hetim penal ndaj Ramës për shkak të pengimit të zbulimit të së vërtetës, ndërsa u shpreh se në vend ekzistojnë dy prokurori, ajo ku u bë kallëzimi penal dhe prokuroria e Edi Ramës. Kallëzimi i opozitës bazohet tek deklarata e kryeministrit Edi Rama, i cili, pas publikimit nga PD të audiopërgjimit që provon përfshirjen në trafik droge të vëllait të Ministrit të Brendshëm, u shpreh se “Unë e kam marrë mbrëmë përgjigjen e analizës shkencore të kryer në një nga laboratorët më seriozë të botës” dhe se “Nuk jemi absolutisht përpara asnjë lloj prove kompromentuese për ministrin e brendshëm, por përpara një akti mashtrimi me një material jo autentik”.

12 korrik – Artistët dhe qytetarët zbarkojnë në shesh

Protesta për Teatrin

Artistët të mbështetur edhe nga shoqëria civile zhvilluan një marshim-protestë në mbrojtje të godinës aktuale të Teatrit Kombëtar, duke kundërshtuar ligjin e miratuar në Kuvend me procedurë të përshpejtuar nga mazhoranca, ligj ky që i hap rrugë shembjes së teatrit. Protestuesit i kanë bërë thirrje kryeministrit Edi Ramës të tërhiqet nga projekti për shembjen e Teatrit Kombëtar, ndërsa me vargjet e këngës “Eja mblidhuni këtu” iu kanë bërë apel qytetarëve të bashkohen para Kryeministrisë dhe Presidencës. Ata mbanin pankarta në duar, ndërsa lëviznin përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Me pankarta “Mbro Teatrit”, “Pa Teatër, pa MSA, s’ka Evropë” dhe “ISIS përgjegjëse për 28 monumente kulturore” mbi një foto të kryeministrit Rama, protestuesit marshuan paqësisht në shesh deri përpara selisë së Kryeministrisë.

1 gusht – Qeveria sulmon Presidentin për kthimin e ligjit për lojërat e fatit

Një ditë pasi Presidenti Meta, me anë të një dekreti, riktheu për rivotim në Kuvend ligjin për “tatimin mbi të ardhurat”, duke shprehur rezerva për nenin 6 që trajton tatimin e lojërave të fatit, ka reaguar Ministria e Financave. Teksa sqaron se ndryshimet e propozuara në ligj, për “tatimin mbi lojërat e fatit”, nuk sjellin asnjë ndryshim apo relaksim të tatimit për kategoritë e lojërave të fatit nga ligji i vitit 2015, Ministria e Financave thekson se ato “unifikojnë procedurën e tatimit, për të gjithë kategoritë e lojërave të fatit, përfshirë Lotarinë Kombëtare që me ligjin e vjetër ka qenë e përjashtuar”. Ndryshimet e ligjit u miratuan në muajin Korrik me paketën e re fiskale, ku tatimi mbi të ardhurat 15% nuk do të llogaritet mbi xhiron, por mbi të ardhurat bruto, duke zbritur shumën që ju shpërndahet lojtarëve fitues.

4 gusht – Berisha përplaset me Thaçin

Ish-kryeministri Sali Berisha është politikani i parë shqiptar që ka reaguar ndaj deklaratave që vinin nga Kosova, ku është treguar i ashpër ndaj propozimit të Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për marrëveshje me Serbinë për të shkëmbyer territore. Sipas Berishës, Lugina e Preshevës nuk mund të përdoret për tregti. Duke marrë shkas nga një takim që ai zhvilloi me përfaqësues të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, Berisha deklaroi se Lugina e Preshevës nuk mund të përdoret për tregti. Sipas tij, t’i njohësh të drejtën Serbisë, fuqisë së humbur nga lufta, të paraqesë pretendime territoriale ndaj Kosovës është gabim i madh dhe historik, është në një farë mënyre një zhbërje e qëllimit dhe rezultatit të luftës dhe kapitullimit të Serbisë. “Kjo është edhe një zhbërje e Kosovës së çliruar në vitin 1999, të njohur në dokumentet ndërkombëtare dhe nga mbi 115 shtete përfshi këtu 95% të vendeve të lira të botës. Republika e Kosovës është shpallur dhe njohur si shtet i pavarur me kufijtë e saj aktual ndërkombëtar, ndaj Serbia nuk ka asnjë të drejtë dhe nuk duhet t’i njihet asnjë e drejtë për të pretenduar qoftë edhe një pëllëmbë tokë të territorit të Kosovës”, nënvizon Berisha.

17 gusht – Deputeti socialist Jurgis Çyrbja implikohet në dosjen “Shullazi”

Pas një hetimi të nisur kryesisht në shkurt të 2016, prokuroria për Krime të Rënda vuri nën përgjim dhe vëzhgim Emiljano Shullazin dhe miqtë e tij. Mes dhjetëra telefonatave të përgjuara, dy prej tyre tërhoqën vëmendjen e prokurorëve. Në rrjetën e përgjimit, kishte rënë Jurgis Çyrbja, ish-zyrtar i lartë i hipotekës në Durrës, aktualisht deputet i Partisë Socialiste. Referuar dosjes hetimore të zbardhur nga “Neës24” rezulton se menjëherë sapo një oficer i policisë gjyqësore shkoi në zyrat e hipotekës në Durrës për të sekuestruar praktikën e regjistrimit të ish-hotel Vollgës, Çyrbja telefonon Gilmando Danin, i konsideruar si krahu i djathtë i Shullazit. Ligjvënësi e informon atë, se prokuroria ishte vënë në lëvizje dhe shprehte shqetësim për këtë fakt. “E kemi keq punën. Lidhet me detyrën time”, dëgjohet Çyrbja t’i thotë të pandehurit. Kaq ka mjaftuar që të shpërthejnë akuzat e opozitës ndaj deputetit dhe vetë kryeministrit Edi Rama, ku i kërkohet jo vetëm dorëzimi i mandatit deputetit Çyrbja, por edhe dorëheqja e vetë Edi Ramës.

