PS përjashton edhe Bardhin nga Kuvendi, Çupi: Kanë frikë nga rezoluta për Kosovën
Partia Socialiste me votat e saja, të mbledhur këtë pasdite në Komisionin e Etikës ka përjashtuar tetë deputetë demokratë nga punimet e Kuvendit për 10 ditë. Deputetja e PD-së, Dhurata Çupi thotë se PS-ja ka frikë nga opozita e vërtetë.
Mes të përjashturave është edhe Gazment Bardhi, për të cilin Çupi thotë se rezoluta e dorëzuar nga Bardhi është e njehësuar me atë të kuvendit të Kosovës, të ciën PS-ja nuk e do.
”PS nuk fshin dot faktin se rezoluta e dorëzuar në Kuvend nga Kryetari i Grupit Parlamentar të PD njehsohet me atë të Kuvendit të Kosovës, ndërsa PS gjendet e turpëruar nga deklaratat e kryeministrit se Kosova e Veriut është kthyer në tokën e askujt. Ne do të mbrojmë fort interesin kombëtar. Ne nuk e dorëzojmë opozitën”,-shkruan Çupi.
Postimi i plotë
Vendimi i përjashtimit të disa deputetëve demokratë tregon se, pavarësisht fuqisë së madhe, PS ka frikë nga opozita e vërtetë. PS po kthjellohet dita-ditës se ka marrë fund koha kur pushteti luante me PD-në.
Mund të bëjnë gjithfarë manovrash, por nuk na imponojnë dot përfaqësimin në komisionin e reformës zgjedhore dhe kudo. Sot, ata përjashtojnë kreun e grupit parlamentar dhe disa kolegë të tjerë, sepse e kanë të qartë se këta janë opozitarë 24 karatësh.
Sado ta përjashtojnë Gazment Bardhin nga seanca e së enjtes, kur do të jetë debati për rezolutën e Kosovës, PS nuk fshin dot faktin se rezoluta e dorëzuar në Kuvend nga Kryetari i Grupit Parlamentar të PD njehsohet me atë të Kuvendit të Kosovës, ndërsa PS gjendet e turpëruar nga deklaratat e kryeministrit se Kosova e Veriut është kthyer në tokën e askujt. Ne do të mbrojmë fort interesin kombëtar. Ne nuk e dorëzojmë opozitën!