PS zyrtarisht kundër SHBA dhe BE. Balla: Jemi për lista të hapura

Kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla deklaroi sot se mazhoranca mbështet hapjen e listave, por kjo është nismë e pavarur, që nuk prek draftin e marrëveshjes së 5 qershorit me PD-LSI.

“Na rezulton se shqiptarët duan që të shprehin një votë jo vetëm për kryetarin e partisë, por edhe një votë për njërin për kandidatët në listën e secilës prej partive që marrin pjesë në zgjedhje. Ne e mbështesim në parim nismën e deputetëve të opozitës parlamentare. Ky është një hap i rëndësishëm për një demokratizim më të plotë të jetës politike në vend. PS-ja ka qenë refleksion i asaj që do shumica dhe në këtë këndvështrim, mbështesim një hapje të listave, që mund të garantojë garancitë e përfaqësimit të drejtë gjinor, që të mos kemi vetëm burra në parlament”,- tha Balla.

Nënkryetari i PS tha se procesi për hapjen e listave ecën në mënyrë të pavarur nga drafti i 5 qershorit.  “Në kodin zgjedhor është depozituar në 1 korrik, në 15 korrik komisioni i ligjeve do i diskutojë dhe nuk do të preket asnjë prej atyre. Janë dy procese që ecin në mënyrë të pavarur nga njëra tjera”, tha Taulant Balla.

Ky qëndrim i Partisë Socialiste edhe pse duket i parëndësishëm prek sistemin elektoral. Hapja e listave, në këtë fazë do të sillte një proces zgjedhor më të komplikuar. Ndërkohë qëndrimi i PS për të zvarritur miratimin e reformës bie në kundërshtim me apelet e SHBA dhe BE për miratimin sa më parë të reformës elektorale.

SHKARKO APP