3 shtator – Vendimi i opozitës: Marrëdhënie të kushtëzuar me parlamentin

Opozita vendosi ta bojkotojë seancën e parë të Kuvendit për këtë sesion të ri, pasi vendosi të zhvillojë një takim të jashtëzakonshëm në Shkodër në orën 17:00, si mesazh kundër krimit dhe situatës së rëndë që po kalon vendi. Vendimi i PD-së është marrë pas takimit që u zhvillua me aleatët, ku është rënë dakord që të mbahet një takim i jashtëzakonshëm. Marrëdhënie të kushtëzuar me parlamentin është ajo që ka vendosur të bëjë opozita, pas mbledhjes që u mbajt në Shkodër, e cila theksoi se është aty për të mbrojtur qytetarët, ndërsa Rama, rri në Tiranë. “Opozita ka vendosur që të ketë një marrëdhënie të kushtëzuar me parlamentin. Vendi nuk ka ministri të Brendshme, por qeverisin kriminelët”, tha kreu i deputetëve të LSI-së Petrit Vasili.

10 shtator –Teatri”, BE: Ligji të amendohet, duhet garë e hapur

Komisioni Europian ka dhënë dakordësinë e tij për amendimin e ligjit për teatrin, por njëkohësisht kërkon nga qeveria një garë të hapur e transperente, duke ftuar edhe aktorë të tjerë të interesuar. Shefja e Njësisë për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën në Drejtorinë e Përgjithshme për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Michela Matuella, i ka dërguar një letër qeverisë në të cilën sqarohet se ligji i depozituar në Parlament nuk shkel Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, por i sugjeron qeverisë që të ftojë edhe aktorë të tjerë të interesuar në një garë të hapur.

12 shtator – Mazhoranca hap garën për Teatrin e Ri

Pas letrës së KE-së, mazhoranca ka hapur garën për ndërtimin e Teatrit të Ri në kryeqytet, por nuk heq dorë nga shembja e godinës aktuale. Mazhoranca u shpreh se do të amendojë dekretin e presidentit Meta, duke bërë të mundur që për ndërtimin e Teatrit të ketë një garë të hapur. Por për PD-në kjo garë është vetëm fasadë, pasi në fund dihet kush do ta fitojë konkursin. Deputeti i Partisë Socialiste, Eduard Shalsi në cilësinë e kryetarit të Komisionit Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese theksoi se mazhoranca nuk është dakord me disa pika që përcaktohen në dekretin e Presidentit për ligjin që parashikon shembjen e godinës aktuale të Teatrit Kombëtar.

13 shtator – Mafia e lojërave të fatit rrëzon dekretin e Presidentit

Kuvendi, me vetëm socialistë të ulur në karriget e tij, rrëzoi me forcën e kartonave dekretin e Presidentit të Republikës për lojërat e fatit. Dekreti u rrëzua me 74 vota socialistësh pro që ndodheshin në sallë. Presidenti Meta e ktheu në Parlament ligjin e miratuar nga shumica, duke e arsyetuar me uljen e barrës fiskale për lojërat e fatit dhe duke kujtuar se në këtë mënyrë do të stimulohej më shumë industria e bixhozit. Por qeveria ka insistuar deri në rrëzimin e dekretit ditën e djeshme. Opozita dhe faktorë të tjerë kanë akuzuar qeverinë se përmes lojërave të fatit po kryejnë një mega-operacion pastrimi parash të pista të përfituara nga droga, korrupsioni dhe aktivitete të tjera kriminale.

26 shtator – Ish-oficeri Emiljano Nuhu denoncon deputetët e PS-së

Denoncimi i ish-oficerit Emiljano Nuhu

Deputeti socialist, Taulant Balla, akuzohet nga një punonjës policie se ka kërcënuar me armë brenda komisariatit të Krujës punonjësit e policisë për të ndikuar mbi procesin e marrjes në pyetje të djalit të kolegut të tij, Rrahman Rraja. Ngjarja që ishte denoncuar edhe dy muaj më parë nga ish-kryeministri Sali Berisha në facebookun e tij, u mohua kategorikisht nga deputeti, i cili shtoi se do të bëjë një kallëzim penal për shpifje. Nënkomisari Emiljano Nuhu e ka denoncuar në një intervistë për “Shijak Tv” këtë rast, duke thënë se Taulant Balla, kryetari i bashkisë Krujë, Artur Bushi, deputeti i PS-së Rrahman Rraja e kanë kërcënuar me vrasje dhe Xhelal Rrahja, vëllai i deputeti të PS-së i ka vendosur pistoletën në kokë në ambientet e Policisë së Fushë Krujës, për një rast përdhunimi ku ishte i përfshirë djali i deputetit Rraja. Oficeri i policisë në Fushë Krujë, Emiljano Nuhu ka rrëfyer në lidhje me hetimin e zhvilluar nga ai, për përdhunimin e Xhensila Malokut nga djali i deputetit të PS-së, Rrahman Rrahja.

