PS: Institut për kujtesën e luftës partizane

instituti firmatNjë grup prej 30 deputetësh të Partisë Socialiste i kanë depozituar për shqyrtim kreut të Kuvendit Ilir Meta, nismën ligjore “Për krijimin e Institutit të Studimeve për Kujtesën e Luftës së Dytë Botërore”.

Në tekstin e nismës në fjalë thuhet se ky ligj ka për qëllim krijimin e Institutit të Studimeve për Kujtesën e Luftës së Dytë Botërore, për të studiuar në mënyrë të paanshme dhe profesionale rolin dhe kontributin e Shqipërisë në këtë luftë dhe në koalicionin fitues antifashist.

“Historianë vendas dhe të huaj, në vlerësimin që i kanë bërë historisë së Shqipërisë për këtë periudhë kohore dhe kontributit të vendit tonë, janë shprehur se kontributi i Shqipërisë është domethënës jo nga numri i popullsisë dhe i forcave që u angazhuan në luftë, por i mesazhit, i rreshtimit të drejtë që bëri, në një moment të rëndësishëm historik. Shqipëria ishte viktimë e agresionit, si shume vende të tjera, së pari nga fashistët italiane pastaj nga nazistët gjermanë”, shkruhet në relacionin shoqërues.

Swiss Digital Desktop Reklama

RELACIONI. PSE DUHET NJË LIGJ “PËR KRIJIMIN E INSTITUTIT TË STUDIMEVE PËR KUJTESËN E LUFTËS SË DYTË BOTËRORE”

Swiss Digital Mobile Reklama

Në historinë e Shqipërisë, pjesëmarrja në Luftën e Dytë Botërore përbën një ndër ngjarjet historike më të rëndësishme kombëtare. Shqipëria u rreshtua në krah të Kombeve të Bashkuara Antifashiste dhe u trajtua si një aleat i cili luftoi në Kualicionin e fitimtarëve të Luftës për kontributin real që dha në këtë Luftë kombi shqiptar.

Historianë vendas dhe të huaj, në vlerësimin që i kanë bërë historisë së Shqipërisë për këtë periudhë kohore dhe kontributit të vendit tonë, janë shprehur se kontributi i Shqipërisë është domethënës jo nga numri i popullsisë dhe i forcave që u angazhuan në luftë, por i mesazhit, i rreshtimit të drejtë që bëri, në një moment të rëndësishëm historik. Shqipëria ishte viktimë e agresionit, si shume vende të tjera, së pari nga fashistët italiane pastaj nga nazistët gjermanë.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore në dritën e dokumentave të reja arkivore, vendase dhe të huaja, nga kontributi i Shqipërisë vlen të përmendet në mënyrë të veçantë përdorimi i parimit të bashkëpunimit, që vlerësohet si një ndër më të rëndësishmit, si dhe i traditave më të mira, të konsideruara nga mbarë vendet, tradita e besës dhe ruajtja e saj.

Gjithashtu, shqiptarët, në respekt të traditës së besës së dhënë,  kanë meritë dhe kontribut të veçantë si kombi që  mbrojti hebrenjë dhe nuk ua dorëzoi ata pushtuesve nazistë. Për këtë shqiptarët kanë hyrë në historinë e Luftës së Dytë Botërore si “komb i nderit”, kombi që nuk u dorëzoi hebrenjtë nazistëve.

Historiani Bernard Fisher lidhur me këtë cështje shprehet: “Hebrenjtë erdhën në Shqipëri prej shumë rajoneve të Europës dhe Jugosllavise: ata mbijetuan pjesërisht për shkak të politikës gjermane, që u dha shqiptarëve autoritet të konsiderueshëm në çështjet e brendshme, pjesërisht nga tradita e besës, pjesërisht nga fakti që komuniteti i hebrenjve në Shqipëri ishte shumë i vogël dhe asnjëherë i perceptuar si rrezik për askënd, ishte vështirë të krijohej mes popullsisë, urrejtje etnike kur nuk kishte ndonjë lidhje të veçantë me hebrenjtë, si grup etnik, aq më tepër në Shqipëri nuk kishte ndonjë traditë antisemite gjë që luajti rolin e vet”

