PS-PD-LSI, pazar apo marrëveshje?

Zgjidhja e ngërçit politik për bojkotin e Partisë Demokratike është më afër se kurrë. Grupet më të mëdha parlamentare në Parlamentin Europian do të dërgojnë këto ditë dy përfaqësues të tyre, Knut Fleckenstein dhe Eduard Kukan, me qëllimin e vetëm miratimin e një marrëveshje që do të rikthejë në Kuvend opozitën. Përfaqësuesi i grupit të majtë, Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve Fleckenstein, i cili është dhe raportues për Shqipërinë, do të jetë sot në Tiranë për të diskutuar me PS-në dhe PD-në. Ndërsa misioni final i është lënë në dorë eurodeputetit të njohur të Partive Popullore Europiane, Eduard Kukan. Në një deklaratë që kanë bërë dy eurodeputetët dje, theksojnë se dy elementë ku do të fokusohen gjatë misionit në Tiranë. I pari është “inkurajimi i opozitës që të kthehet në parlament për rivendosjen e dialogut politik dhe pjesëmarrjen në punën parlamentare”. Dhe arsyeja e dytë është “inkurajimi i të gjitha partive politike që të angazhohen në procesin e dekriminalizimit të parlamentit dhe institucioneve të tjera publike”. Me këto dy objektiva marrëveshja mund të cilësohet e arritur. Por zhvillimet politike kanë evoluar gjatë ditëve të fundit më shumë sesa priste edhe vet Partia Demokratike. Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar gjithë skenarin e Partisë Demokratike për zgjedhjet e ardhshme vendore. Gjykata i dha të drejtë mazhorancës, duke e vënë opozitën para faktit të kryer dhe presionit për tu përgatitur për zgjedhjet e ardhshme. Por në këtë pikë, Partia Demokratike është edhe më e paqartë për aksionin e ardhshëm politik, sesa ishte për efektet që do të merrte nga bojkoti. Kreu i saj, Lulzim Basha ka deklaruar se me këtë hartë territoriale nuk ka zgjedhje. Pra, opozita është drejt bojkotit të zgjedhjeve vendore. Kriza politike e bojkotit duket si një e keqe më e vogël përballë rrezikut që u kanoset zgjedhjeve. Ndaj dhe misioni i eurodeputetëve është një arritje gjysmake, nëse arrin edhe gjysmën e premtuar. Tashmë në Tiranë nuk diskutohet më vetëm problemi i mungesës së opozitës në Kuvend, por rreziku që vendi mund të mos mbajë zgjedhjet e radhës vendore. Që do të thotë krizë politike dhe përplasje në mitingje.

Këto zhvillime e kanë bërë edhe më të paqartë qëndrimin e Partisë Demokratike. Drejtuesit e saj janë drejt arritjes së një marrëveshje për të hyrë në Kuvend këto ditë, duke pranuar vetëm nga halli për të shpëtuar mandatet e deputetëve. Argumentet e PD-së për të vazhduar bojkotin, pas vendimit të Kushtetueses, tashmë janë edhe më të mëdha se më parë. Por, përballë rrezikut të mandatit, selia blu po shkon drejt një marrëveshje e cila nga pikëpamja politike nuk ka ndonjë vlerë të madhe. Ditën e dytë pasi të kenë hyrë në Kuvend, vetëm për të shpëtuar mandatet, opozita mund të kërkojë sërish marrëveshje për zgjedhjet vendore. Madje mund t’i kthehet edhe një herë bojkotit, pasi zgjedhjet vendore janë më të rëndësishme sesa grushtet ndaj deputetit Gent Strazimiri. PD po hyn në Kuvend, në të njëjtën kohë kur thotë se nuk do të njoh zgjedhjet e ardhshme vendore. Ndaj aksioni i saj bëhet i pabesueshëm dhe tregon se gjithë halli është shpëtimi i mandateve të deputetëve. Pra një Pazar i momentit; PD shpëton mandatet e deputetit, kurse PS-LSI kanë hallin para ndërkombëtareve dhe me këtë marrëveshje tregojnë se po lëshojnë duke shkelur edhe parimet! Pasi të ikin europarlamentarët nuk ia vlen më të merren me PD, pasi, siç mendojnë në selinë rozë, selia blu nuk ka nga shkon pa hyrë në zgjedhje. Do vijnë prapë ndërkombëtarët për ti detyruar të hyjnë në zgjedhje dhe selia rozë do t’ju hedhë një kockë tjetër demokratëve. Pazar, si në Milot!

Paqartësia e opozitës duket dhe në një tjetër fakt. Një prej kërkesave gjashtë mujore të saj ndaj mazhorancës ishte respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Tashmë që gjykata dha një vendim në favor të mazhorancës, nga goja e Bashës dhe deputetëve të PD-së nuk dëgjohet më të flitet për respektim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Pasi në këtë logjikë është vet PD-ja që duhet ta zbatojë vendimin dhe të pranojë reformën territoriale.

Këto qëndrime ia heqin marrëveshjes çdo efekt që mund të ketë në jetën politike. As vetë drejtuesit e PD-së nuk mendojnë se me firmosjen e paktit do të arrihet normalizim i marrëdhënieve politike dhe aq më pak, nuk pritet që çështja e dekriminalizimit të Kuvendit dhe administratës të merret seriozisht. E gjitha kjo, duket si një sajesë për të justifikuar hyrjen e deputetëve në Kuvend, për të vazhduar më pas me bojkotin e radhës. Ashtu sikurse edhe PS e LSI nuk do ta vrasin shumë mendjen nëse rrinë në Parlament demokratët, pas një pazari ku do të jenë “shkues” dy europarlamentarët. Deputetët e PD-së nuk humbasin mandatet dhe marrin pagat e ndonjë shpërblim për Vit të Ri nga Ilir Meta, kurse Edi Rama do të vazhdojë pa u ndaluar në udhën e tij qeverisëse.

Pazari fillon sot dhe mbyllet sapo të fusin kartat e deputetit në sallë, që t’ju njihet se nuk kanë humbur mandatin.

SHKARKO APP