2 tetor – “Xhisiela”, Rexhep Rraja me pranga në duar kërcënon Bashën

Gjykata e Krujës rikonfirmoi masën e sigurisë “arrest me burg” për 24 vjeçarin Rexhep Rraja, djalin e deputetit socialist Rrahman Rraja, të akuzuar për përndjekjen e ish të dashurës së tij Xhisiela Maloku. Ai mbërriti në gjykatë i veshur sportiv, ndërsa u shfaq i qetë brenda kafazit të të pandehurit. Seanca e gjyqit u ndoq nga të afërm të Rexhepit, por prindërit e tij, deputeti Rrahman Rraja dhe e ëma nuk ishin në sallë. Po ashtu në sallë mungoi dhe Xhisiela Maloku. Të afërmit  e pranishëm u përshëndetën me të riun, jashtë ambienteve të gjykatës dhe në sallën e gjyqit, madje morën dhe një shkelje syri prapa hekurave nga Rexhepi. Me pranga duart djali i deputetit socialist të Krujës, kishte një sfidë për kryedemokratin. “Lulzim Basha ta provojë në votime”- deklaroi Rexhep Rrahja.

27 tetor – Fatmir Xhafaj jep dorëheqjen

Dorëhiqet nga detyra e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, propozohet Sandër Lleshaj në vendin e tij

Me një vendimi disi të papritur Fatmir Xhafaj, dha këtë të shtunë dorëheqjen nga posti i Ministrit të Brendshëm, detyrë të cilën ai e mbajti prej marsit të vitit të kaluar, pas shkarkimit të Saimir Tahirit, i akuzuar nga opozita për bashkëpunim në trafik droge me grupin e Habilajve. Por ky vendim do të shkaktonte një furtunë reagimesh dhe komentesh nga opozita, reagime këto që do ta detyronin ministrin e sapo-dorëhequr Fatmir Xhafaj të reagonte në një përpjekje për t’i dhënë përgjigje jo vetëm akuzave të opozitës, por edhe aludimet e dyshimet për prapaskena të artikuluara në media. Xhafaj theksoi dhe njëherë se dorëheqja është bërë me vullnetin e tij të plotë. Por ndryshe la të kuptohej kryeministri Rama i cili edhe pse nuk donte ta komentonte këtë akt, do ti përcillte nga Divjaka një mesazh socialistëve. “Kur hyn në një parti nuk i bën do të gjitha. Unë që kur hyra në parti hoqa dorë nga ideja që mund të shkoja prapë në plazh nudo. Nuk shkoja dot më, se mbaroi. Po ka dhe të tjera, diskutojmë ne me njëri tjetrin dhe kemi ndonjë shok që thotë jam njeri i lirë. Jo mo se nuk je njeri i lirë, je i lirë ta thuash këtu dhe ta diskutojmë këtu, por nuk je i lirë të dalësh atje e të gjuash me gurë shtëpisë ku jemi bashkë se nuk ka kuptim. Nëse do të dalësh ti gjuash me gurë shtëpisë, ik se nuk je pjesë e shtëpisë”- tha Rama.

2 nëntor – Protestë tek Unaza e Re kundër projektit të Bashkisë

Banorët e segmentit të Unazës së re në Tiranë që banojnë në dy krahët e rrugës nga Pallati me Shigjeta deri tek Sheshi “Shqiponja”, aty ku do të zhvillohet projekti për zgjerimin e rrugës që paraprihet nga shembja e 317 godinave, shtëpi dhe biznese, kanë protestën e tyre në përpjekje për të penguar zbatimin e këtij projekti. Banorët në shenjë të revoltës ndaj qeverisë dhe bashkisë së Tiranës, nuk kanë lejuar kalimin e automjeteve dhe kanë debatuar me shoferët e disa makinave që kanë tentuar të anashkalojnë protestën e tyre.

6 nëntor – Rama i “shpall luftë” Presidentit Ilir Meta

Me 75 vota pro, asnjë kundër, asnjë abstenim, mazhoranca në Kuvendin e Shqipërisë miratoi në seancën e jashtëzakonshme dekretin e shkarkimit të Fatmir Xhafajt nga detyra e Ministrit të Brendshëm. Nga foltorja e Kuvendit, kryeministri Edi Rama është ndalur tek refuzimi i Presidentit Meta të kandidaturës së Sandër Lleshit si pasardhës i Xhafajt në Ministrinë e Brendshme. Dhe për këtë çështje, nga foltorja e Kuvendit, kreu i Qeverisë pohon se tashmë ka një problem mes mazhorancës dhe Presidentit Ilir Meta. Sipas tij ky problem ka të bëjë pikërisht me faktin siç tha Rama, se mazhoranca është votuar për të bërë ligje dhe për të qeverisur vendin. Dhe nuk priste që ai të refuzonte ministrin e propozuar nga vetë Edi Rama.

