Provimi i Letërsisë, Majlinda Keta: Kishte gabime, Ministria të kërkojë falje publike

Nxënësit e viteve të treta zhvilluan këtë të hënë provimin e tretë të maturës shtetërore, atë të matematikës. Njësoj si për provimin e parë, atë të Anglishtes nuk ka pasur asnjë shqetësim nga ana e maturantëve përsa i përket hartimit të tezave.

Kjo të lë të dyshosh se pretendimet e tyre për gabimet në provimin e Gjuhë-Letërsisë janë të vërteta.

Pedagogia Majlinda Keta e ftuar në Ora News shprehet se nga ana e ministrisë duhet të ketë një ndjesë publike për të gjithë maturantët dhe prindërit e tyre.

Ajo shprehet se shumë ekspertë të departamenteve të Gjuhë-Letërsisë të universiteteve publike kanë treguar se ajo tezë ka probleme të theksuara logjike, ndaj nuk ka asgjë për t’u diskutuar më shumë.

Keta: Mbarëvajtja ditën e sotëm në testin e matematikës tregoi edhe njëherë se dy provime shkuan mirë e pa konflikte e pa protestë të maturantëve. Vetëm testi i letërsisë çoi në një konflikt, Ministrinë e Arsimit, harutesit me taksapaguesit shqiptarë. Jo vetëm maturantët. Nuk ka më diskutime për pasaktësinë e pyetjeve të provimit pasi kanë folur katedrat dhe departamentet e Gjuhë-Letërsisë të universiteteve publike. 

Që ky test ka pasur probleme te organizimi i logjikës formale. Nuk diskuton më njeri sepse është diskutuar nga profesionistë, profesor Fuga. Sot më tepër si kurrë, pas protestës së maturantëve, konfliktualitetit publik me masën e prindërve të këtyre maturantëve, sëbashku me akademikët, ministria duhet të ndryshojë totalisht thelbin e paraqitjes dhe pranimit të problemit të krijuar.

Së pari duhet të kërkohet një ndjesë publike. Duhet kërkuar një ndjesë fëmijëve që motivimi i tyre për të dalë në protestë u cilësua si nxitje politike. Së dyti t’i kërkojë ndjesë taksapaguesit shqiptar sepse duke filluar nga ministrja deri tek  punonjësi i fundit i asaj ministrie pagohemi me taksapaguesit shqiptar. 

Një tezë që ka qarkulluar këto ditë në lidhje me hartimin e testit ka qenë dhe marrja e saj nga tekste të huaja dhe përkthimi i keq në shqip.

Pedagogia, Majlinda Keta thotë se ky nuk ishte momenti i duhur për të bërë një eksperiment të tillë, nëse ka ndodhur, ku për më tepër ka pasur një mungesë të theksuar logjike.

Keta: Risitë edhe nëqoftëse i kanë dashur për t’i bërë, nuk bëhen alogjike dhe as jashtë logjikës formale, as larg transparencës dhe aq për më tepër pas një karantine të një gjenerate. Së dyti ky lloj testi ku dhjeta bëhet e pamundur në gjuhën e nënës dhe merret me shumicë në gjuhën e huaj. Na u shkatërrua struktura e të menduarit shqip. Materialet e shqipes të jenë të pastra. Këtu ka një anashkalim të përgjegjësive të Komitetit të Maturës Shtetërore, nuk pati kontrollin e duhur. 

SHKARKO APP