Lufta e Dytë Botërore filloi më 1 shtator 1939, ditën që Gjermania naziste sulmoi Poloninë dhe synonte rindarjen e botës. Ky konflikt çoi në grupime të kundërta politiko-ushtarake të cilat u përballën me njëra tjetrën. Gjermania naziste, Italia fashiste e Japonia militariste dhe satelitet e tyre formuan “Boshtin Romë-Berlin-Tokio”. Këtij “Boshti” agresiv iu kundërvu Koalicioni Anglo-Sovjeto-Amerikan dhe ata që u bashkuan me të. Në luftën e Dytë Botërore u angazhuan në luftë 61 shtete ku morën pjesë 110 milionë ushtarëve. 41 shtete nga Atlantiku deri në Paqësor u bënë fushëbetejë e forcave ndërluftuese. Nga kjo luftë u prekën drejtpërdrejt ose tërthorazi 80% e popullsisë së botës dhe mbi 50 milionë vetë u vranë në të.

Më 7 prill 1939, para fillimit të Luftës, Shqipëria u bë ndër viktimat e para të kësaj tragjedie. Italia fashiste kreu pushtimin ushtarak të vendit. Populli shqiptar e priti me armë pushtuesin italian në portet e Shqipërisë, duke i dhënë botës alarmin e rrezikut të fashizmit. Nga ana tjetër, edhe pse një vend i vogël, ajo i bëri me dije pushtuesve se popujt do ta luftojnë me çdo pushtues, sado i madh e i fuqishëm që të jetë. Italia instaloi brenda pak kohësh në Shqipëri rreth 650 mijë kolonë për italianizimin njerëzor e kulturor të shqiptarëve si edhe 100 mijë ushtarë. Ajo kishte qëllim që të ndryshonte strukturën e popullsisë, të përjetësonte pushtimin, si edhe ta përdorte Shqipërinë si “llogore” të parë kundër shteteve fqinj të saj, Greqisë e Jugosllavisë në vijim të planit strategjik për Ballkanin, Afrikën Veriore e deri në Indi për të krijuar “Perandorinë e Mesdheut”.Pushtimi Italian vuri në provë forcat politike shqiptare të kohës, duke i pozicionuar në kahe të kundërta.

Konfrenca e Pezës (16 shtator 1942),përcaktoi pjesëmarrjen e Shqipërisë në krahun e Aleancës Anglo-Sovjeto-Amerikane, sepse ishte aleancë çlirimtare për shtetet dhe popujt e robëruar nga forcat e Boshtit. Platforma politike e konferencës ishte: Të luftohet për një Shqipëri të lirë prej fashizmi, e pavarur dhe demokratike; të forcohen bazat e vërteta të bashkimit të popullit shqiptar, pa dallim klase, bindjesh politike, fetare dhe krahine në frontin nacionalçlirimtar nëpërmjet luftës së armatosur. Platforma e Konferencës së Pezës ishte në përputhje me idetë e bashkimit të Aleatëve.

Kjo vijë politike u shoqërua me aksione dhe luftë të armatosur. Brenda vitit 1942 forcat partizane të organizuara në Frontin Nacionalçlirimtar çliruan Pezën, Skraparin, Tomorricën, Kurveleshin, Martaneshin, Gorën e Sipërme, Oparin, Mesaplikun, një pjesë të Çermenikës, të Mallakastrës, të Devollit, të Dishnicës, të Shpatit dhe të Mbishkodrës etj. Për këto arsye SHBA-ja, Britania dhe Bashkimi Sovjetik në muajin dhjetor 1942 bënë deklaratë mbi njohjen e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar. Kjo ishte një përkrahje e madhe dhe e merituar. Kështu Shqipëria u bë pjesë organike e përbashkët e luftës botërore. Gjatë vitit 1942-1943 u formuan në të gjithë vendin njësi partizane çeta,batalione dhe brigada. Veprimtaria e tyre përfshiu tërë Shqipërinë. Aleatët nisën në Shqipëri misionet e tyre për të parë nga afër gjendjen dhe për të ndihmuar. Anglezët dërguan një seri ndihmash: veshmbathje, armë dhe municione.