12 nëntor – Presidenti Meta: Një gjeneral s’mund të jetë ministër i Brendshëm

Me qëllim informimin e opinionit publik dhe në interes të transparencës, Presidenti i Republikës, Ilir Meta autorizoi bërjen publike të pyetjeve josekrete drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes lidhur me propozimin për emërimin e Sandër Lleshajt si ministër të Brendshëm. Në kërkesën e tij dërguar që me datë 9 nëntor ministres Olta Xhaçka dhe për dijeni të Kryeministrit dhe Kryetarit të Kuvendit, Presidenti i Republikës i qëndron bindjes se nuk mund të ketë asnjë institucion funksional jashtë një Kushtetute funksionale. Meta e vlerësoi emërimin e tij si një problematikë themelore kushtetuese. Kjo sepse ushtarakët e shërbimit aktiv nuk mund të zgjidhen ose të emërohen në detyra të tjera shtetërore dhe as të marrin pjesë në parti apo veprimtari politike, ndërkohë që një ushtarak i shërbimit aktiv nuk mund të kandidojë dhe as të zgjidhet ministër apo deputet pa hequr dorë më parë nga detyra. Për këtë arsye, Presidenti i dërgoi një letër me 14 pyetje Ministrisë së Mbrojtjes ku në thelb është i shqetësuar vetëm për një fakt: A është apo jo Gjeneral Sandër Lleshi ende ushtarak aktiv, gjë e cila sipas nenit 69 të Kushtetutës e pengon për t’u zgjedhur deputet si një kriter që duhet të plotësojë për të qenë ministër. Presidenti Ilir Meta kërkon përgjigje shteruese nëse procesi gjyqësor i kandidatit për ministër ka përfunduar dhe çfarë procedurash ka ndjekur ministria e Mbrojtjes për të zbatuar vendimin e gjykatës për të rikthyer ose jo Sandër LLeshaj në pozicionin e mëparshëm si zv/ shef i Shtabit të Forcave të Armatosura dhe për ta shpërblyer  në bazë të vendimit të gjykatës.

22 nëntor – Banorët e “Astirit” protestë te Kuvendi, lëndohet policja Ina Nuka

Protesta e banorëve të Unazës para Kuvendit

Një pjesë e deputeteve të opozitës së bashkuar braktisën tryezën për buxhetin 2019 dhe iu bashkuan protestës së banorëve të “Astirit” përballë Parlamentit. Protesta e banorëve është shoqëruar me tensione dhe përplasje me policinë pasi kanë tentuar të futen në seancën e Parlamentit. Me pankarta në duar ku shkruhet: “ Të mjerë, të pashpirt, të çmendur” si dhe për “familjen japim jetën” të gjithë njëzëri i kërkojnë qeverisë të mos preken shtëpitë pa marrë vlerën e dëmshpërblimet me vlerën e tregut. Rreth 20 mjete të FNSH-së janë prezente si dhe shumë forca kanë hyrë në oborrin e Namazgjasë për të qëndruar në gatishmëri në rast se situata mund të precipitojë. Rreth Parlamentit është krijuar edhe një kordon policie me qëllim ruajtjen e institucionit, por gjatë përplasjes protestuesit do të qëllonin me kapsolla dhe tymuese në drejtim të kordonit të policisë, ku për pasojë u lëndua në dorë policja Ina Nuka, çka shkaktoi përplasje dhe të arrestuar mes protestuesve.

4 dhjetor – Përshkallëzohet lëvizja/ Në rrugë edhe studentët e Inxhinierisë

Qytetarët e Tiranës kanë nisur protesta në shumë zona të kryeqytetit që nga Shkoza tek Unaza e re, studentët e Inxhinierisë dhe minatorët. Banorët e Shkozës në Tiranë kanë dalë në protestë pasdite dhe kanë bllokuar rrugën e rrjedhimisht dhe qarkullimin, duke vendosur kazanët e mbeturinave përgjatë saj ndërsa kanë ndezur edhe zjarre. Protesta janë zhvilluar edhe tek zona ku po ndërtohet Bulevardi i ri i Tiranës, ku ata ankohen se nuk kanë marrë dëmshpërblimet. Banorët e Bregut të Lumit protestojnë për mungesën e dëmshpërblimeve nga ndërtimi i Bulevardit të Ri. Ndërsa në orën 17.00 tek Unaza e Re, “jelekët portokalli” do të dilnin në ditën e 31-të të tyre në protestë kundër shembjes së shtëpive të tyre. Banorët e “Astirit” kanë bllokuar sërish lëvizjen e makinave në shenjë proteste kundër shembjes së banesave dhe bizneseve të tyre që preken nga projekti i “Unazës së Madhe”, pa u dëmshpërblyer në 100% të vlerës së tyre. Qytetarët shprehen të vendosur në kauzën e tyre dhe kanë paralajmëruar se do t’i mbrojnë pronat e tyre me gjak. Pas kësaj ata kanë rrëzuar në shenjë proteste blloqet e betonit si dhe rrethimin e vendosur nga kompania zbatuese e projektit. Banorët u shprehën se protestat do të vijojnë, ndërsa shtojnë se janë ata që vendosin, e jo qeveria e bashkia.

5 dhjetor – Rama e Nikolla provokojnë studentët: Nuk paguaj për ngelësat

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me protestën e studentëve, të cilët kundërshtojnë tarifat. Në përgjigje të një komentuesi, Rama thotë se taksapaguesit nuk duhet të paguajnë shpenzimet e universitetit për studentët ngelës. “Ministrja s’është as pa shkollë, as me UFO, ndryshe nga çfarë ju mund të keni mësuar nëpër kazanet mediatike, ndërkohë që pyetja ime është: A jeni ju dakord që t’i paguani ju, pra taksapaguesit, shpenzimet e universitetit për studentët ngelës? Unë për vete nuk jam dakord”, u shpreh Rama. Ndërsa, Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla teksa shmangu llogaridhënien mbi kërkesat e studentëve të cilët prej tre ditësh kanë braktisur mësimin duke dalë në protestë poshtë zyrës së saj, kundër tarifës për provimet e mbartura, kushte më të mira në konvikte dhe lehtësira që krijohen përmes pajisjes së tyre me kartën e studentit, thekson protesta e tyre është e motivuar politikisht.

