Pse akoma hesht Kryeministri?

Ajo çfarë ka ndodhur me akuzat e deputetit Tom Doshi nuk ishte parë në politikën e këtyre 25 viteve. Dy ditë më parë, deputeti i Shkodrës tha se do t’a trondiste mazhorancën dhe qeverinë, nëse do të fliste. Vetëm kaq ka mjaftuar për t’i ka dhënë një shkundje të fortë Partisë Socialiste dhe grupit të saj parlamentar. Deputetët socialistë janë njoftuar për një mbledhje jashtë radhe të grupit parlamentar, të hënën. Ato të zakonshmet ata i zhvillojnë zakonisht të martave. Akuzat e forta të Doshit e kanë prishur kështu rutinën në PS. Burime brenda grupit flasin për një plan të Ramës për ta përjashtuar deputetin e Shkodrës. Në funksion të përgatitjes së këtij plani është me gjasë edhe marrja e pazakontë e kryetarit të grupit, Gramoz Ruçi, në një vizitë zyrtare jashtë vendit bashkë me nënkryetarin Taulant Balla, gjw e cila nuk ka ndodhur asnjwherw. Ata ndodhen bashkë në Bukuresht dhe për Ruçin kjo është hera e parë që merr pjesë në një delegacion të tillë, të kryesuar nga kryeministri. Fakti që Doshi foli kaq ashpër dhe fort, si dhe e turpëroi kryeministrin publikisht kur bëri gjeste me dorë në sallën e parlamentit, gjeste që kuptohen me shprehjen “do të shtroj në dru” dhe që u filmua nga mediat televizive duket se e ka bërë kryeministrin të heq dorë përfundimisht prej Doshit duke e përjashtuar nga grupi parlamentar. Por pas përjashtimit, nëse ndodh, nuk dihet se ku do të shkojë Tom Doshi, me PD apo LSI apo edhe me Nard Ndokën. Në të gjitha rastet Doshi nuk është deputet i lehtë për tu “gëlltitur”. Ai ka bwrw qw tw dridhej, dikur, Berisha dhe Topalli nw Shkodwr.  Por faktikisht, nëse punët shkojnë keq e më keq me deputetin në fjalë, kryeministri mësohet se po ofron një ose dy deputetë të tjerë nga zona veriore, që të jenë baraspeshë ose të mundin Tomën.

Shpërthimi i papritur i Doshit e ka vënë Edi Ramën përballë një situate shpërthyese, të cilën po përpiqet ta zbusë sa përmes tw deleguarwve si Kokwdhima apo ndonjw tjetwr, aq edhe me “kamzhikun” e partisë. Kryeministri nuk ka folur ende për akuzat e forta publike të një prej deputetëve që i ka qëndruar pranë gjatë opozitës 8-vjeçare. Tom Doshi e akuzoi drejtpërdrejtë si “mosmirënjohës e bukëshkalë” dhe kritikoi modelin qeverisës të Ramës që sipas tij, ka sjellë korrupsion, pasurim të dyshimtë të disa njerëzve e nepotizëm në emërimet në administratë.

Ky është rasti i vetëm që një kryeministër hesht përballë akuzave të tilla dhe s’bën zë as ndaj gjesteve kërcënuese që Doshi i bëri në parlament. Në vend që të përballej me kritikat, Rama zgjodhi t’i dërgojë Doshit “të besuarin” e tij, deputetin Koço Kokëdhima për ta qetësuar. Pas negociatave Kokëdhima tentoi ta minimizonte situatën, duke e shitur reagimin e Doshit si shpërthim spontan, impulsiv, duke i veshur atij gjaknxehtësinë e shqiptarit dhe ballkanasit dhe duke siguruar se “nuk do të ketë probleme”. Por t’i thuash Doshit si një njeri me probleme që nuk kontrollon veten, siç la të nënkuptohej Kokëdhima, nuk është prapë e lehtë, pasi për fyerje tw tillw nuk të fal Tom Doshi. Dje Kokëdhima, në një konferencë për mediat u kujdes që të mos e rihapte dhe një herë këtë temë. Madje nuk përsëriti as ato që kishte thënë një ditë më parë, por shtoi vetëm se ishte një drekë mes miqsh. Sipas Kokëdhimës dhe debati në Kuvend me gjeste mes të dyve, ishte bisedë normale dhe momenti i ftesës për drekë. Ta kanalizosh debatin që ka shpërthyer në PS, në gjera banale si menuja e drekës mund të largojë vëmendjen për momentin, por problemet mbeten aty. Telashet kanë shpërthyer në publik dhe nuk ndalohen më. Rama nuk mundet ta lërë tërësisht në heshtje, ndonëse deri tani e ka kyçur gojën.