Reth mbi 100mijë forca ushtarake italiane që ndodheshin brenda në Shqipëri u përballën me qëndresën shqiptare. Goditja frontale e Aleatëve kundër Italisë në Veri të Afrikës dhe në Ballkan solli kapitullimin pa kushte të Italisë me 8 shtator 1943. Vendin e tyre e zuri forca ushtarake gjermane e cila u përqëndrua në Shqipëri gjatë vitit 1943-1944. Ky bllokim forcash ndikoi pozitivisht edhe në frontin e përgjithshëm antifashist, pavarësisht se shqiptarët luftonin për çlirimin e vendit të tyre.

Bashkimi i shqiptarëve me Aleatët ishte bashkim politik edhe luftarak për një mision të madh e të përbashkët në mundjen e fashizmit dhe nazizmit duke dhënë maksimumin e ndihmës dhe të kontributit të vet. Rreshtimi i shqiptarëve në krah të Aleancës dhe lufta që zhvilloi pa e ndërprerë asnjëherë, përbën një kontribut me vlerë historike.

Populli ynë, duke mbajtur mbi shpatulla luftën kundër pushtuesve në territorin e Shqipërisë, dha po kështu kontribut në Luftën e Dytë Botërore. Koalicioni Anglo-Sovjeto-Amerikan nuk pati nevojë që të dërgonte forca të armatosura për të luftuar dhe humbur njerëz e shpenzuar mjete për çlirimin e Shqipërisë, ashtu siç bëri në të gjithë vendet e tjera europiane, afrikane dhe aziatike. Lufta e shqiptarëve i kurseu Aleancës njerëz, mjete luftarake dhe kohë të cmueshme.

Në dhjetor 1944, me urdhër të Komandës së Përgjithshme të LANC, mbi 20 mijë forca të brigadave partizane kaluan tej kufijve shtetërorë për të ndihmuar edhe popullin shqiptar jashtë tij dhe të kombe të tjerë për t`u çliruar nga pushtimi nazi-fashist. Ky akt qëndron ndër veprimet më të rëndësishme dhe historike të Shqipërisë në krah të aleatëve.

Këto forca, bashkë me brigadat partizane shqiptare të Kosovës (8 brigada), dhe me brigadën e VII me shqiptarë të Maqedonisë, çliruan pjesën perëndimore shqiptare të Maqedonisë dhe Kosovën; vazhduan luftimet me sukses kundër gjermanëve edhe në territorin e Malit të Zi, të Bosnjes-Herzegovinës, të Sanxhakut të Serbisë duke çliruar nga pushtuesit një sipërfaqe sa e Shqipërisë dhe me më shumë popullsi. Ky ishte kontributi më i madh që populli shqiptar dha në Luftën e Dytë Botërore.

Në Luftën e Dytë Botërore u derdh gjaku edhe i qindra shqiptarëve ku u tregua me fakte ndihmesa shqiptare për çlirimin e popujve të Ballkanit, si dhe kontributi real i kombit shqiptar në Luftën e Dytë Botërore.

Për sa më lart, ne grupi i deputetëve nismëtarë, vlerësojmë se është e rëndësishme që të ketë një rregullim ligjor të posaçëm, me qëllim të evidentimit në mënyrë shkencore dhe institucionale të kontributit real që Shqipëria dhe shqiptarët kanë dhënë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Projektligji i propozuar parashikonkrijimin e Institutit të Studimeve për Kujtesën e Luftës së Dytë Botërore, për të studiuar në mënyrë të paanshme dhe profesionale rolin dhe kontributin e Shqipërisë në këtë luftë dhe në koalicionin fitues antifashist.

Projektligji përbëhet nga 22 nene, të cilat kanë caktuar parashikime ligjore për dispozitat e përgjithshme, krijimin e institutit të studimeve për kujtesën e Luftës së Dytë Botërore, mënyrën e funksionimit të arkivit dhe bibliotekës së Institutit dhe dispozitat e fundit për afatet ligjore për ngritjen e Institutit dhe miratimin e strukturës së tij.