6 dhjetor – Zbulohet mega-skandali i kompania që fitoi tenderin e Unazës së Re

Denoncimi i skandalit nga emisioni “Të pa ekspozuarit”

Emisioni “Të Paekspozuarit”, arriti të zbulojë një mega skandal, lidhur me kompaninë Dunëell Haberman (kompania mëmë e DH Albania) e cila është fituese e lotit të parë prej 18 milionë euro për rindërtimin e Unazës së Madhe. Kjo kompani ka depozituar në Qendrën Kombëtare të Biznesit në Shqipëri, një letër nga Sekretari i Shtetit të Delaëare, Jeffrey Bullock, për të vërtetuar se kompania është themeluar në vitin 1998, gjë që siç u faktua nga gazetarët rezultoi se ishte një mashtrim.

8 dhjetor – Unaza e Re, Basha e Kryemadhi kërkojnë arrestime

Banorët e “Astirit” nuk i ndalojnë protestat në mbrojtje të banesave dhe bizneseve të tyre që preken nga projekti i Unazës së Madhe, tashmë në ditën e tyre të 35-të me radhë. Me parullat  “Shpia jonë, jeta jonë. Këtu vendosim ne. Shtëpitë tona i mbrojmë me gjak, Me gjakun tonë ushqehet krimi. ”, banorët nga ana tjetër kanë kërkuar plotësimin e kërkesave të tyre. Në ditën e 35-të protestës, banorët e Unazës së Re vazhdojnë të mbështeten nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha, dhe deputetët e LSI-së, Endrit Braimllari, Klajda Gjosha, Nora Malaj, Kejdi Mehmetaj dhe Floida Kërpaci. Kreu i PD-së, në një prononcim për mediat ka kërkuar arrestimin e ministrit të Energjetikës dhe Infrastrukturës, Damian Gjiknuri dhe kreut të ARRSH-ës, Afrim Qendro. Më tej, Basha tha se në vend të Dorjan Protoduarit, duhet të ishte në burg, Gjiknuri dhe Qendro. Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi gjatë takimit të zhvilluar me strukturat e Lëvizjes së Gruas për Integrim i cilësoi protestat e studentëve si një leksion demokracie për politikën shqiptare. Në takimin me strukturat e LGI-së, Monika Kryemadhi i bëri thirrje Kryeprokurores Arta Marku që të mos hezitojë më, por të nis hetimet dhe të marrë të pandehur kryeministrin Rama, ministrin Gjiknuri dhe drejtorin e ARRSH-së, Afrim Qendro. Ajo tha se të tre këta titullarë janë të përfshirë të drejtpërdrejtë në skandalin e mashtrimit dhe falsifikimit të projektit të Unazës së Re, me qëllimin grabitjen dhe vjedhjen e 20 milion eurove.

8 dhjetor – Presidenti mesazh solidarizimi me studentët në protestë në Ditën e Rinisë

Në Ditën e Rinisë, Presidenti i Republikës Ilir Meta shprehu mirënjohje të gjithë studentëve, të cilët 28 vite më parë vërshuan në rrugët dhe sheshet e Tiranës, me thirrjen  “E duam Shqipërinë si gjithë Europa. Por kur kanë kaluar gati 3 dekada nga shprehja e kësaj aspirate, Meta inkurajon dhe mbështet studentët e sotëm, të cilët me shpirtin e tyre të lirë, energjinë, guximin e kurajon e pashembullt të marrin aktivisht pjesë në proceset demokratike për europianizimin e plotë të vendit dhe për ndërtimin e një të ardhmeje të sigurt të tyre në Shqipëri. “Mirënjohje të gjithë studentëve, të rejave e të rinjve, të cilët 28 vite më parë vërshuan në rrugët dhe sheshet e Tiranës, me thirrjen që kumbonte nga gjokset e tyre rinore “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” dhe “Liri-Demokraci”, për të shndërruar 8 Dhjetorin në Ditën e tyre, Ditën e Rinisë, Ditën e Lirisë, Ditën e Europës. Kujtojmë me nderim veprën e Azem Hajdarit, liderit të Lëvizjes Studentore, i cili me guxim, kurajo e shpirt sakrifice frymëzoi ato minuta e orë vendimtare për mijëra studentë, të rinj, pedagogë e intelektualë, për të kthyer në Shqipëri lirinë e munguar. Jehona e thirrjeve “Liri-Demokraci” dhe e “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” të 8 dhjetorit 1990 është ende një aspiratë, jo plotësisht e realizuar. Inkurajoj dhe mbështes rininë e sotme, veçanërisht studentët, të cilët me shpirtin e tyre të lirë, energjinë, guximin e kurajon e pashembullt të marrin aktivisht pjesë në proceset demokratike për europianizimin e plotë të vendit dhe për ndërtimin e një të ardhmeje të sigurtë të tyre në Shqipëri”- u shpreh në mesazhin e tij Presidenti Ilir Meta.

11 dhjetor – Falsifikimi i dokumenteve për Unazën, Gjiknuri: Prishet kontrata

Dyshimi se një prej kompanive fituese në tenderin për ndërtimin e segmentit numër 1 të Unazës së Tiranës, pallati me shigjeta-sheshi “Shqiponja”, është konfirmuar nga autoritetet amerikane. Ministri i Infrastrukturës Damian Gjiknuri njoftoi se veç pezullimit të punimeve pak ditë më parë, tashmë është ndërmarrë edhe hapi tjetër; ai i prishjes së kontratës me kompaninë në fjalë dhe ka nisur procedurat e sekuestrimit të garancisë prej 10 %. Të njëjtat hapa janë ndërmarrë edhe për një kontratë tjetër që kishte fituar kompania me Operatorin e Sistemit të Transmetimit. Nga ana tjetër, ministri tha se ka nisur një proces hetimor në Shqipëri dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërkohë Gjiknuri tha se të gjithë përgjegjësit do të japin llogari, përfshirë edhe vetë ministrin, por ai tha se nuk ka asnjë përfshirje në falsifikimin e dokumenteve.

