
Publicisti Koloreto Cukali në një intervistë për Ora News ka diskutuar për moshën relativisht të re të protestuesve të ditëve të fundit.
Cukali i ka cilësuar protestuesit si forcë e madhe e Shqipërisë, për shkak se protestojnë me dije dhe zgjuarsi, ndërkohë që ka shtuar se është sinjal i mirë fakti që ka shumë vajza që kanë dalë në shesh.
Cukali: Mua më duket e natyrshme. Ka shumë njerëz që protestën e konsumojnë edhe në shtëpi. Edhe në grupe të vogla duke folur. Por nuk e shoh dot një prind me 2-3 fëmijë për të rritur, që ka frikën se humbet dhe punën, shumë aktiv në protestë. Kam parasysh protestën e teatrit, ku unë kam pasur aty të njohurit e mi që donin të ishin ty, por rrinin të distancuar nga frika se mos identifikoheshin dhe hiqeshin nga puna. Mendoj që forca më e madhe shoqërore sot është rinia. Studentët janë një forcë jo vetëm rinore, por janë të pajisur me dije, një forcë akoma më e madhe, sepse nuk të sullmojnë vetëm me forcën e mllefit që kanë brenda, por edhe me të dijes dhe zgjuarsisë.
Më vjen shumë mirë që ka vajza, sepse kjo është çështja e Shqipëri dhe liria nuk njeh gjini. Kjo është një shenjë shumë e mirë, por edhe burrat duhet të dalin kur preket një vajzë, sepse protestat tona nuk janë të shkëputura. Studentët, teatri, kjo që po ndodh tani janë pjesë e një reagimi popullor ndaj një menaxhimi shumë të keq të pushtetit, edhe të dhunshëm.