Projektligji ngre Institutin e Studimeve për Kujtesën e Luftës së Dytë Botërore, me statusin e një institucioni të pavarur publik, buxhetor, që gëzon statusin e personit juridik.

Instituti do të ketë këto përgjegjësi dhe do të kryejë këto detyra kryesore:

– garantimin e objektivitetit dhe paanësisë në studimin e vlerësimin e trajtimit të ngjarjeve, të të dhënave, të fakteve historike dhe të dokumenteve që dëshmojnë për rolin dhe kontributin e Shqipërisë në Luftën e Dytë Botërore;

– dokumentimin, analizimin dhe studimin e periudhës së Luftës së Dytë Botërore nëpërmjet grumbullimit të të dhënave, dokumenteve dhe dëshmive për nxjerrjen në pah të rolit të Shqipërisë dhe strukturave të kohës në koalicionin antifashist;

– përgatitjen për botim të studimeve historike dhe kujtimeve të atyre që kanë qenë pjesmarrës në Luftën e Dytë Botërore;

– mbajtjen e regjistrave elektronikë dhe hartimit e përpunimit të të dhënave statistikore për dokumentacionin që grumbullon;

– identifikimin e vendimeve dhe akteve normative të marra nga strukturat e kohës për mbështetjen e koalicionit antifashist që kanë shërbyer si bazë për të dhënë kontributin e Ushtrisë Nacional- Clirimtare në Luftën e Dytë Botërore;

– publikimin e materialeve të shkruara, në letër dhe në rrugë elektronike, si dhe organizimin e ekspozitave, seminareve, konferencave e diskutimeve për të kujtuar data dhe ngjarje të caktuara kombëtare dhe ndërkombëtare që i bëjnë jehonë rolit dhe kontributit të Shqipërisë në Luftën e Dytë Botërore;

– bashkëpunimin me institucionet kërkimore, kulturore, arsimore dhe institucione të tjera për shkëmbimin e informacionit e të përvojës, lidhur me objektin e punës së institutit;

– bashkëpunimin me institucionet përgjegjëse të arsimit për përfshirjen, në planet dhe programet mësimore të shkollave të të gjitha niveleve, të informacionit të saktë dhe të mjaftueshëm për rolin dhe kontributin e Shqipërisë në Luftën e Dytë Botërore dhe në koalicionin antifashist;

– bashkëpunimin me institucionet homologe të huaja.

Çdo vit Instituti do të raportojë në Kuvend për veprimtarinë e kryer për zbatimin e ligjit.

Në aspektin organizativ Instituti do të drejtohet nga Bordi i Institutit, si organ vendimmarrës, anëtarët e të cilit emërohen nga Kuvendi me propozimin e Institutit të Historisë, organizatat e veteranëve të LANC-it, Fakulteti i Historisë dhe Akademia e Shkencave, si dhe nga drejtori ekzekutiv që emërohet nga Bordi.

Nëpunësit e Institutit do të kenë statusin e nëpunësit civil, ndërsa punonjësit e tjerë do të jenë me Kod Pune.

Arkivi dhe biblioteka e Institutit do të kryerjnë detyrat bazë për të studiuar në mënyrë shkencore, të paanshme dhe profesionale rolin dhe kontributin e Shqipërisë në Luftën e Dytë Botërore dhe  koalicionin fitues antifashist.

Struktura, organika dhe numri i punonjësve të Institutit, si institucion i pavarur, do të miratohen me vendim të Kuvendit, në përputhje me legjislacionin në fuqi për strukturat.

Projektligji i propozuar përmban faturë financiare, pasi krijon një institucion të ri që do të financohet nga Buxheti i Shtetit. Për këtë arsye, Kuvendi, bazuar në nenin 82 të Kushtetutës, do të kërkojë mendimin e Këshillit të Ministrave për shtesat në buxhet.

Projektligji i propozuar është në përputhje me Kushtetutën dhe me kuadrin ligjor në fuqi.