12 dhjetor – Në protestë edhe minatorët: Miratoni statusin!

Vala e protestave të dhjetorit vijon të përhapet në të gjithë vendin. Minatorët e Bulqizës zbritën në rrugë me një ultimatum për qeverinë. Përmirësim i kushteve të punës dhe miratim i statusit të minatorit brenda vitit ose në të kundërt ata do të futen në Grevë Urie. Nën këtë pankartë që i përmbledh të gjitha kërkesat e këtij komuniteti, minatorët e familjarë marshuan nëpër qytetin me pasuri nëntokë e të varfër mbi të.

13 dhjetor –  “Blackout”, Shqipëria në protestë bllokohen rrugët kryesore në vend

Stundentët në protestë te Ministria e Arsimit

Shqipëria është kthyer në një arenë protestash, si pasojë e kushteve të rënduara ekonomike që po kalojnë shqiptarët në qeverisjen “Rama”. Paralelisht me Tiranën, protesta janë zhvilluar edhe në Durrës, të cilët kanë bllokuar edhe autostradën Tiranë-Durrës në të dyja krahët pranë mbikalimit të Shkozetit. Banorët kanë dalë në mbështetje të studentëve, por protestojnë edhe për taksat e larta dhe për papunësinë. Edhe në Shkodër për të 4-ën ditë radhazi kanë vazhduar protestat, me thirrje kundër qeverisë, protestuesit kanë bllokuar rrugën në hyrje të qytetit. Madje mes makinave të bllokuara është edhe një makinë policie. Banorët e Shkodrës kundërshtojnë rritjen e çmimit të karburantit, taksat por edhe varfërinë. Edhe qytetarët në Berat janë ngritur në protestë kundër çmimit të naftës, duke bllokuar rrugën kryesore e duke rënduar trafikun.

18 dhjetor – Kryemadhi kërkesë Arta Markut: Pezullo punimet te Unaza e Re

Ka vijuar në ditën e saj të 46-të protesta e banorëve të Unazës së Re, të cilët protestojnë kundër prishjes së banesave të tyre dhe anulimit të projektit “të dyshimtë” për Unazën e Madhe.  Me thirrjet “Toka jonë, shtëpia jonë”; “Poshtë projekti”; “Qeveri hajdute”, banorët e Unazës së Re kanë dolën sërish në protestë për të kundërshtuar prishjen e banesave të tyre, ndërkohë në mbështetje të tyre kanë qenë edhe deputetë të PD-së dhe LSI-së. Kryetarja Monika Kryemadhi i ka kërkuar në mënyrë zyrtare, Prokurores së Përgjithshme Arta Marku pezullimin e punimeve në Unazën e Re. Në letrën e saj, kryetarja e LSI-së shprehet se edhe pse u verifikuan problematika me tenderat e këtij projekti punimet e kompanive private janë ende duke vazhduar. Kryemadhi thekson se punimet po vijojnë edhe në pjesën e projektit ku Ministria e Infrastrukturës deklaroi se është anuluar tenderi.

19 dhjetor – Studentët “masakrojnë” Ramën në Vlorë

Studentët e Vlorës refuzojnë kryeministrin Rama

Do të ishte një ditë e vështirë për kryeministrin Edi Rama, ku protesta studentore e detyroi atë të përballet direkt me revoltën e njerëzve që i dhanë mandatin e deputetit. Pasi iu rezervua një pritje e tensionuar që në hyrje të oborrit të Universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë, edhe debati në auditor do të ishte po kaq i tensionuar, ku studentët ia plasën në sy të vërtetat që i kanë detyruar ata të qëndrojnë prej më shumë se dy javësh jashtë universiteteve. E për këtë arsye Edi Rama në Vlorë u përball me protesta nga studentët, bojkotim të takimit, denoncime të forta nga studentët dhe një pakënaqësi të hapur ndaj situatës në arsim dhe qeverisjes së tij. Kaq shumë pakënaqësi ndaj Ramës nuk ka pasur as pas viteve 2002-2005, kur socialistët refuzonin ta takonin dhe e përzinin nga sallat. Ndryshimi është se në ato vite socialistët nuk e pranonin si socialist dhe kandidat për drejtimin e PS, ndërsa sot të rinjtë nuk e pranojnë si kryeministër, por si shkaktarin e problemeve të gjithë brezit të tyre. Takimi i kryeministrit në Universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë edhe pse u bojkotua nga shumica e studentëve protestues, ka shërbyer si arenë debati ku nuk është diskutuar vetëm për arsimin, por edhe për korrupsionin e politikës. Dy nga studentët që ishin në takim dhe që mesa duket nuk ishin të orientuar nga zyra e shtypit të Kryeministrit për pyetjet që do të bënin, kanë thënë disa të vërteta përvëluese për kryeministrit. Konkretisht një prej studentëve që nga kryeministri Edi Rama u sulmua se kishte një telefon “Iphone” në dorë dhe ankohej për tarifat, u përgjigj në mënyrën që asnjë gazetar nuk ka guxuar t’ia thotë Edi Ramës në sy. Studenti i kujtoj kryeministrit se një telefon nuk është aq i papërballueshëm ekonomikisht, ndërkohë kërkoi nga kryeministri që të tregonte se ku i kishte gjetur lekët për të ndërtuar një vilë super luksoze në periferi të Tiranës. Një pyetje kaq e drejtpërdrejtë e ka vënë jo pak në siklet kryeministrin. Ai deklaroi se ka pasur të ardhura kur ka punuar si emigrant në Francë, një argument që ngre jo pak dyshime duke qenë se nuk ka ndonjë provë që Rama të këtë punuar si emigrant. Por edhe sikur të ardhurat e tij të jenë vënë në emigracion, në aq pak vite sa ka jetuar në Paris është e pamundur të nxirren kursime që përballojnë ndërtimin e një vile luksoze. Pavarësisht se një pjesë e studentëve bojkotuan takimin dhe pavarësisht se shumica e atyre që ishin në sallë ishin të porositur nga zyra e shtypit të qeverisë, mjaftoi vetëm fjala e dy studentëve për të ndryshuar gjithë rrjedhën e takimit të kryeministrit.