Trajtimi i tij e ka vënë në dilemë të madhe: ta mbyllë duke u tërhequr dhe duke u hyrë “pazareve” (siç flitet se veproi kur Doshi dhe një grup deputetësh refuzuan të votojnë në parlament disa ligje të rëndësishme), apo të vërë në provë fuqinë e Partisë dhe përjashtojë Doshin nga grupi parlamentar, duke rrezikuar kështu të përballet me akuza të tjera që deputeti i Shkodrës paralajmëron se do t’i bëjë publike? Do të tentojë ta mbyllë këtë situatë të nxehtë që ia prishi qetësinë në një kohë të papërshtatshme teksa zgjedhjet lokale po afrojnë, apo do t’i shkojë asaj deri në fund? Koha po i punon kundër, pasi përballjet e forta para një fushatë elektorale që pritet të jetë e nxehtë, nuk do t’i interesonin. Doshi ka premtuar se mes tyre nuk do të ketë më paqe. A do të tentojë Rama ta joshë për të rifituar të paktën heshtjen e tij apo do ta pranojë sfidën e Tom Doshit për një luftë të hapur dhe të rrezikojë “dajakun” e gjestikuluar nga deputeti “rebel”? E hëna pritet t’u japë përgjigje këtyre pyetjeve që po mundojnë këto orë kryeministrin e vendit.

Përballje jo e lehtë dhe që përherë, nëse mbetet në grupin parlamentar, deputeti shkodran do të jetë problem për Ramën. Por edhe Toma nuk po rri duarlidhur. Po punon, thonë burimet dhe do të jetë i frikshëm për Ramën. Kësaj po i frikësohen pala e Ramës, se mos nxjerr ndonjë gjë Doshi dhe e fut në qorrsokak mazhorancën. Varet se sa nuk është përzier Kryeministri me Tomën apo Doshi me punët e PS që ti dhurojë fitoren në Shkodër! Ekuacion i ngatërruar për të dyja palët, tashmë që plasi në publik. Tani njëra palë do digjet; ose Kryeministri shkatërrohet nga ato që nxjerr Toma, ose ky i fundit merr ndëshkim të rëndë prej Ramës. Nuk dihet akoma se cili e pëson. Toma tha se Edi do të dalë i mundur, pasi theksoi se ka rrëzuar e mposhtur Berishën dhe Topallin në Shkodër. Tom Doshi tha dje se nuk hiqte dorë nga kërkesat për mbajtjen e premtimeve për qytetarët e Shkodrës dhe se do të priste deri në 21 qershor për realizimin e tyre. Kokëdhima heshti pa dhënë detaje të tjera për “negociatat” duke dashur të harrojë këtë çështje. Por problemi tashmë nuk është vetëm mes Ramës dhe Doshit. Çështja është publike. Kemi një deputet që shpërthen kundër kryeministrit dhe qeverisë me akuza të rënda. Kjo çështje nuk mund të mbyllet me një drekë dhe as më një mbledhje grupi. Nëse Tom Doshi e vendosë vetë se do t’i tund apo jo themelet e mazhorancës, para apo pas 21 qershorit, kryeministri nuk e ka këtë luks zgjedhje të qëndrimeve të tij. Akuzat vijnë nuk vijnë nga PD, por nga një prej njerëzve që konsiderohej krahu i djathtë dhe efekti në opsion e nw PS është shkatërrues. Rama ndodhet sot përballë një situatë që duhet ta sqarojë dhe të shmang çdo keqinterpretim. Heshtja e tij u shërben më shumë aludimeve dhe zërave për pazare.Thashethemet janë ndonjë herë më të rënda dhe më të dëmshme sesa realiteti.   

SHKARKO APP