DETAJET. CFARE PERMBAN PROJEKLIGJI PËR KRIJIMIN E INSTITUTIT TË STUDIMEVE PËR KUJTESËN E LUFTËS SË DYTË BOTËRORE

 Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e një grupi deputetësh,

KUVENDI

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

KREU I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1

Qëllimi

Ky ligj ka për qëllim krijimin e Institutit të Studimeve për Kujtesën e Luftës së Dytë Botërore (Instituti) për të studiuar në mënyrë të paanshme dhe profesionale rolin dhe kontributin e Shqipërisë në këtë luftë dhe në koalicionin fitues antifashist.

Neni 2

Objekti

Ky ligj përcakton rregullat për mënyrën e organizimit dhe funksionimit të  Institutit, tërësinë e kushteve për grumbullimin, administrimin e ruajtjen, në arkivin e institutit, të dokumenteve e të materialeve, që dëshmojnë  për rolin dhe kontributin e Shqipërisë në Luftën e Dytë Botërore dhe në koalicionin antifashist, si dhe kriteret e rekrutimit të punonjësive të institutit.

Neni 3

Parime të përgjithshme

Ky ligj respekton të drejtat themelore të njeriut dhe bazohet në parimet e objektivitetit, paanshmërisë dhe ligjshmërisë.

Neni 4

Fusha e zbatimit të ligjit

Ky ligj zbatohet për periudhën kohore të Luftës së Dytë Botërore nga 1 shtator 1939 deri në 9 maj 1945.

KREU II

INSTITUTI I STUDIMEVE PËR KUJTESËN E LUFTËS SË DYTË BOTËRORE

Neni 5

Statusi i Institutit

  1. Instituti është institucion i pavarur publik dhe gëzon statusin e personit juridik.
  2. Instituti ka selinë në Tiranë dhe ka stemën e vet.
  3. Instituti financohet nga Buxheti i Shtetit dhe burime të tjera të ligjshme. Buxheti i Institutit është zë më vete në Buxhetin e Shtetit.

Neni 6

Përgjegjësitë dhe detyrat e Institutit

Instituti ka këto përgjegjësi dhe kryen këto detyra kryesore:

  1. a) garanton objektivitet dhe paanësi në studimin e vlerësimin e trajtimit të ngjarjeve, të të dhënave, të fakteve historike dhe të dokumenteve që dëshmojnë për rolin dhe kontributin e Shqipërisë në Luftën e Dytë Botërore;
  2. b) dokumenton, analizon dhe studion periudhën e Luftës së Dytë Botërore nëpërmjet grumbullimit të të dhënave, dokumenteve dhe dëshmive për nxjerrjen në pah të rolit të Shqipërisë dhe strukturave të kohës në koalicionin antifashist;
  3. c) përgatit për botim studime historike dhe kujtime të atyre që kanë qenë pjesmarrës në Luftën e Dytë Botërore;

ç) mban regjistra elektronikë dhe harton e përpunon të dhëna statistikore për dokumentacionin që grumbullon;

  1. d) identifikon vendimet dhe aktet normative të marra nga strukturat e kohës për mbështetjen e koalicionit antifashist që kanë shërbyer si bazë për të dhënë kontributin e ushtrisë Nacionalçlirimtare në Luftën e Dytë Botërore;
  2. dh) publikon materiale të shkruara, në letër dhe në rrugë elektronike, si dhe organizon ekspozita, seminare, konferenca e diskutime për të kujtuar data dhe ngjarje të caktuara kombëtare dhe ndërkombëtare që i bëjnë jehonë rolit dhe kontributit të Shqipërisë në Luftën e Dytë Botërore;
  3. e) bashkëpunon me institucionet kërkimore, kulturore, arsimore dhe institucione të tjera për shkëmbimin e informacionit e të përvojës, lidhur me objektin e punës së institutit;

ë) bashkëpunon me institucionet përgjegjëse të arsimit për përfshirjen, në planet dhe programet mësimore të shkollave të të gjitha niveleve, të informacionit të saktë dhe të mjaftueshëm për rolin dhe kontributin e Shqipërisë në Luftën e Dytë Botërore dhe në koalicionin antifashist;

  1. f) bashkëpunon me institucionet homologe të huaja.