20 dhjetor – Tensione në Kuvend, qëllohet me vezë Rama

Deputeti demokrat Endri Hasa qëllon me vezë kryeministrin Rama në Kuvend

Opozita është rikthyer në Kuvend pas afro 6 muajsh bojkot, duke e shndërruar në seancë proteste në solidarizim me protestën që po zhvillohej jashtë parlamentit, duke shkaktuar edhe një incident, që ka detyruar kryeparlamentarin Gramoz Ruçi të shtyjë katër herë punimet e seancës, derisa në fund vendosi shtyrjen e saj për në orën 18:00 të pasdites. Teksa kryeministri Edi Rama po fliste në foltore për protestën e studentëve dhe rikthimin e opozitës, deputeti i Partisë Demokratike në Elbasan, Endri Hasa u ngrit dhe e qëlloi me vezë dhe bojë, ndërsa i tha “E ke nga studentët”. Në këtë moment ndërhyri Garda e Republikës, ndërsa Rama kërkoi që deputeti të nxirret jashtë. Në këto momentet do të vinte ndërhyrja e kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi i cili e përjashtoi nga seanca dhe Byroja e Kuvendit vendosi pak minuta më pas përjashtimin e tij me 10 ditë nga punimet. Por ligjvënësi demokrat nuk pranoi që të dilte nga salla pas katër ndërprerjeve duke bërë që kryetari i Kuvendit, Ruçi ta shtynte për në orën 18:00 të pasdites. Nga ana e saj, opozita kërkoi të njëjtën masë për kryeministrin Edi Rama me argumentin se i fyeu, ndërsa kërkesat do të shqyrtohen brenda 48 orëve. Kryeministri Rama reagoi duke u shprehur se opozita seancën e kërkuar për studentët e ktheu në konflikt rrugësh. Sjellja e deputetit të PD-së, Endri Hasa erdhi pas shpërthimit të kreut të opozitës, Lulzim Basha, i cili në fillim të seancës lëshoi akuza të rënda në drejtim të kryeministrit dhe grupit të PS, mes të tjerash i cilësoi edhe dele. Ndërkohë që jashtë Kuvendit, militantë të PD-së, studentë dhe banorë të Unazës së Re zhvilluan një protestë kundër qeverisë.

21 dhjetor – PS rrëzon vettingun në politikë, Basha: Kriminelët në Kuvend vendosin

Shumica rrëzoi në Kuvend draftin e propozuar nga opozita për Vettingun në politikë. Nisma u rrëzua me 74 vota kundër, ndërsa 52 votat e opozitës kanë shkuar pro nismës për amendamentet kushtetuese. Seanca prej 7 orësh u shoqërua me debate dhe akuza nga të dy kampet, por i vetmi që nuk u përfshi në këtë diskutim ishte vetë kryeministri Edi Rama. Para votimit, kreu i Partisë Demokrtatike, Lulzim Basha, ju bëri thirrje deputetëve të mazhorancës që të votojnë ligjin që i hap rrugë vettingut për politikanët. Basha tha se e vetmja zgjidhje që Shqipëria të dalë nga bataku ku është zhytur, është ndarja e politikës nga krimi. Kryedemokrati madje tha se opozita është e gatshme të votojë të gjitha propozimet e mazhorancës për vettingun e politikës, mjafton që ajo të marrë dakordësi e Komisionit të Venecias.

25 dhjetor – Nuk ndalet protesta, studentët mesazh Ramës

Studentët “dhuratë” Edi Ramës për Krishtlindje

Protesta e studentëve nuk ka ndalur edhe në ditë festash. Prej ditësh, duke qenë se shumica e studentëve janë larguar nëpër shtëpitë e tyre në rrethe, në mënyrë simbolike protesta bëhet dy orë në ditë nga ora 10 deri në orën 12 të drekës. Me rastin e Krishtlindjes disa studentë protestues kanë vendosur t’i bëjnë një dhuratë të veçantë kryeministrit Edi Rama, ku i kanë lënë te bredhi i Kryeministrisë një palë pantallona, një gotë me stemën e Juventusit dhe Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. “Kjo është dhurata që i kemi bërë sot zotit kryeministër, mesazhi është që të veshi pantallonat të bëhet serioz të bëhet burrë, sepse një politikan bëhet burrë shteti kur fillon të mendojë për brezin e ardhshëm dhe jo për zgjedhjet e ardhshme. Të lexojë Kushtetutën, të plotësojë kërkesat tona, të shfuqizojë ligjin e arsimit të lartë ose të zhduket”, u shpreh studentja Ervisa Shehu. Kujtojmë se studentët protestuan prej më shumë se dy javësh, teksa kërkojnë plotësimin e 8 kërkesave pa dialog. Ata kanë paralajmëruar se do të rikthehen sërish me protesta në 7 janar nëse nuk plotësohen kërkesat nga qeveria.

