
Një tjetër zhvillim i protestës së sotme ishte qëndrimi i studentëve ndaj përpjekjes së Partisë Demokratike për t’iu bashkuar tubimit. Demokratët nisën marshimin nga Kryeministria drejt Ministrisë së Arsimit, por deputetët e PD-së nuk u mirëpritën nga protestuesit, të cilët kërkuan që lëvizja të ruante karakterin e saj të pavarur.
Të rinjtë artikuluan thirrjen “Opozita jemi ne!”, ndërsa në bulevard u dëgjuan edhe slogane kundër të dyja forcave kryesore politike: “Rama në burg, Berisha në burg!”. Studentët u shprehën se nuk duan që protesta të përvetësohet nga partitë dhe se kërkesa e tyre për ndryshim nuk drejtohet vetëm kundër qeverisë, por edhe kundër klasës politike.
Por në orën 21.00 ka reaguar Gazment Bardhi që shkruan: “10 apo 20 njerëz që kanë më shumë zë kundër opozitës sesa Ramës, le ta vijojnë strategjinë e tyre. Nuk e shpëtojnë dot Ramën.
Nuk ka askush dyshime që PD është partia më e madhe e opozitës dhe nëse ne betejën do ta kishim me parti të vogla, mund të bënim luftë me ta. Ne jemi të vërtetë, luftën e kemi me Ramën dhe do të vazhdojmë luftën me Ramën”.