Neni 7

Mbrojtja e të dhënave personale dhe detyrimi për bashkëpunim

  1. Instituti është i autorizuar të përdorë të dhëna personale, kur është e domosdoshme, për përmbushjen e detyrave, duke garantuar privatësinë, në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.
  2. Të gjitha strukturat dhe organet shtetërore, njësitë e qeverisjes vendore, arkivat dhe të gjitha njësitë apo strukturat e tjera, që disponojnë dokumente e materiale arkivore, që i përkasin periudhës së Luftës së Dytë Botërore dhe që mund t’i shërbejnë realizimit të veprimtarisë së institutit, janë të detyruara t’ia vënë në dispozicion Institutit, pa pagesë, sipas afateve të legjislacionit për të drejtën e informimit për dokumentet zyrtare.
  3. Instituti ka të drejtë të marrë kopje të dokumenteve dhe të materialeve arkivore, në përputhje me legjislacionin në fuqi për arkivat.
  4. Instituti ka të drejtë t’i kërkojë Këshillit të Ministrave mbështetjen e shërbimit diplomatik të vendit, për akses në dokumente të nevojshme në arkivat e huaj, për realizimin e veprimtarisë së tij.

Neni 8

Organet drejtuese të Institutit

Instituti ka këto organe drejtuese:

  1. a) bordi drejtues;
  2. b) drejtori ekzekutiv.

Neni 9

Bordi i Institutit

  1. Bordi drejtues, më tej “bordi”, është organi vendimmarrës i Institutit.
  2. Bordi përbëhet nga 5 anëtarë, të cilët emërohen dhe lirohen nga Kuvendi, me propozim prej 2 kandidaturash alternative nga:
  3. a) Instituti i Historisë (2 anëtarë);
  4. b) organizatat e veteranëve të Luftës Nacionalçlirimtare (1 anëtar);
  5. c) Akademia e Shkencave (1 anëtar);

ç) Fakulteti i Historisë në Universitetin e Tiranës (1 anëtar).

  1. Anëtarët e bordit duhet të jenë personalitete të njohura nga komuniteti akademik dhe shoqëria civile, të cilët zotërojnë aftësi profesionale dhe kanë dhënë kontribut, që krijojnë bindje se mund të mbështesin institutin në realizimin e misionit e të objektivave të tij.
  1. Anëtarët e bordit zgjidhen për 5 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë. Anëtarët e bordit duhet të plotësojnë të gjitha kushtet, që parashikon legjislacioni në fuqi për nëpunësit e lartë të shërbimit civil.
  1. Mandati i anëtarit të bordit është i papajtueshëm me funksione të larta shtetërore, kushtetuese, administrative dhe anëtarësinë në parti politike.

Neni 10

Mbarimi i mandatit

Mandati i anëtarit të bordit mbaron kur:

  1. a) mbaron kohëzgjatja e mandatit;
  2. b) jep dorëheqjen;
  3. c) zgjidhet apo emërohet në funksionet e parashikuara në pikën 4 të nenit 9 të këtij ligji;

ç) deklarohet i paaftë për të vepruar, me vendim gjyqësor të formës së prerë;

  1. d) dënohet, me vendim gjyqësor të formës së prerë, për kryerjen e një krimi;
  2. dh) vërehen akte e sjellje, që cenojnë rëndë figurën e anëtarit të bordit;
  3. e) nuk merr pjesë në veprimtarinë e bordit për një periudhë mbi 6 muaj, përjashtuar rastet e mungesës për arsye shëndetësore;

ë) vdes.

Neni 11

Vendimmarrja e bordit

Bordi zgjedh, me shumicën e votave të anëtarëve, kryetarin dhe nënkryetarin e tij.

Mbledhjet e bordit thirren nga kryetari i bordit dhe, në mungesë e me porosi, nga nënkryetari.

Bordi merr vendime me shumicën e votave të anëtarëve dhe funksionon sipas parimit të barazisë së anëtarëve.