26 dhjetor – Opozita kallëzim penal për deputetët e PS

Një padi e rrallë penale është dorëzuar nga opozita kundër Kuvendit të Shqipërisë dhe gjithë deputetëve të Partisë Socialiste. Padia ka për bazë shpërdorimin e detyrës nga Kuvendi dhe zyrtarët e tij, lidhur me miratimin e ligjit për faljen e taksave ndaj bizneseve të mëdha. Në prokurori janë paditur të gjithë deputetët e PS-së dhe funksionarët e Kuvendit të Shqipërisë që kanë shkelur Kushtetutën në lidhje me dekretin e presidenti të Shqipërisë, Ilir Meta. “Erion Braçe, Taulant Balla, Arben Ahmetaj, Ervin Bushati, Edi Rama, Gramoz Ruçi Genc Gjonçaj, etj. Ushtruan presion dhe shantazhuan administratën dhe deputetët e tjerë”- thuhet në padi. Kreu i shtetit rrëzoi ligjin që falte taksat për kompanitë e mëdha duke e cilësuar atë si anti-kushtetues. Sipas ligjit, rrëzimi i një ligji nga kreu i shtetit duhet të shqyrtohet me procedurë të qartë parlamentare në Komisionin e Ekonomisë. Gjithashtu, përfaqësues të Presidencës duhet të paraqiteshin në komisione për të dhënë argumentet se përse ligji ishte antikushtetues. Por ndryshe nga sa ka ndodhur 28 vite me dekretet e Presidentit, mazhoranca e PS votoi brenda  8 orëve rrëzimin e dekretit të kreut të shtetit si dhe miratimin e ligjit ekzistues që u fal taksat kompanive të mëdha në vend. Ligji në fjalë është hartuar për një grup të vogël biznesmenësh dhe përveç se u përgjysmon taksat për fitimin në të ardhmen, përcakton se këta biznese duhet të marrin dhe taksat që kanë derdhur në buxhet gjatë viteve të kaluara. Për këto dhe arsye të tjera, Presidenti kërkoi mos miratimin e tij duke e cilësuar si një ligj diskriminues për bizneset e ndershme. Por mazhoranca, me një vendim të paprecedentë duke shkelur Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, e miratoi ligjin brenda pak orëve. Dokumenti i padisë së hartuar nga PD dhe LSI është depozituar në Prokurorinë e Përgjithshme, atë të Krimeve të Rënda dhe të Tiranës.

27 dhjetor – Refuzohet Protesta e Diasporës

Diaspora në protestë

Në datë 24 dhjetor, ideatori Genc Sejko i njohur si “njeriu i memeve” dorëzoi në Policinë e Tiranës një kërkesë për protestë nga data 28-30 dhjetor në intervale të ndryshme kohore përpara Kryeministrisë. Në 27 dhjetor, drejtori i Policisë së Tiranës i ktheu përgjigje Sejkos duke refuzuar kërkesën për protestë me arsyetimin se “pengon lëvizjen e mjeteve të emergjencës, qarkullimin e mjeteve të transportit publik dhe privat, ndërpret veprimtarinë e institucioneve”. Drejtoria e Policisë së Tiranës paralajmëron se në rast proteste drejtuesit dhe pjesëmarrësit do të procedohen.

28 dhjetor – Protestat “prejnë” kokat e qeverisë

Ministrat e shkarkuar dy ditë më parë

Revolta që shkaktoi kauza e banorëve të “Astirit”, banesat e të cilëve rrezikojnë të prishen falë projektit të dyshimtë për zgjerimin e Unazës së Re, revoltë e cila u përshkallëzua në lëvizjen e studentëve, protesta e të cilëve tronditi gjithë shoqërinë shqiptare, e jo vetëm politikën, korr “frutet” e para. Problematikat që u denoncuan me forcë dhe pa kompromis nga studentët, detyroi kryeministrin Edi Rama të bëjë reflektimet e nevojshme në kabinetin e tij. Konkretisht Rama shkarkoi pas 3 javësh protesta poshtë zyrës së saj Lindita Nikollën nga posti i Ministres së Arsimit. Duke u nisur nga dështimi i negociatave me Greqinë dhe ngecjen e çeljes së negociatave në Bashkimin Europian, por edhe ngjarjet në Bularat, Rama vendosi të shkarkojë Ditmir Bushatin nga detyra e ministrit të Jashtëm. Po ashtu kriza ekonomike që ka përfshirë shqiptarët detyroi Edi Ramën të shkarkojë kreun e financave shqiptare, Arben Ahmetaj. Problematikat e dala nga politika e koncensioneve dhe PPP-ve që nisi që nga koncesioni i mirëmbajtjes së Rrugës së Kombit dhe që kulmuan me tenderin e Unazës së Re, duket se ka qenë dhe vija e kuqe mes Ramës dhe Gjiknurit. Po ashtu një tjetër figurë e anatemuar jo vetëm nga artistët, por edhe nga opozita është Mirela Kumbaro, e cila duket se nuk e ka mirëmenaxhuar çështjen e Teatrit Kombëtar, për të cilin protestohet prej më shumë se 7 muajsh.

SHKARKO APP