Neni 12

Detyrat e bordit

Bordi ka këto detyra kryesore:

  1. a) përcakton misionin dhe objektivat kryesore të funksionimit të Institutit;
  2. b) emëron, me shumicën e votave të anëtarëve të tij, drejtorin ekzekutiv të institutit, pas një konkurimi me shpallje publike dhe kandidatura alternative;
  3. c) miraton planin vjetor të punës së Institutit;

ç) miraton planin vjetor të botimeve, publikimeve, dokumentarëve dhe veprimtarive të tjera përkujtimore;

  1. d) monitoron dhe vlerëson sigurinë e aksesit në dokumentacionin e në materialet arkivore të institutit;
  2. dh) propozon në Kuvend strukturën, organikën, numrin e punonjësve dhe buxhetin vjetor të institutit;
  3. e) miraton rregulloren e organizimit dhe funksionimit të institutit;

ë) miraton përbërjen e këshillit shkencor të institutit, si organ këshillimor i bordit dhe rregulloren e funksionimit të tij;

  1. f) miraton raportin vjetor të veprimtarisë së Institutit dhe raporton në Kuvend në tremujorin e parë të vitit pasardhës;
  2. g) i dërgon për dijeni raportin vjetor edhe Këshillit të Ministrave.

Neni 13

Mënyra e shpërblimit të bordit

Kryetari, nënkryetari, anëtarët e bordit dhe anëtarët e këshillit shkencor të institutit punojnë me kohë të pjesshme dhe përfitojnë një shpërblim mujor të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 14

Këshilli shkencor i Institutit

  1. Bordi drejtues i Institutit, me vendim, ngre Këshillin shkencor të institutit, si organ këshillimor të tij.
  2. Këshilli shkencor i bordit të institutit përbëhet nga pesë anëtarë, historianë dhe studiues të njohur nga bota akademike dhe shoqëria civile.
  3. Detyrat dhe mënyra e funksionimit të këshillit shkencor përcaktohen në rregulloren e miratuar nga bordi drejtues i institutit.

Neni 15

Drejtori ekzekutiv

  1. Instituti drejtohet nga drejtori ekzekutiv.
  2. Drejtori ekzekutiv zgjidhet për 5 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë, sipas parashikimit të shkronjës “b” të nenit 12 të këtij ligji dhe që përmbush kriteret e përcaktuara në pikat 2 dhe 3 të nenit 9 të këtij ligji.
  3. Drejtori ekzekutiv ka këto detyra kryesore:
  4. a) përfaqëson institutin në marrëdhënie me të tretët;
  5. b) përgatit të gjitha materialet, që shqyrton dhe miraton bordi dhe përgjigjet për zbatimin e vendimeve të bordit;
  6. c) merr pjesë, pa të drejtë vote, në mbledhjet e bordit;

ç) i propozon kryetarit të bordit datën e mbledhjes dhe rendin e ditës;

  1. d) i propozon bordit për miratim strukturën, organikën, numrin e punonjësve dhe buxhetin e institutit;
  2. dh) emëron dhe liron punonjësit e institutit;
  3. e) nënshkruan akte bashkëpunimi me titullarët e institucioneve, që zotërojnë dokumente e materiale arkivore, sipas legjislacionit në fuqi që rregullon ruajtjen, administrimin dhe përdorimin e dokumenteve e të materialeve arkivore të kësaj natyre.

KREU III

ARKIVI DHE BIBLIOTEKA E INSTITUTIT

Neni 16

Detyrat e Arkivit dhe bibliotekës së institutit

  1. Arkivi i institutit funksionon në bazë të këtij ligji dhe legjislacionit në fuqi për arkivat.
  2. Arkivi dhe biblioteka kryejnë këto detyra:
  3. a) riprodhon, fotokopjon dhe ruan në arkiv të gjitha dokumentet e materialet, që rezultojnë nga veprimtaria e strukturave shqiptare që kanë dhënë kontribut në Luftën e Dytë Botërore për fitoren e koalicionit antifashist, të cilat i shërbejnë institutit për studim;
  4. b) grumbullon dhe ruan dokumente e materiale arkivore, që kanë lidhje me strukturat e kohës që kanë marrë vendime për pjesmarrjen e Shqipërisë në koalicionin antifashist dhe për të luftuar në territore në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni, Bosnje-Hercegovinë dhe Serbi;
  5. c) publikon dhe siguron aksesin për dokumentet dhe materialet arkivore, që kanë lidhje me rolin dhe kontributin e Shqipërisë në Luftën e Dytë Botërore dhe koalicionin antifashist, në përputhje me aktet ligjore e nënligjore për përdorimin e tyre;

ç) siguron akses për dokumente e materiale arkivore, jep informacion dhe asiston institucionet e organet, që gëzojnë të drejtën e përdorimit/shfrytëzimit të materialeve të sipërpërmendura, në përputhje me legjislacionin në fuqi;

  1. d) shqyrton ankesat e kërkuesve, që nuk u është dhënë e drejta e aksesit në materialet arkivore, ose nuk janë lejuar të bëjnë përmbledhje, kopje apo transkipte të tyre dhe jep përgjigje të arsyetuar;
  2. dh) u jep kopje dhe transkripte nga dokumentet/materialet e depozituara në arkiv institucioneve apo organeve publike, qendrore apo të qeverisjes vendore, si dhe personave fizikë a juridikë të autorizuar nga ligji;
  3. e) krijon dhe administron regjistrin elektronik të materialeve të arkivuara;

ë) bashkëpunon me arkivat e tjera dhe institucionet shkencore, kulturore e arsimore dhe Bibliotekën Kombëtare për shkëmbimin e informacionit dhe të ekspertizës në punën kërkimore dhe në shfrytëzimin/përdorimin e materialeve arkivore, për qëllime kulturore, arsimore, shkencore dhe ekonomike dhe, veçanërisht, për studimin e historisë kombëtare;

  1. f) krijon një bibliotekë të specializuar në fushën e veprimtarisë së arkivit dhe e pasuron atë në mënyrë periodike;
  2. g) realizon botime në fushat e veprimtarisë së institutit;
  3. gj) siguron ruajtjen dhe restaurimin e materialeve arkivore, në bashkëpunim me Arkivin Qendror të Shtetit dhe Bibliotekën Kombëtare.
  4. Arkivi ka të drejtë të përdorë edhe të dhëna personale, vetëm për aq sa është e domosdoshme, në përmbushjen e detyrave të tij dhe duke garantuar privatësinë, në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.

Neni 17

Raportimi

Drejtori ekzekutiv i institutit i dërgon bordit, çdo gjashtë muaj, një raport për vlerësimin e sigurisë së aksesit në dokumentet dhe materialet arkivore.

Neni 18

Marrëdhëniet e punës, struktura dhe organika e institutit

  1. Marrëdhëniet e punës së nëpunësve të institutit rregullohen nga ligji nr. 152/2013, datë 30.5.2013 “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, ndërsa marrëdhëniet e punës së punonjësve të tjerë të institutit rregullohen me ligjin nr.7961, datë 12.7.1995 “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.
  2. Struktura, organika dhe niveli i pagave të punonjësve të Institutit miratohen me vendim të Kuvendit.

KREU V

DISPOZITA TË FUNDIT

Neni 19

Emërimi i bordit dhe drejtorit ekzekutiv

Brenda dy muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, sipas përcaktimit në nenit 9 pikat 1 e 2 të tij, të zhvillohen procedurat për emërimin e bordit të institutit nga Kuvendi dhe sipas përcaktimit të nenit  15, pika 2, brenda një muaji për emërimin e drejtorit ekzekutiv të institutit nga bordi.

Neni 20

Struktura dhe organika e institutit

Brenda 2 muajve nga emërimi i drejtorit ekzekutiv të institutit, bordi paraqet për miratim në Kuvend strukturën, organikën dhe nivelin e pagave të nëpunësve e të punonjësve të tjerë të institutit.

Neni 21

Aktet nënligjore

  1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave që brenda një muaji nga hyrja në fuqi e këtij ligji të akordojë buxhetin për funksionimin e institutit dhe të sigurojë mjediset e punës për funksionimin e tij.
  2. Në zbatim të nenit 13 të këtij ligji, Këshilli i Ministrave miraton masën e shpërblimit mujor të bordit të institutit dhe të këshillit shkencor të tij.

Neni 22

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?